Shkup, 2 nëntor – Pas dy medaljeve të argjendtë dhe një të bronztë nga Kampionati Ballkanik për Junior në mundje, dje Agjencia për Rini dhe Sport, organizoi pritje për shpresat e mundjes pas kthimit nga Turqia. Drejtori i ARS, Darko Kaevski i përgëzoi mundësit e përfaqësueses së Maqedonisë duke shtuar se institucioni të cilin ai e drejton do ti mbështet paraqitjet e tyre në të gjitha paraqitjet ndërkombëtare me faktin se mundja duhet të rikthehet në shtigjet e së kaluarës kur ky sport ishte me më trofe në Maqedoni.
“Jemi këtu për ti pritur juniorët të cilët u rikthyen nga Kampionati Ballkanik i cili u mbajt në Turqi dhe të cilët arritën të fitojnë tre medalje, dy të argjendtë dhe një bronz. Uroj fituesit e medaljeve dhe të gjithë pjesëmarrësit të cilët e prezantuan Maqedoninë në këtë kampionat. Gjithashtu në Slloveni në Kampionatin Ballkanik udhëtojnë edhe pionierët dhe kadetët. ARS do ti mbështet ata në aspektin financiar dhe qëllimi ynë në të ardhmen do të jetë që të investojmë në këtë sport në të cilin kemi suksese të theksuara”, deklaroi Kaevski.
Ndërkohë, përshtypjet e tij pas këtij suksesi i ka dhënë edhe kryetari i Federatës së Mundjes së Maqedonisë, Betim Vrenezi.
“Elmedin Sejfullahi njëri prej shpresave të mëdha të mundjes në Maqedoni dhe Minir Rexhepi fituan medalje të argjendtë ndërsa Ramadan Mustafovski u stolis me medalje të bronztë. Suksesi është shumë i madh duke marr parasysh konkurrencën e madhe që ishte, posaçërisht kur duhet të mposhtësh sportistët nga vendet ku mundja është traditë, si Turqia, Bullgaria dhe Rumania. Falënderoj ARS për mbështetjen që po ua jep juniorëve por edhe për mbulimin e përgatitjeve për paraqitjen e ardhshme të pionierëve dhe kadetëve në Kampionatin Ballkanik, i cili nga 3 e deri më 5 nëntor do të mbahet në Slloveni.
Maqedonia do të merr pjesë me 17 mundës, ku prej tyre dy do të jenë vajza, ndërsa pritjet janë që të arrijmë sukses edhe më të mëdha”, deklaroi Vrenezi. (B.K.)