Armiku që i ndihmoi Perëndimit

36

(Noel Malcolm: Useful enemies, Islam and the Ottoman Empire in Western Political Thought 1450-1750 (Armiqtë e dobishëm – Islami dhe Perandoria Otomane në mendimin politik të Perëndimit 1450-1750)

Dr. Daut DAUTI/Londër

Pas dy dekadave të hulumtimeve intensive, Noel Malcolm, njëri ndër mendjet më brilante që ka bota sot, ka nxjerrë në dritë kryeveprën e radhës. Hulumtimet e Malcolmit janë gjithmonë arkivore dhe ato të literaturës së vjetër, të rrallë, të rëndësishme e të harruar. Me këtë libër, Malcolm sërish ka mahnitur botën intelektuale dhe kjo është arsyeja që recensionet e botuara në shtypin elitar Perëndimor, janë superlative. Sikur në çdo vepër të tij, edhe në këtë, fuqia akademike, aftësia e shtjellimit të temës dhe gjuha e Malcolmit, janë thjeshtë mbresëlënëse. Edhe më mbresëlënës është fakti që flet për mënyrën unikate-shkëlqyese të organizimit të burimeve shumështresore dhe të prezentimit të fakteve të analizuara me një mprehtësi të rrallë.

Tema, siç shihet edhe nga titulli i librit, nuk ka qenë e panjohur deri sot. Ndarja Lindje – Perëndim, e ndërtuar në Perëndim mbi perceptime që kanë patur për qëllim ta ndërtojnë idenë anti-Lindje, nuk është e re. Kjo temë që trajton pasojat (negative) të këtij ndërtimi është trajtuar edhe më herët nga një varg studiuesish, përfshirë Maria Todorovën. Por. Malcolm, tashti me thellësinë dhe gjerësinë e kësaj vepre, të gjitha këto botime i bënë të duken sipërfaqësore.

Malcolm i hynë trajtimit të këtij problemi mu në zanafillë. Gjeneza është momenti kur Perandoria Romake, sidomos më vonë kur Kisha ndahet në dy pjesë: Lindje – Perëndim. Perëndimi e ka vështirë ta pranoj ndarjen. Problemi stërmadhohet kur Lindja, më vonë e njohur me emrin Bizant, krijon superioritet ndaj Perëndimit, sidomos në fushën e artit, filozofisë por edhe në atë ekonomike dhe ushtarake. Evropa e mesjetës apo ajo e pas rënies së Perandorisë Romake u shndërrua në principata të vogla dhe dominione inferiore në krahasim me Bizantin që paraqiste një territor të vetëm dhe të sunduar nga një qendër – Konstantinopoli.

Ndarja, siç bënë me dije Malcolm, u shtua dhe mori një nivel tjetër kritik kur Konstantinopoli ra nën sundimin otoman. Tashti për Perëndimin sundimtarët e rinj ishin njerëz tjerë dhe me tjetër religjion. Kundërshtimet e Perëndimit ndaj Bizantit ishin aq të mëdha dhe joracionale, madje në nivel të urrejtjes. Puna shkoi aq larg sa që kur Konstantinopoli ra nën otomanët, Perëndimi këtë ndodhi e shikoi si akt hyjnor me të cilin Zoti e kishte dënuar Bizantin dhe Kishën e Lindjes për shkak se ajo ishte ‘fajtore’ për ndarje dhe tashti i lante mëkatet. Ky ishte rezonimi i Perëndimit.

Këtu fillon shtjellimi i temës së librit. Dijetarët e Perëndimit filluan të interesohen për sunduesit e rinj, otomanët, dhe religjionin e tyre, Islamin. Njohja dhe shpjegimi ishte i nivelit foshnjor sa që disa mendonin se otomanët janë me origjinë nga Troja e lashtë të cilët po i hakmerreshin Bizantit të cilin e konsideronin si Greqi të kohës. Otomanët u konsideruan si pagan, heretik apo sekt i çuditshëm që dilte nga krishterimi. Shpjegimet fillestare të Perëndimit sot janë qesharake por atëherë kanë patur peshë.

