Policia e Kosovës sot rreth orës 15:10 ka pranuar informacion se në rrugën ‘Muharrem Kelmendi’ në Pejë, kishte një incident me persona të plagosur. Njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe në lokacione tjera të nevojshme. Sipas të dhënave hetimore, mësohet se i dyshuari pasi që e ka kanosur viktimën I.G., të njëjtin e ka qëlluar me sëpatë në kokë, me ç’rast viktima është transportuar me ndihmën e qytetarëve deri në Spitalin rajonal në Pejë dhe përkundër përpjekjeve të ekipit emergjent mjekësor për t’i shpëtuar jetën i njëjti ka ndërruar jetë në ora 16:04”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia thotë se viktima tjetër F.G. është hasur në vendin e ngjarjes, në një pozitë gjysmë të shtrirë me një pistolete në dorë, ai kishte dy plagë nga arma e zjarrit.
“Policia e çarmatos personin dhe njofton autoambulancën e cila nga vendi i ngjarjes e transporton viktimën ne spitalin rajonal Pejë”, thuhet në njoftim.
Policia pastaj lokalizon dhe arreston personin e dyshuar nga i cili e konfiskon armen me të cilën është plagosur viktima F.G.,po ashtu ka konfiskuar mjetin (sëpatën) me i cilën është plagosur viktima I.G. (tani i vdekur)
Sipas njoftimit mjekësor gjendja shëndetësore e personit plagosur është e rëndë, por stabile. Rasti është duke u hetuar nga hetuesit rajonal DRP Pejë, në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit. (Koha.net)