Shkup, 21 shtator – Është arrestuar njëri nga organizatorët e incidentit në Parlament më 27 prill, Vllado Georgiev i njohur me emrin “Igor Jug”, shkruan gazeta KOHA. Kapja e tij është bërë e mundshme në orët e hershme të mëngjesit, në banesën e babait të tij në Kumanovë, ndërsa nga 27 prilli, i njëjti nuk ishte paraqitur në opinion, pasi ndaj tij, Ministria e Punëve të Brendshme kishte lëshuar fletëarrest. Igor Jug së fundmi i njohur u përmend edhe nga spiuni serb, Goran Zhivaljeviq, i cili në një intervistë për mediat serbe, tha se Igor Jug ka qenë personi që është dashur ta vrasë kryeministrin aktual, Zoran Zaev natën e 27 prillit në Parlament. Ndryshe, Igor Jug është udhëheqës i organizatës nacionaliste “Vllado Çernozemski” në Kumanovë, ndërsa ishte organizator i protestave kundër të ashtuquajturës “Platforma e Tiranës” në këtë qytet. Igor Jug në disa raste ishte shprehur kundër Qeverisë LSDM me partitë shqiptare ndërsa kishte kërcënuar se do marrin masa të ashpra kundër Parlamentit dhe Qeverisë në rast se VMRO mbetet në opozitë. Natën e 27 prillit, i shoqëruar nga persona të maskuar, Igor Jug në Parlament me vete kishte edhe pistoletë në brezë, ndërsa pamjet u publikuan nga shumë kamera që momentin kritik, ishin në sallën e pres-konferencave brenda objektit të Parlamentit. (koha.mk)