Shkup, 10 qershor – Me urdhër të prokurores për krim të organizuar, Villma Ruskoska, sot në mëngjes është arrestuar sekretari shtetëror në Ministrinë për shoqëri informatike, Jahi Jahia nga Kumanova, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës dhe kompetencave zyrtare dhe për marrje të provizionit nga një tender i fituar, transmeton koha.mk
Funksionari është kuadër i BDI-së. Për momentin sektori për krim të organizuar dhe korrupsion pranë MPB kontrollon hapësirat e MSHIA, informojnë të punësuarit në ministri, nga KSHZ dhe ministri të tjera, të cilat gjenden në të njëjtën ndërtesë. Sipas dëshmitarëve nga lagjja e Jahiut, ai është arrestuar sot në mëngjes dhe policia ka qëndruar në shtëpinë e tij, fillimisht për të bërë kontroll.
Sipas informatave jozyrtare, bëhet fjalë për mitmarrje prej dhjetëra mijë euro, që ai i ka marrë gjatë periudhës 2014-2015. Jozyrtarisht merret vesh se prokuroria për këtë funksionar të lartë do të kërkojë arrest. (koha.mk)