Por, një gjë, qysh atëherë filloi të qartësohej. Otomanët dihej se kishin ndërtuar sistem shoqëror dhe ushtarak superior dhe ky fakt fascinues nuk mund të fshihej. Por, kjo epërsi krijoi frikë në Perëndimin e ndarë dhe të prapambetur. Prandaj, krijimi i mendimit dhe qëndrimit ndaj otomanëve ishte i bazuar në njohuri të mangëta dhe në frikë. Rënia e Konstantinopolit dhe faktorizimi i otomanëve ndikoi që Vatikani t’i shpeshtonte thirrjet për popullatën që ajo të rreshtohej nën flamurin e krishterë. Vatikani e konsideronte religjionin e krishterë si faktorin e vetëm unifikues të Perëndimit.

Me kalimin e kohës njohuria filloi të evoluonte pasi që territoret otomane vizitoheshin nga udhëpërshkrues dhe njerëz tjerë të ndryshëm, siç ishin diplomatët, robërit e luftës, etj. Por, informatat e tyre shfrytëzoheshin në mënyrë selektive nga Kisha dhe pushtetmbajtësit që kishin për qëllim të krijonin ide të avantazheve të rreme. Mendimi për otomanët dhe religjionin e tyre interpretohej edhe sipas zhvillimit të ngjarjeve. Martin Luteri në fillim, për shkak të armiqësisë me papatin, e shihte sulltanin dhe otomanët si të arsyeshëm në krahasim me Vatikanin e korruptuar. Por, kur otomanët filluan të lajmëroheshin afër tokave gjermane, ai e ndërroi qëndrimin. Në këto raste njohuria dhe qëndrimi ndaj otomanëve varej nga situata që mbretëronte në Perëndim. Lëvizjet protestante apo tjerat që ishin kundër Vatikanit, kishin qëndrim më të butë apo më të arsyeshëm ndaj otomanëve. Varej edhe nga proksimiteti (afria apo largësia gjeografike) me rrezikun e perceptuar. Ta zëmë, Franca dhe Anglia shpesh ishin aleatë të sulltanit. Kjo ishte për shkak se Franca planifikonte aleancë me sulltanin kundër Habsburgëve kurse anglezët kundër Spanjës.

Malcolm sjellë shembullin e Nikola Makiavelit, mendimtarit të parë që inicoi themelimin e një mendimi shkencor politik në Perëndim duke e analizuar çështjen otomane. Makiaveli, pasi që ishte për një shtet të ndarë nga Kisha, te shteti otoman gjente elemente pozitive. Në këtë drejtim flet rasti i sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, i cili me reformat e tij i kishte nënshtruar institucionet religjioze (islamike) duke e vënë shtetin sipër apo në piedestal. Fuqia që ushtronte Kisha mbi shtetin dhe shoqërinë në vendet që sot njihen me emrin Itali, nuk i pëlqente Makiavelit. Duke e dijtur fuqinë ushtarake dhe politike të sulltanit, Makiaveli nuk habitej nëse Italia do të binte në duar të otomanëve. Në lidhje me këtë, siç ka vënë në pah Malcolm, Makiaveli i kishte shkruar një mikut të tij se do të dëshironte që me këtë rast t’i shihte se si do ta merrnin vrapin priftërinjtë për të ikur nga ndjekja e otomanëve. Makiaveli ka qenë i çliruar nga barra iracionale e religjionit dhe këtë ai e sqaron në librin e tij ‘Istorie Firontine’. Këtu ai i përshkruan kryqëzatat duke i karakterizuar si lojë politike të papa Urbanit II, i cili me këto veprime që krijuan pasoja të padëshirueshme, kishte për qëllim që ta zgjeronte domenin e pushtetit dhe ndikimit të tij. Gjatë tërë veprave të tija, duke u bazuar në tezën e tij të arsyeshmërisë së ekzistimit të shtetit, Makiaveli e lartëson fuqinë otomane dhe aftësinë e sulltan Mehmetit II për shkak se ai kishte themeluar shtet të fuqishëm dhe stabil. Ai, njësoj flet edhe për sulltan Pajazitin. Sipas Makiavelit, otomanët, me anët të shtetit, po e bënin atë që dikur e kishin bërë romakët e që Perëndimi nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë .

