Katër të burgosur në Misisipi u arratisën nga burgu gjatë kësaj jave, për të vjedhur një dyqan dhe më pas u kthyen në qeli pa u zbuluar nga policia. Të burgosurit janë Levontaye Ellington, Travis Baker, Maurice Robertson dhe Jacquiez Williams, të cilët u larguan nga burgu të martën duke kapërcyer mbi mur rrethues. Sipas policisë vendase, më pas ata ecën më pak se 1 milje larg nga burgu dhe shkuan në një zinxhir dyqanesh, ku u kapën nga kamerat duke grabitur mallra. Shefi i policisë së Lexington Robert Kirklin sqaroi se të “arratisurit” kishin vjedhur cigare, çakmakë cigaresh, telefona dhe artikuj të thjeshtë, të cilat mendonin t’i shisnin në burg. Por ndryshe nga çfarë bëjnë shumica e të burgosurve që arratisen, ata në vend që të largoheshin përfundimisht nga aty, u rikthyen në burg menjëherë pasi vodhën dyqanin. Siç sqaron policia, katër të burgosurit kishin dalë vetëm për të vjedhur artikuj të ndryshëm në mënyrë që ti shisnin në burg.