Urim HASIPI
Tetovë, 29 maj – Gjatë vitit të kaluar në rajonin e Pollogut janë regjistruar gjashtë incidente në ahengje familjare. Prej tyre, 5 kanë ndodhur në Gostivar dhe një në Tetovë. Kështu njoftojnë nga Policia e Tetovës, prej nga thonë se edhe pse viteve të fundit ka më pak incidente, megjithatë nuk mungojnë shkrepjet e armëve, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, të rralla janë dasmat në këto hapësira që kalojnë pa të shtëna. Njohës të këtyre rrethanave vlerësojnë se kjo shprehje e manifestimeve dhe ahengjeve përcillet edhe me pasoja, por edhe me trauma.
Sociologu Sunaj Rahimi, thotë se shkrepja me armë duhet që të eliminohet si dukuri, sepse bëhet fjalë për një shoqëri e cila jo shumë larg ka qenë e përfshirë në luftë. “Nuk ka diskutim, për të vlerësuar karakterin e këtyre ngjarjeve kur ka të shtëna nëpër manifestime të ndryshme private familjare, publike, ku individë të caktuar të popullatës tonë gjuajnë me armë zjarri duke treguar një formë të gëzimit, një formë të haresë, një formë të kënaqësisë së tyre, pasojat janë gjithmonë fatale. Ndonjëherë ato përfundojnë me fatalitet për jetë të njerëzve, ndonjëherë përfundojnë me plagosje, por tek e fundit përfundojnë edhe me trauma. Nëse nuk kemi viktima, plagosje, sigurisht se do të kemi trauma, sepse situata e krijuar aty për aty, kur për një moment dikush është në një gjendje shumë të mirë të disponimit, kur papritmas kërcasin krisma që dikujt që gjendet aty mund që t’i ngjallin disa kujtime jo shumë të mira, sepse mos të harrojmë ne jemi një shoqëri e pasluftës”, u shpreh Sunaj Raimi, sociolog. Në ndërkohë, ditë më parë është regjistruar edhe incidenti i parë në një dasmë, ku një grua ishte plagosur. Sociologu Raimi thotë për KOHA se edhe pse është etabluar një traditë ndër shqiptarët, megjithatë duhet që ngadalë kjo dukuri të çrrënjoset. “Konsideroj se sa i përket çështjes se a janë këto situata të etabluara në vet traditën tonë kombëtare apo jo, mendoj se ka diçka të etabluar në vet traditën tonë kombëtare, sepse popullata jonë dhe historia jonë kombëtare tregon se popullata shqiptare gjithmonë ka qenë popullatë mbrojtëse dhe asnjëherë nuk ka qenë popullatë sulmuese, asnjëherë nuk ka pasur tipare agresori dhe e dimë se në historinë tonë kombëtare armët e zjarrit gjithmonë janë mbajtur në shtëpitë e çdo familje. Ka edhe tradita të huazuara të shëmtuara, prandaj na mbetet gjeneratave të reja, gjeneratës sonë, të gjitha ato tipare negative që i shohim në kuadër të traditave tona kombëtare duhet dalë ngadalë ose t’i eliminojmë, ose nëse nuk mundemi t’i eliminojmë si të tilla, për njëherë ngadalë ta vetëdijesojmë popullatën tonë, sidomos gjeneratën e re që të mos i përdorin këto forma të gëzimit dhe ngazëllimit, sepse pasojat janë shumë fatale dhe ato, si të tilla, e prishin karakterin gazmor të atij manifestimi”, thotë sociologu Sunaj Rahimi.
Përndryshe, gjatë muajit korrik të vitit të kaluar u plagosën babë e bir në fshatin Pallçisht të Tetovës në një aheng familjarë. Nga policia apelojnë për më shumë kujdes gjatë ahengjeve familjare dhe të mos përdoren armë zjarri. “Duke pasur parasysh se në këtë periudhë kohore janë edhe dasmat tradicionale, dhe ceremoni të tjera familjare verore, Sektori për punë të brendshme gjithashtu apelon deri tek qytetarët, që të përmbahen nga përdorimi, gjegjësisht nga të shtënat me armë zjarri ose me mjete piroteknike. Për arsye se me këtë drejtpërdrejtë bëjnë prishjen e rendit dhe qetësisë publike, por edhe mund të shkaktojnë dukuri dhe ngjarje të padëshirueshme dhe negative me pasoja për sigurinë”, thonë nga Policia e Tetovës. SPB-ja e Tetovës njofton se e shtëna me armë është në kundërshtim me Ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, përderisa gjoba për këtë lloj të kundërvajtjes lëviz nga 200 deri në 500 euro në kundërvlerë të denarit, varësisht rrethanave dhe pasojave. E shtëna me armë mund të paraqesë edhe vepër penale “ shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”, për të cilën është paraparë edhe dënim më burg nga një deri në pesë vite. Policia, po ashtu, qytetarëve ju rekomandon që përdorimin e fishekzjarrëve në dasma paraprakisht t’i lajmërojnë në stacionet policore ose departamentet e policisë, në rajonet kur edhe organizohen, ndërsa organizatorët e tyre që janë ekskluzivisht firmat e specializuara, në kohë të ndërmarrin dhe të zbatojnë masat e që kërkohen në aspektin preventive.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara