Urim HASIPI
Tetovë, 5 mars – Policia e Tetovës ka filluar procedurë për marrjen e 20 armëve të cilët i posedojnë personat me leje, shkruan gazeta KOHA. Bëhet fjalë për një periudhë dyvjeçare, kur personat i kanë keqpërdorur lejet për armëmbajtje. Në ndërkohë, policia njofton se gjithsej në rrugë legale janë dhënë 10.656 armë me leje. Zakonisht në këtë drejtim keqpërdorimet e armëve me leje janë nëpër ahengje dhe mbajtja e tyre në vende publike që është në kundërshtim me ligjin. Profesori universitar i kriminalistikës, Qebir Avziu, thotë për KOHA se në shumicën e rasteve keqpërdorimet janë bërë nëpër ahengje familjare, por në disa raste përdoren edhe armë për të cilët qytetari nuk ka leje. “Keqpërdorimet janë në drejtim që armët me leje të mos përdoren në ahengje familje, nëpër vende publike dhe nëpër raste tjera. Po ashtu policia duhet të merret me rastet kur me këto armë janë kryer vepra penale, plagosje, vrasje dhe vepra penale për kanosje. Keqpërdorimet më shumë kanë të bëjnë edhe në rastet kur arma nuk është përdorur, por personi e ka mbajtur me vete ose nuk ka respektuar rregullën që në veturë pistoleta të jetë në vend tjetër, kurse karrikatori në vend tjetër”, thotë profesori Avziu.
Njohësit e këtyre rrethanave thonë se kjo është edhe bazë që një personi t`i merret leja e armës. “Mbajtja e armës me vete për ata persona që kanë leje është bazë për të humb lejen e armëmbajtjes ku parashihet vetëm kundërvajtje, por jo edhe padi penale. Në qoftë se me këtë armë kryhet vepër penale, atëherë gjithsesi se arma merret, personi përgjigjet për pasojat dhe jo për armëmbajtje”, sqaroi profesori Qebir Avziu.
Lejet e armëve jepen kryesisht për të mbrojtur pronën dhe pasurinë.”“Lejet e armëve më shumë jepen për të mbrojtur pronën, moralin e shtëpisë, për të mbrojtur veten, pasurinë e tij, por vetëm brenda pronës dhe për arsye të veçanta, kur qytetari disponon me shuma të mëdha të parave për shkak të pasurisë, persona që kanë nevojë ose persona që merren me sport, pra me gjueti”, deklaroi ai. Ndërkaq, sipas tij nuk është shumë e preferueshme që qytetarët të kenë armë, sepse ka institucione që e bëjnë sigurimin e tyre, kurse për dallim prej Evropës, në SHBA ligji është shumë më liberal. “Evropa, por edhe shteti ku jetojmë është më restriktiv sa i përket dhënies së lejes për armë dhe kjo arsyetohet me atë se ka institucione që kujdesen për sigurinë e qytetarëve. Në SHBA procedura është më e lehtë, sepse mjafton që qytetari të mos ketë ndonjë dosje për vepër penale dhe merr lejen pa ndonjë problem. Por, sipas mendimit tim, më e preferueshme është praktika në Evropë, sepse shumë armë në duart e qytetarëve nuk është mirë për vet ata dhe për sigurinë e tyre dhe ndikon në rritjen e kriminalitetit”, nënvizon profesori Avziu.
Përndryshe, viteve të kaluara në rajonin e Tetovës shpesh herë ka pasur incidente, sidomos në ahengje familjare, pikërisht të kryera me armë për të cilët personi ka pasur leje. Krahas kësaj, supozohet se numri i personave që mbajnë armë pa leje është më i madh, por policia ende nuk ka dhënë ndonjë shifër të përafërt. Ndërkohë që afati i lejes së armës në Maqedoni është 10 vjet, ndërsa për personat mbi 65 afati është 5 vjet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.