Shkup, 1 prill – Agjencia për rini dhe sport do të financojë 13 pishina të vogla rajonale. Drejtori kësaj agjencie Darko Kaevski thotë se ende nuk dihet se sa do të harxhojë për këtë projekt, por sipas analizave një pishinë përafërsisht do të kushtojë 50 mijë euro.
“Pishina të mëdha janë joproduktive dhe jofitimprurëse, për atë edhe u shkaktojnë humbje komunave. Ne nuk duam që ky projekt të sjellë humbje për komunat dhe t’i vëmë ato në borxhe. Së paku tu ndihmojmë atyre. Të paktën, të jenë të barabartë, të mos kenë ndonjë fitim apo humbje nga pishinat”, u shpreh Darko Kaevski, Drejtor i Agjencisë pë Rini dhe Sport.
Një prej këtyre pishinave do të ndërtohet në Çair. Pishina pritet që deri në fund të vitit të ndërtohet dhe të vihet në funksion. Të drejtë për përdorimin e saj do të kenë nxënësit e Shkollës Ismail Qemali në Fushë-Tophanë. Por pas përfundimit të orëve mësimore të gjithë banorët do të mund ta shfrytëzojnë pishinën.
“Në këtë parcelë prej mbi 14 mijë metrave katrorë, do të ndërtohet pishinë për banorët e Çairit. Pishina do të jetë pranë shkollës Ismail Qemali dhe nga buxheti i komunës ende nuk dihet se sa para do të ndahen.”
Komuna e Çairit si një ndër komunat më të dendura me popullatë ka nevojë për një pishinë, tha kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu. Ai potencoi se financimi do të bëhet nga ana e Agjencisë për Rini dhe Sport, ndërsa komuna do të sigurojë vetëm vendin për ndërtim.
“Me siguri me partneritet ne duhet t’i bëjmë kushtet që i kërkojnë. Ne jemi të gatshëm që ta bëjmë një gjë të tillë. Dhe të gjitha procedurat do t’i udhëheqë agjencia për rini dhe sport. Ne kemi marrë garancë se janë në anën tonë parametrat që i theksova, e ajo është numri i madh i nxënësve”, tha Visar Ganiu, Kryetar i Komunës së Çairit.
Përndryshe sipas standardeve evropiane për të pasur një gjeneratë të shëndoshë duhet që 50% e fëmijëve të merren me ndonjë sport, ndërsa sipas analizave të agjencisë në Maqedoni vetëm 10% e fëmijëve merren me ndonjë aktivitet sportiv./tv21mk/