Këndon shumë vite, i angazhuar maksimalisht dhe nuk di të ndalet. Është ky këngëtari kosovar Armend Shabani, vokali i të cilit kërkohet gjithnjë e më shumë në mbrëmjet muzikore live jo vetëm në Prishtinë, por edhe më gjerë. Ai vjen në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon se si po zhvillohet karriera e tij muzikore
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ç’vend zë muzika në jetën tënde?
Muzika është rutinë që e kamë dëshiruar dhe që i madhi Zot më ka mëshiruar me të, nuk e di çfarë do isha po të mos këndoja.
KOHA: Zgjohesh me këngë në mëngjes?
Nuk zgjohem pasi jam bërë me familje me këngë çdo mëngjes por në shumë raste po.
KOHA: Hiti yt i preferuar?
Hiti i kësaj kohe ‘Bed of Roses’ nga Bon Jovi.
KOHA: Jemi në fillimet në muzikë, si kanë qenë për ty duke e ditur që ke kultivuar muzikën e pastër shqipe?
Realisht në fillim deri në vitin 2010 e kam kultivuar në maksimum muzikën shqipe por nuk e mohoj që kam degraduar edhe vet me ndonjë këngë për arsye financiare, më vjen keq…
KOHA: Gjithsesi, publiku është ai që jep gjykimin më të drejtë…Si ndikoni në jetën dhe perceptimi tek publiku?
E thatë edhe ju se publiku gjykon më së miri e fatmirësisht është vetëdijesuar së fundmi por ne ju ofrojmë këngë te mira po besoj dhe ata po na ndjekin deri me tani nuk kam arsye mos me i falënderuar për mbështetjen e tyre, Zoti i shpërbleftë.
KOHA: Mendon se ia “rrëmbeve” zemrat atyre me muzikë, a ke menduar për ndonjë profesion tjetër?
Unë besoj se jua kam rrëmbyer zemrat fansave dhe gjithmonë kur jam skeptik besoj se ata i kam mbrapa e realisht profesioni im është ‘Teknik medicinal’ i specializuar për Interno dhe emergjencë.
KOHA: Në shtëpi krahas ndjenjës komode, çfarë bën?
Shtëpi e ëmbla shtëpi ku i gjejë të dashurit e mi, aty plotësohem me gruan e 2 fëmijët, tani si zakonisht mundohem t’i ndihmoj gruas me detyrat e fëmijëve e nganjëherë këndojmë e shpesh herë përgatisim bukën së bashku.
KOHA: Pasi i vendosni kyçin derën, lini jashtë saj edhe çështjet e problematikave në punë apo i merrni me vete?
Vendosja e kyçit të derës nuk do të thotë që nganjëherë nuk ka pasoja edhe kur kthehem në shtëpi edhe kur jam në punë sepse secili kemi mospajtime edhe në punë edhe në familje dhe unë besoj se puna dhe familja janë gërshetim në kuptimin pozitiv.
KOHA: Kuzhina është një pasion tjetër i yti, të cilin jo të gjithë e njohin. Çfarë të tërheq më shumë në këndin e gatimit? Receta e preferuar?
Ehhh kuzhina për mua është “Dashuri“ sepse shpesh me gruan siç thashë më lartë përgatisim bashkë dhe na e rrit dashurinë e harmoninë e familjes, recetat e mia që s’mund t’i ndajë janë: Frutat e detit me disa kombinime si me pasta apo sallata dhe i ëmbli në Gjakovë e quajnë “Laknuri “ ose pite e misrit me spinaq bashkë me speca të konservuar dhe jogurt.
KOHA: Cili është vendi më i bukur në botë për ty?
Vendi me i bukur në botë për mua, Singapori.
KOHA: Hera e fundit kur ke qenë në pushime?
Hera e fundit në pushime ishim me familjen në muajin gusht të vitit të kaluar.
KOHA: Shumëkush, sidomos person publik, nuk e ka luksin e të qenit i “pagjykuar”! Vlen e njëjta gjë edhe për ty?
Realisht paragjykimet janë të ndalura si njëra nga dukurit më të shëmtuara por ne jemi të gabueshëm dhe e lusim Zotin mos ta teprojmë.
KOHA: Gjëja që doni më shumë në punën tuaj?
Korrekt në kohë i sinqertë anasjelltas dhe suksesi është i garantuar.
KOHA: I keni qejf fëmijët?
I kam në qejf fëmijët pafundësisht por besoj se nuk na pyet Zoti për madhësinë e familjes, prej Tij gjithçka e mirëseardhur.
KOHA: Doni një familje të madhe?
Unë jam baba qe disa vite, faleminderit Zotit e shoh veten shumë mirë si baba – falënderimi për Zotin Atij i qofshim falë.
KOHA: Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?
Leksione në kuptimin e mirë, kemi marrë nga prindërit vazhdimisht si fëmije e besa edhe të rritur, për atë babi im ka marr leksion nga unë, për shembull kur më ka lind fëmija i parë i kam thënë çka din ti çka është evladi, pak shaka (qesh). Këshillat e prindërve duhet t’i pranojmë pa kushte e unë e di tash pse!
KOHA: Gjëja e preferuar që dëshiron të bësh çdo të diel?
Vikendin e dëshiroj afër familjes edhe pse ne jemi shpesh të zënë nëpër dasma apo mbrëmje, por fortë kam qejf të shikoj futboll e sidomos të dielave. E kur fiton Liverpooli dal nga vetvetja prej gëzimit.
KOHA: Libri i fundit që ke lexuar?
Libri i fundit sinqerisht kam harruar kur e kam lexuar, tmerrësisht keq por jam i sinqertë, jam ndjekës i debateve dhe shikues i filmave.