Ia doli të arratisej për një kohë të gjatë, por jo të fshihej përgjithmonë. Një i dyshuar për vrasje është arrestuar në Japoni pas plot 45-vitesh arrati. Revolucionari i majtë, Masaaki Osaka është dënuar për vrasjen e një polici gjatë protestave në Tokio, 45 vite më parë.
Ai akuzohet se i ka vënë flakën policit me anë të një kokteji molotovi. Media japoneze raporton se asnjë i arratisur tjetër nuk ia ka dalë të qëndrojë në listën e të kërkuarve për kaq gjatë. Sipas “BBC”, Osaka është arrestuar muajin e kaluar në Hiroshima, në një apartament që i përkiste Chukaku-ha, siç njihet ndryshe Liga Komuniste Revolucionare Japoneze (JRCL).
Të mërkurën, ai u transportua nga Hiroshima në kryeqytetin Tokio, por mediat thonë se deri më tani ai nuk ka folur. Por kjo s’do ta shpëtojë pasi policia ia ka dalë të konfirmojë identitetin e tij nëpërmjet testeve të AND-së. Autoritetet thonë se Osaka ia ka dalë të mbesë në arrati për kaq shumë vite sepse duke mbajtur një pozicion të lartë në hierarkinë e grupit radikal JRCL, është ndihmuar shumë nga simpatizantë të grupit.
JRCL është themeluar në vitin 1950 ndërsa në vitet 1960 dhe 1970 fitoi reputacion për mbajtjen e protestave të dhunshme. Osaka akuzohet se vrau një polic 21-vjeçar gjatë protestave në Shibuya të Tokios në vitin 1971, kur e goditi me një shufër hekuri para se t’i vinte flakën. Atëbotë, JRCL protestonte kundër prezencës ushtarake amerikane në vend.