Apelohet që në të ardhmen qytetarët pa nevojë mos dalin me veturat e tyre, por të shfrytëzohet transporti publik
Urim HASIPI
Tetovë, 17 janar – Pesë autobusët të cilët në të ardhmen do të shfrytëzohen për transport publik të qytetarëve, më në fund kanë arritur në Tetovë. Ceremonia e pranim-dorëzimit të pesë autobusëve është mbajtur në ambientet e Njësisë territoriale kundër zjarrit ku krahas kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, i pranishëm ka qenë edhe ministri i Financave, Fatmir Besimi. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në ceremoninë e pranim-dorëzimit të pesë autobusëve theksoi se një kërkesë e kamotshme e banorëve të Tetovës tashmë bëhet realitet.
“Ky projekt kapital kërkonte jo veç një vizion të vetëm, por edhe një punë ekipore mes atyre që besuan dhe punuan për ta bërë atë realitet. Sot dua të falënderoj Ministrin e financave, Fatmir Besimi, dhe njësinë projektuese në kuadër të kësaj ministrie, e cila asistoi në realizimin e procedurës për furnizimin e autobusëve urban, nëpërmjet instrumenteve kredituese të Bankës Botërore. Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar dhe do të punojë edhe në të ardhmen për të afirmuar instrumentet e financimit ndërkombëtar, si mënyrë rentabile për të realizuar dhe përmbushur nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Transporti urban në Tetovë do të fillojë shumë shpejt. Ndërtuam stacionet, sinjalizimin e duhur, dhe po punojmë intensivisht për të edukuar dhe mësuar qytetarët se duke udhëtuar me autobusë, jo vetëm që shmangim rrëmujën në komunikacion, por edhe kontribuojmë në ngritjen e sensibilizimit dhe mbrojtjes ekologjike të qytetit dhe komunës tonë” tha Arifi.
Ministri i financave, Fatmir Besimi me këtë rast tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për qytetin e Tetovës. Sipas tij, Komuna e Tetovës ka aplikuar dhe ka marrë kredi në vlerë prej 1.2 milion euro,por 5 autobusët kanë kushtuar 720 mijë euro, kurse mjetet tjera do të shfrytëzohen për projekte tjera infrastrukturore. Sipas tij, kredia është marrë për një periudhë 13 vjeçare,me grejs periudhë 3 vjeçare dhe normë interesi prej 3 përqind.
“Kjo do t’u sigurojë qytetarëve të Tetovës një shërbim të ri komunal, i cili do të kontribuojë në transportin e sigurt të udhëtarëve, në trafik më efikas në qytet, si dhe më e rëndësishmja, do të kontribuojë në uljen e ndotjes në qytet. Gjithashtu hapen vende të reja pune për qytetarët në Ndërmarrjen e Transportit Publik. Për prokurimin e autobusëve përmes projektit MSIP, Komuna e Tetovës ka marrë 72.6 milionë denarë ose 1.18 milion euro. Me realizimin e prokurimit publik u arrit një çmim më i ulët për autobusët prej 44.3 milion denarë, ose rreth 720 mijë euro, ndërsa për fondet e tjera ekziston një mundësi që komuna t’i përdorë ato për projekte tjera” tha ministri Besimi.
Kohë më parë, për organizimin e transportit publik të udhëtarëve, Komuna e Tetovës ka themeluar ndërmarrjen publike “Tetova Transport”, e cila tashmë ka përcaktuar edhe linjat nga do të qarkullojnë këta 5 autobusë. Po ashtu, në shumë pika në Tetove tashmë janë vendosur edhe mini stacionet për udhëtarë. Për sigurimin e këtyre 5 autobusëve, Komuna e Tetovës kishte aplikuar përmes Ministrisë së financave në Bankën Botërore. Këta autobusë ekologjik kushtojnë rreth 1 milion euro. Kërkesa për rivendosjen e transportit publik në Tetovë daton që moti, pasi që edhe qytetarët edhe sektori joqeveritar ka vlerësuar se kjo në masë të madhe do të ndikojë në uljen e ndotjes së ajrit në këtë qytet. Me këtë pritet që po ashtu të lehtësohet edhe kaosi në rrugët e Tetovës dhe apelohet që në të ardhmen qytetarët pa nevojë mos dalin me veturat e tyre, por të shfrytëzohet transporti publik. Në të kaluarën, në Tetovë ka ekzistuar një Ndërmarrje publike, respektivisht “Polet”, e cila falimentoi diku rreth vitit 2006 dhe që atëherë e këndej në Tetovë nuk ka patur transport publik të organizuar nga Komuna e Tetovës.