Tiranë, 15 janar – Pas arratisë dyvjeçare sot në Komisariatin e policisë në Tiranë u dorëzua Klement Balilit, i etiketuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, “Baroni i drogës”.
Ai është dorëzuar nën shoqërinë e avokatit të tij mbrojtës pranë policisë, në një kohë kur Prokuroria e Krimeve të Rënda sapo kishte dorëzuar dosjen hetimore në në gjykatë për të paktën katër vepra penale, më të rëndat e të cilave “trafik ndërkombëtar droge”.
Pavarësisht vetëdorëzimit edhe në prani të njërit prej familjarëve të tij, policia pretendon se 46-vjeçari nuk e përballoi dot presionin dhe rrethimin policor, të paktën gjatë dy muajve të fundit, duke ngushtuar zonën ku Balili strehohej, në Delvinë.
“Policia shqiptare ka finalizuar sot një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm, për dorëzimin e Klement Balilit, pas një procesi operativo-gjurmues, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët tanë. Nga sot, drejtësia shqiptare merr në duart e saj njërin prej personave më të kërkuar në Shqipëri dhe përtej saj, ndërsa qytetarët dhe partnerët e vendit tonë marrin jo vetëm një lajm të rëndësishëm, por dhe një mesazh shumë të qartë për Shqipërinë që duam”, tha ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Prokuroria kumtoi se do të kërkojë paraburgim për Balilin