Forcat policore braziliane arritën të arrestojnë një nga njerëzit më të fuqishëm të tregut të kokainës në Amerikën Latine. Luiz Carlos da Rocha kishte mundur të krijonte pasuri mbi 100 milionë dollarë, ndërsa kishte mundur t’i shpëtonte arrestimit për rreth 30 vite.
Ai vazhdonte të drejtonte biznesin ndërkombëtar të drogës, edhe pse në arrati, ndërsa kishte mundur të shpëtonte fal operacioneve plastike. Mbi 150 agjentë policie u angazhuan në arrestimin e tij, pamjet e të cilit janë publikuar tashmë. “Mbreti” shihet teksa trembet pak kur policët civilë hidhen në aksion për arrestimin e tij në një zonë publike. Ai jetonte nën një identitet të fshehtë të quajtur Vitor Luiz de Moraes.
Emri i operacionit ishte “Spectrum”, duke iu referuar në portugalisht natyrës së fantazmave, pasi për tri dekada, ai jetoi në mënyrë “diskrete dhe në hije….duke shmangur përpjekjet e policisë për pothuajse 30 vite”. I arratisuri i kapur akuzohet se ka kryesuar një rrjet të madh kokaine, që përfshinte prodhimin në xhungla të Bolivisë, Kolumbisë dhe Perusë, dhe kontrabandimin në SHBA dhe në Evropë.
Ai akuzohet gjithashtu si një nga furnizuesit kryesorë të trafikantëve të dhunshëm të drogës që mbizotërojnë në zonat e mëdha të Sao Paulos dhe Rio de Janeiro. Pasuria e tij e pabesueshme personale është në formën e automjeteve, pronave dhe depozitave në llogaritë bankare në det të hapur, të cilat autoritetet thanë se “do të jetë objekt i fazës së dytë të Operacionit “.