Pas Makiavelit, Malcolm e anlizon edhe punën e Tomazo Kampanellës, i cili i hulumtonte mënyrat që do të çonin te nënshtrimi i otomanëve. Por, nëse arrihej nënshtrimi dhe aplikohej krishtenizimi i popullsisë myslimane, ai sugjeronte se sistemi i sundimit otoman duhet të ruhej dhe zbatohej edhe më tutje. Në realitet as Kampanella nuk ka mundur t’i ikë sistemit sundues superior otoman. Spjegimi i Kampanellës për otomanët dhe religjionin e tyre nuk u pranua lehtë në një mes ku për këto gjëra ishte folur dhe shkruar me një negativitet të theksuar. Kur Domisio Ponzio, i cili ishte mik i Kampanellës dhe që kishte mendim të njejtë për otomanët, iku në Stamboll dhe u konvertua në mysliman, u bë rrëmujë e madhe në Venedik dhe gjetiu. Ky ishte një rast kur edhe Kampanella u akuzua si i tillë (mysliman i fshehur) por që nuk ishte e vërtetë. Madje, Kampanella u akuzua se me veshjen e tij mundohej ta fuste në përdorim stilin e modës otomane. I tillë ishte opinioni publik deri në atë kohë dhe nuk duronte vlerësime reale apo ndikime nga jashtë pasi që ato binin në kundërshtim me atë që ishin krijuar kuturu për një kohë të gjatë.

Pastaj, pason një periudhë kur në literaturën e Perëndimit bëhet krahasimi i sundimit sulltanor me parimet që dalin nga ‘Republioka’ e Aristotelit. Sistemi politik otoman paraqitet si despotizëm ku ‘sulltani sundonte mbi popullatën e tij sikur të ishin bagëti’. Mendohej kështu përkundër faktit se në Perëndim në këtë kohë kishte mjaft shënime që dëshmonin se banori i Perandorisë Otomane jetonte më mirë dhe më sigurt se gjithkund tjetër. Duke e bartur temën në mënyrë kronologjike nëpër shekuj, Malcolm e sjell lexuesin përballë mendimeve të Thomas Hobbes-it. Hobbes, si gjigant në zhvillimin e teorisë filozofike dhe politike mbi shtetin, dhe si i tillë ishte i rëndësishëm. Ai e zhvlerësoi tërësisht arsyen e hyrjes së shtetit në luftë për shkaqe religjioze. Në këtë kohë (shek. XVII) nuk ka ka qenë i vogël volumi i litaraturës së Perëndimit që bënte thirrje për luftë fetare kundër otomanëve.

Libri vë në pah edhe faktin se Islami konsiderohej si religjion politik. Në këtë kuadër analizohen idetë e Volterit, Bodenit, Monteskjeut dhe një numri jo të vogël të dijetarëve të njohur e të panjohur. Pa marrë parasyshë që Volteri e përshkroi Islamin si religjion më të mirë se krishtenizmin dhe pa marrë parasyshë idetë tjera që sollën një frymë të arsyeshmërisë kritike, gjatë tërë kësaj kohe në masat e gjëra ka mbizotëruar ideja e cila në literaturën e botuar e përkrahte Kishën dhe shtetin që ruante pozitën anti otomane dhe anti islamike. Por, hasim edhe një dukuri tjetër. Fjala është për lindjen e islamofilisë dhe turkofilisë. Islamofilë nuk janë konsideruar vetëm ata që kanë shfaqur simpati për këtë religjion por edhe ata që janë munduar ta trajtojnë këtë temë pa paragjykime. Kjo ndodhi me rastin e përkthimeve të para të Kuranit dhe përshkrimit të jetës së profetit të këtij religjioni, Muhamedit. Turkofilët ishin ata që shfaqnin simpati për nivelin e organizimit të sundimit që kishte arritur shteti otoman dhe, siç marrim vesh në këtë libër, numri i tyre nuk ka qenë i vogël në mesin e dijetarëve të Perëndimit. Mundësia e praktikimit të lirë të krishtenizmit dhe jehudizmit brenda territorit të Perandorisë Otomane ka qenë arma e islamofilëve dhe turkofilëve kundër oponentëve të shumtë që kishin përballë.

