Në Spanjë është arritur marrëveshja për formimin e koalicionit të ri qeverisës.
Lideri socialist spanjoll Pedro Sançez ka arritur marrëveshjen me kreun e lëvizjes së majtë radikale Podemos, Pablo Iglesias.
Dy politikanët u shfaqën të përqafuar gjatë konferencës për media, duke i dhënë tanimë Spanjës një qeveri të orientuar tërësisht majtas, transmeton Shekulli.
Bëhet fjalë për një marrëveshje koalicioni për 4 vitet e ardhshme, mes dy forcave që kishin refuzuar t’i shtrinin dorën e bashkëpunimit njëra-tjetrës.
“Kjo është një marrëveshje për 4 vjet”, deklaroi kryeministri Pedro Sançez pas firmosjes së paktit me liderin e Podemos, Pablo Iglesias.
Ai shtoi se do të nisë menjëherë përpjekjet për gjetjen e një aleati tjetër që do t’iu bashkohet në qeverisje.
Kujtojmë që socialistët fituan zgjedhjet e të dielës në Spanjë, por nuk kishin numrat për formimin e qeverisë. Spanja, sikundër edhe vende të tjera, nuk i ka shpëtuar rritjes së ekstremit të djathtë, ku ka ngritur krye partia ekstremiste Vox.
Madridi është drejtuar dikur nga diktatori ushtarak, gjenerali Franko, retorika e Vox duket se nuk ka kaluar pa shpërfillje në elektorat. Në ditët në vijim pritet të dalin detajet e qeverisë së re Iglesias-Sançez.