Koalicioni mes shumë partive në një bllok nuk jep shpresë për një qeverisje të mirë, është e pakuptimtë të pritet që këta të realizojnë programet e tyre kur program të vetëm e kanë fitoren ndaj BDI-së
Nga Valmir AZIRI
Duke u nisur nga ky parim, Aleanca për Shqiptarët, kërkon me ngulm që të përfshijë sa më shumë armiq në luftë politike kundër BDI-së, e vetëdijshme për pafuqinë e saj kundrejt BDI-së. Aleanca fton parti tjera që ti bashkohen në “kauzën” e tyre për ta mundur BDI-në, e dinë shumë mirë se vet në zgjedhje do të pësonin debakël ashtu siç pësuan në vitin 2016. Partia Besa dhe Alternativa të fragmentuar dhe të pa qartë në artikulimin e tyre, të vetmen shpresë të mbijetimit e shohin që t’u bashkangjiten njërit ose kampit tjetër. Të gjithë këta kanë një pikësynim, ta mundin BDI-në. Historia është një mësim për njerëzinë, një parti siç ishte PDSH-ja, që ishte mirë e organizuar në teren e me çdo kusht tentonte ta fitojë BDI-në, nuk e arriti qëllimin që të bind shqiptarët, madje, përkundrazi u shndërrua në parti e cila në sytë e shqiptarëve ishte jo serioze dhe nuk ofronte alternativa tjera qeverisëse. Tash, të njëjtin mentalitet veprues e shohim edhe nga Aleanca, kjo edhe pritet pasi është fragment i PDSH-së. Aleanca, ka marrë 80% të anëtarësisë së PDSH-së që nënkupton edhe metodologjinë e veprimit dhe mentalitetin veprues e kanë të njëjtë.
Ribrendimi i kësaj partie nuk po i jep rezultatet e pritura andej edhe vërehet frika në lidershipin e Aleancës për një debakël në zgjedhjet e radhës. Ngulmimi i krijimit të një blloku opozitar kundrejt BDI-së nuk është për të fuqizuar votën e shqiptarëve por për të zbutur humbjen e radhës të partiçkave, prandaj mendoj që fokusin kryesor shqiptarët duhet ta kenë në kërkim të programeve tek partitë, programe këto që do të ofrojnë zgjidhje të problemeve! Zgjedhjet e prillit sipas mendimit tim, do të jenë determinuese për dekadën e ardhshme në politikbërjen e shqiptarëve ne RMV.
Koalicioni mes shumë partive në një bllok nuk jep shpresë për një qeverisje të mirë, është e pakuptimtë të pritet që këta të realizojnë programet e tyre kur program të vetëm e kanë fitoren ndaj BDI-së. Përveç retorikës boshe nuk ofrojnë asgjë serioze. Cili është programi i tyre për sfidat e dekadës së ardhshme? Cilat janë zgjidhjet që ofrojnë për rininë, arsimin e lartë, shëndetësinë, kulturën dhe për avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në RMV? Asgjë, vetëm fjalë boshe me doza të larta patetizmi dhe mendojnë që duke keqpërdorur raste të ndryshme që janë shfrytëzuar në të gjitha ciklet zgjedhore (dhe pa dhënë rezultat pasi populli shumë mirë i di proceset që kanë ndodhur në RMV dhe e di kush e përse kanë ndodhur ato raste) kështu që duket shumë fëmijërore tentimi i serishëm i përdorimit të të njëjtave.
Ajnshtajni thotë të veprosh njëjtë dhe të presësh rezultat të ndryshëm është marrëzi, andaj opozita duhet të ndryshoj mentalitetin e saj në veprim dhe të ketë interes qytetarin që përfaqëson dhe jo interesat e veta të ngushta dhe bajraktarizmin!
(Autori është Sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës)