Policia italiane ka shkatërruar një grup shqiptarësh të cilët vidhnin banesa. Plot 36 vjedhje janë raportuar në provincat Asti, Cuneo dhe Torino gjatë orëve të natës në tre muajt e fundit. Karabinierët e Komandës Provinciale të Torinos, të koordinuar nga zyra e prokurorisë, kanë zbuluar lidhjen mes vjedhjeve dhe një grupi shqiptarësh. Pesë persona, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, janë ndaluar për vjedhje të orëve, stoli dhe unaza martese, makineri për kafe dhe makina të parkuara në garazh, shkruajnë mediat italiane. Të gjitha materialet e vjedhura janë rikthyer tek pronarët njofton policia e Torinos. Hajdutët kanë praktikuar vjedhjet nën kërcënim dhe për të hyrë në banesa kanë përdorur mjete zdrukthëtarie për hapjen e dritareve. Policia raporton gjithashtu se shqiptarët nuk kanë kursyer kërcënimet edhe ndaj të miturve të cilët janë gjendur në shtëpitë ku kanë kryer grabitjet.