Shkup, 2 mars – Në tetë ka arritur numri i incidenteve ndëretnike në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Dy raste të reja rrahjesh kanë ndodhur orët e pasditës të sotme në Shkup, në autobusët urban, ndërsa kanë pësuar nxënësit maqedonas. Përveç rrahjes së të rinjve kosovarë, të dielën në sheshin “Maqedonia” në Shkup, në shtatë incidentet tjera kanë pësuar më shumë nxënësit maqedonas. Mbrëmë, në biletatirinë kryesore të autobusëve urban, pesë-gjashtë nxënës shqiptarë kanë rrahur rëndë një 16-vjeçar maqedonas, ndërsa sot – në dy raste, të lënduar në kokë dhe në pjesë tjera të trupit kanë përfunduar dy nxënës të etnisë maqedonase të shkollave të mesme në Shkup. Në ndërkohë, raporton KOHA, zyrtarë të Ministrisë se Punëve të Brendshme tashmë kanë nisur të kontaktojnë me drejtorët e shkollave të mesme, me qëllim që të këshillojnë nxënësit që të mos zihen mes vete. Madje, në MPB është diskutuar edhe mundësia që policë të vizitojnë shkollat sikurse vite më parë, dhe të këshillojnë nxënësit me pasojat ligjore nëse përfshihen në rrahje. Merret vesh MPB – si mundësi e ka shqyrtuar edhe vozitjen e policëve me autobusët e qytetit, ashtu sikurse bëri dy vitet e fundit, kur pjesëtarë të policisë shiheshin rregullisht në autobusë. (koha.mk)