Vjollca SADIKU
Dibër, 11 shkurt – Kualiteti i lartë i ujit termo-mineral, i cili nga ekspertët renditet si një ndër më të mirët në Evropë dhe pozita gjeografike e lokaliteteve, bënë që banjat e Dibrës në Banjisht dhe Kosovrast, të tërheqin vëmendjen e shumë turistëve nga bota e jashtme, shkruan gazeta KOHA. Nga viti në vit, në këta lokalitete banjar vijnë turistë pothuajse nga të gjitha vendet e Evropës, por kohëve të fundit edhe nga kontinentet tjera. Të dhënat e Bordit drejtues të ndërmarrjes private “Banjat e Dibrës” informojnë se këto ditë kanë ardhur edhe turistë nga Rusia. Menaxheri i lokalitetit banjar në Banjisht, Trimi Qemali, thotë për KOHA se bëhet fjalë për një grup prej 50 turistësh rusë, por që ky grup nuk është vetëm grupi i parë, por gjatë vitit do të vijnë edhe turistë të tjerë nga Rusia. Sipas tij, turistët rusë janë mahnitur nga kapacitetet moderne hotelerike si dhe nga kualiteti i ujit termo-mineral dhe numri i madh të terapive që përdoren në këtë banjë. Ata në këto banja kuruese do të qëndrojnë afro 50 ditë, që nënkupton një pushim teje i gjatë dhe relaksues. Ata, për çdo ditë vijnë dhe vizitojnë Dibrën, Strugën, Ohrin dhe në banja organizojnë edhe mbrëmje argëtuese. Aktualisht, në banjat ka edhe një numër të madh të mysafirëve nga Shqipëria, Kosova, por edhe mërgimtarë tanë nga vendet të tjera.
Sipas të dhënave të Bordit drejtues të “Banjave të Dibër” gjatë këtë viti pritet që në banjat të arrijnë edhe turistë nga shumë vende të huaja. Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se mbi 60 për qind e turistëve kanë qenë të huaj. “ Tendenca tonë është të rritet numri i turistëve të huaj”, thotë investitori Mexhit Capa, sipas të cilit, pas privatizimit janë investuar mbi 8 milionë euro në të dy lokalitetet banjare Banjisht dhe Kosovrast. Banjat në lokalitetin banjar të Banjishtit ku kryesisht qëndrojnë turistët e huaj janë në një lartësi mbidetare prej 880 metra, në zemrën e një rripi malor të mbushur me pisha të larta. Atmosfera e qetë dhe relaksuese nuk është e gjitha çka ofron ky resort. Në Banjisht do të gjeni shërbime mjekësore me ujëra termo-minerale, fangoterapi natyrale, fizioterapi dhe shumë aktivitete tjera, thonë në këtë lokalitet dhe shtojnë se interesimi i turistëve është i madh. Po ashtu ka një rritje të numrit të turistëve të huaj, edhe në lokalitetit e Kosovrastit, ku është në afërsi edhe Liqeni i Dibrës dhe Lumi Radikë. Pikërisht në këtë lokalitet ka filluar edhe realizimi i projektit të Akua parkut, i cili do të jetë një nga parqet më të medhenj në Ballkan.
Banjata e Dibrës të cilët vitin e kaluar realizuan afro 80 mijë bujtje, edhe gjatë këtij vit presin rritje të numrit të turistëve si nga vendi ashtu edhe nga jashtë. Janë banjat të cilët shërojnë një numër të madh të sëmundjeve, por njëkohësisht lokalitetet ku gjenden ata, mundësojnë relaksim dhe qetësi, prandaj edhe kemi një rritje rapide të mysafirëve të huaj, thotë menaxheri, Trim Qemali. Turizmi banjar në Komunën e Dibrës është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, thotë kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata, i cili shton se numri i madh i turistëve nga vendi, por edhe nga jashtë, mundëson një rritje të xhiros në rrjetin tregtar të Dibrës , por edhe përfitime në sferat e tjera, thotë ai.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.