Uashington, 12 shkurt – Disa negociatorë nga Partia Demokratike dhe Republikane në Kongresin amerikan kanë arritur marrëveshje parimore për financimin e Qeverisë dhe shmangien e bllokadës së re të Qeverisë në fund të javës, lajmëroi Zëri i Amerikës.
Askush nga negociatorët nuk i ka theksuar detajet e marrëveshjes, ndërsa gjithashtu nuk kanë thënë nëse presidenti i SHBA-së Donald Tramp do ta marrë shumën e plotë që e kërkon për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.
Demokratët ofruan një shumë të caktuar të parave për sigurinë, por dukshëm më pak sesa kërkonte Trampi për murin.
Shtëpia e Bardhë dhe deputetët kanë afat deri të premten, kur sërish do të shteren mjetet për financimin e Qeverisë federale me qëllim që të shmanget bllokada e re e pjesshme.
Trampi nuk u prononcua sa para do të pranonte si kompromis për ndërtimin e murit në kufirin amerikano-meksikan. Ai më 25 janar u pajtua t’i japë fund bllokadës më të madhe të pjesshme të punës së Qeverisë federale, e cila zgjati 35 ditë, edhe pse nuk mori 5,7 miliardë dollarë që i kërkoi për murin. Në vend të kësaj është arritur marrëveshje për financim trejavësh të agjencive federale, me qëllim që liderët në Kongres të kenë kohë ta zgjedhin kontestin që ka të bëjë me sigurinë e kufirit.