Tetovë, 14 gusht – Policia e Tetovës kumtoi se mbrëmë rreth orës 1:30 kanë arrestuar një burrë 43 vjeçar nga qyteti, për të cilin dyshojnë se ka shkaktuar zjarr në dy automobila, pronësi të EVN Maqedoni. Ai është arrestuar në rrugën “Lenin” në afërsi të njërit nga dy vendet ku kishte zjarr.
“Nëpunësit policor të SPB-së Tetovë e kanë privuar nga liria K.O (43) nga Tetova, për shkak të dyshimit se në periudhën prej orës 00:40 deri në 01:10 në rr. “Ivo Ribar Lola” në Tetovë ka shkaktuar zjarr në automjetin “daçija daster” me targa të Shkupit, dhe automjetin “nisan” me targa të Shkupit, të dyja pronësi e “EVN”-së, të cilat tërësisht janë djegur. Gjithashtu nga zjarri është përfshirë edhe automjeti “golf” me targa të Tetovës. K.O. është arrestuar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të tërësishëm të rastit kundër tij do të ngritet padi përkatëse”, potencojnë nga SPB Tetovë.
Zjarret në të dy vendet mbrëmë i kanë shuar ekipet e Njësisë territoriale të zjarrfikësve Tetovë. (koha.mk)