Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar me një deklaratë për shtyp për të bërë transparencën ndaj opinionit publik, sa i përket garës së zhvilluar për njërin nga 3 lotet e projektit të “Unazës së madhe” të Tiranës, më saktësisht segmenti nga “Pallati me shigjeta” te sheshi “Shqiponja”.
Në funksion të sqarimit të plotë të situatës dhe pretendimeve të shfaqura në një emision televiziv, ARRSH iu është drejtuar institucioneve, që përmes komunikimit me rrugë zyrtare t’u kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës.
Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri te mbikalimi i sheshit “Shqiponja”.
Në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do të ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj.
Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH-ja do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin.