Berlin, 8 nëntor – Forcat policore speciale gjermane sot arrestuan pesë anëtarë të grupit militant islamik, nën akuzën për rekrutim të luftëtarëve për në radhët e Shtetit Islamik (SHI) në Siri, raporton gazeta KOHA. Sipas kumtesës së Prokurorisë Publike Federale gjermane, pesë militantë të dyshuar, të cilët janë arrestuar në krahinat Saksonia e Poshtme dhe Rajna Veriore – Vestfalia, vijnë nga vende të ndryshme. Lider i grupit është 32 vjeçari, Ahmad Abdulazis Abdulla nga Iraku, njëri nga të arrestuarit është nga Turqia, një nga Kameruni, njëri ka pasaportë gjermane, ndërsa i pesti ka shtetësi të Gjermanisë dhe Serbisë. Të arrestuarit përballen me akuzë për organizim të “rrjetit xhihadist”, e cila ka organizuar arsimim fetar dhe kanë rekrutuar luftëtarë për nevojat e SHI-së në Siri. Rrjeti ka arritur ilegalisht të transferojë më shumë njerëz të rinj dhe familjet e tyre në pjesët e Sirisë që janë nën kontroll të SHI-së, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike. Deri tani mbi 800 persona nga Gjermania kanë shkuar të luftojnë në radhët e SHI-së dhe organizatave tjera militante në Siri dhe Irak. Shërbimet gjermane për siguri konsiderojnë se të gjithë ato që do të kthehen në vend, paraqesin rrezik serioz për shkak të trajnimit të tyre luftarak. Sipas vëzhguesve, në Gjermani jetojnë rreth 8.900 myslimanë ultrakonservativ, prej të cilëve 500 konsiderohen për kërcënim real të sigurisë.