Armend Arsllani zëvendës ministër i ri i Shëndetësisë

Shkup, 12 nëntorParlamenti në seancën e sotme të 120-të, me 62 vota “për” dhe 17 “kundër”, e zgjodhi Armend Arsllanin për zëvendës ministër të ri të Shëndetësisë, transmeton gazeta KOHA.

Arsllani, i cili vjen nga radhët e BDI-së, është urolog specialist në Fakultetin e Mjekësisë në USHKM-ë, i cili paraprakisht ka punuar si doktor i mjekësisë së përgjithshme në Spitalin e specializuar për nefrologji në Strugë. Ai në këtë pozitë vjen në vendin e Asim Musës, i cili dha dorëheqje nga ky funksion pas supozimeve për mitmarrje.

Në elaborimin e zgjedhjes së Arsllanit, kryeministri Zoran Zaev, tha se në vijim e sipër është avancimi i tij profesional si specialist i urologjisë dhe kirurgjisë urologjike. Ndërsa, nga viti 2018 është anëtar i Këshillit drejtues i spitalit të specializuar për urologji në Strugë.

Kryeministri Zaev, po ashtu theksoi se në karrierën e tij profesionale, Arsllani rregullisht i ka vizituar seminaret për specializim dhe ka marrë pjesë në qëndrime studimore në vend dhe jashtë, me çka e ka përvetësuar arsimin e tij. Ai theksoi se nga angazhimi i tij në mjekësi dallohet puna në përkthimin e Udhëzuesit të Asociacionit evropian të urologëve, me çka ka kontribuar në ngritjen teorike në këtë sferë.

Gjatë këtij debati, opozita e akuzoi pushtetin për politika të këqija në shëndetësi, si dhe për rritje parazgjedhore të pagave të specialistëve.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së, akuzuan se nuk duhet zëvendës ministër i ri i Shëndetësisë, por nevojitet ministër i ri i Shëndetësisë, për shkak se siç thanë, puna e Venko Filipçes, është skandaloze edhe në të gjitha anketat qytetarët janë të pakënaqur nga puna e tij.

Sipas tyre, përfaqësuesit më të lartë të shëndetësisë në vend, janë të zënë në skandale korrupsioni dhe dallimi mes tyre është nëse dikush është kapur apo do të kapet për mitmarrje.(koha.mk)