Shkup, 16 maj – Arroganca, mosplotësimi i disa pritshmërive të caktuara të qytetarëve, marrëdhënia joagjile e disa bartësve të funksioneve të larta, nepotizmi, rekomandimet e Komisionit për Antikorrupsion, do të jenë kriteret në bazë të së cilave kryeministri, Zoran Zaev do ta realizojë “fshesën” e paralajmëruar në fund të muajit maj dhe fillim të qershorit, njofton Koha.mk
Siç paralajmëroi dje, në fillim të qershorit do të dalë komplet me ndryshime me struktura drejtuese në nivel ministrash, në institucionet shtetërore, ndërsa në fund të qershorit do të fillojë në mënyrë vertikale edhe nëpër komunat ku shteti është i prezentuar me institucione të caktuara shtetërore. Paralelisht paralajmëroi edhe ndryshime në LSDM.
Zaev paralajmëroi takim edhe me liderin e BDI-së në koalicion, Ali Ahmeti për ndryshimet e paralajmëruara në të gjitha nivelet e pushtetit.
“Reper kryesor janë qytetarët. Të gjithë në përgjithësi presim se ku do të ndodhnin ndryshimet. Për mua nuk ka pengesa dhe paragjykime. Unë jam mandatar, përgjegjësia ime është t’i shqyrtoj rekomandimet e qytetarëve, të veproj mbi to, të bëj korrigjime përkatëse”, porositi Zaev.
Ministrat thonë se i mbështesin ndryshimet e paralajmëruara dhe do ta respektojnë vendimin nëse i përfshin “fshesa” e Zaevit.
Deri më tani më shumë ministra, në mesin e së cilëve edhe zëvendëskryeministri Koço Angjushev, ministrat e Punëve të Brendshme, Financave, Transportit dhe Lidhjeve, Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe i Arsimit, paralajmëruan se e mbështesin rikonstruimin e paralajmëruar qeveritar, si edhe atë që do ta respektojnë vendimin eventual për ndërrimin e tyre nga ministritë resore.
Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev thotë se është i relaksuar kur bëhet fjalë për “fshesën” e paralajmëruar nga ana e kryeministrit Zoran Zaev dhe se kjo çështje është vetëm në kompetencat e vetë kryeministrit.
Ministri i Transportit dhe lidhjeve, Goran Sugareski nuk pret të jetë në mesin e funksionarëve të cilët do të shkarkohen, por thotë se e respekton vendimin e tillë eventual.
Duhet pasur rikonstruim, vlerëson ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, por duhet të ketë edhe ndërrim të disa kuadrove të caktuar, në bazë të kritereve të cilat do të përcaktohen.
Ministri i Financave, Dragan Tevdovski në një koment për paralajmërimet për ndryshime thekson se është i kënaqur prej ndryshimeve dhe reformave që janë bërë në Ministri dhe organet në përbërje të saj, në të cilat, siç thotë, janë të përkushtuar në tërësi.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski thotë se do ta respektojë vendimin eventual dhe ai të përfshihet me “fshesën” e funksionarëve qeveritarë. “Çfarëdo që të vendos absolutisht pajtohem me këtë vendim”, tha Mançevski.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i pyetur nëse do të jetë i përfshirë me “fshesën”, thotë se është i fokusuar në aktivitetet dhe punën në Ministri dhe janë duke i ndërmarrë të gjitha aktivitetet sipas dinamikës së përcaktuar prej më parë.
Ndryshe, kryeministri dhe kryetar i LSDM-së Zaev paralajmëroi se pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale do të vijë radha e “fshesës” e cila do të pastrojë në ndërmarrjet publike, ministri dhe Qeveri.
Menjëherë pas zgjedhjeve erdhi edhe dorëheqja e parë e ministrit të Kulturës, Asaf Ademi të cilën siç tha kryeministri Zaev e ka pritur, pasi ai e ka paralajmëruar mbi gjashtë muaj për shkaqe shëndetësore. (koha.mk)