Arrestohet ish-ministri i brendshëm i BeH

Një aksion përmasash të gjera po ndodh aktualisht në 60 lokacione të ndryshme të Bosnjës e Hercegovinës. Njoftohet për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm të Republikës së Bosnjës e Hercegovinës, Alija Delimustafiq, dhe të Juso Shkrijelit, shoqëruesit të dikurshëm të Alija Izetrbegoviqit, transmeton Koha.net raportimin e Al Jazeera.

Ata u arrestuan në pjesën lindore të Sarajevës.
Aksioni, sipas këtyre raportimeve, po zhvillohet në bashkëpunim me Departamentin për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar të Kroacisë.

Sipas medieve të BeH aksioni u zhvillua nën kodin “Drejtësia” (Pravda).
Bëhet e ditur se edhe në Republika Serpska janë arrestuar disa persona.

“Po vazhdojnë kontrollet në 60 lokacione në territorin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, në Republika Serpska dhe në Kroaci. Bëhet fjalë për vepra penale të krimit të organizuar që lidhen me keqpërdorim të pozitës, shkelje të ligjit nga ana e gjyqtarëve, shpëlarje parash dhe mashtrime”, shkruan gazeta “Dnevni Avaz”.