Por, kundërshtimi i pakusht ndaj otomanëve dhe religjionit të tyre ka qenë dominues në kulturën e Perëndimit gjatë shekujve që përthekon ky libër. Kundërshtimi merrte formë agresive dhe armiqësore sidomos gjatë luftërave të cilat në këtë kohë kanë qenë mjaft të shpeshta. Në këto raste shtohej edhe volumi i litaraturës anti islamike dhe anti otomane. Malcolm bënë me dije se kjo literaturë përgatitej dhe botohej me kërkesë të Vatikanit apo sunduesve tjerë të Perëndimit. Autorët, të cilët shprehnin dëshirë që me këtë literaturë t’i shpallnin luftërat anti otomane si të ligjshme e të drejta, pra edhe të arsyeshme, kanë qenë të shumtë. Autorë të kësaj literature zakonisht nuk posedonin ndonjë njohuri për otomanët. Ata që kishin njohuri, treguan ‘aftësi’ të shtrembërimit të fakteve në mënyrë që ta përkrahnin luftën sipas porosisë.

Megjithatë, në shek. XVI u lajmëruan edhe autorë që shkruanin të lirë për këtë temë dhe me sy kritik e që nuk kishin qëllim t’i përkrahnin idetë apo planet luftënxitëse. Disa tjerë, përfshirë Paolo Giovion, shkruanë me simpati të madhe për fuqinë otomane dhe religjionin e tyre dhe këtë e bënë me qëllim që Perëndimi ta kishte të qartë realitetin dhe të ishte i gatshëm të përballohej me këtë fuqi. I tërë ky konglomerat i ideve paraqitet nga Malcolm si fakt që duhet ta kemi parasyshë se si Perëndimi ka ndërtuar idetë dhe paragjykimet për Lindjen por edhe pozitën për vehten. Në këtë përzierje të ideve reale e jo reale apo racionale e joracionale është ndërtuar filozofia dhe politika e hershme evropiane mbi shtetin e tyre dhe fqiun lindor. E tërë kjo është bërë për shkak të otomanëve dhe religjionit të tyre, i cili për këtë arsye apo fakt ka qenë armik i dobishëm. Me fjalë tjera otomanët dhe Islami e formësuan Perëndimin.

Në fund nuk ka asgjë më mirë se sa këtu të përsëriten fjalët të cilat Noel Malcolm i ka vënë në përfundim të këtij libri:

‘Për shumicën e mendimtarëve perëndimorë, Perandoria Otomane dhe Islami kanë luajtur një rol të rëndësishëm në botën e tyre mentale, në atë që jo vetëm ‘tjerët’ duhet të vihen në pozita subordinuese, e as të kërcënohen që konceptualisht të izolohen dhe neutralizohen por të paraqiten si përbërës për t’u përpunuar në teoritë e tyre. Mendimi politik Perëndimor, në këtë periudhë, ka qenë në Perëndim dhe për Perëndimin por asnjë herë ekskluzivisht për Perëndimin. Lindja nuk ka qenë vetëm shumë e rëndësishme për t’u injoruar; ka qenë shumë interesante – dhe mbi të gjitha, tejet e dobishme’. (koha.mk)

Comments are closed.