Shkup, 14 korrik – Donacion i pajisjeve mjekësore mbrojtëse nga Republika Popullore e Kinës me vlerë rreth 250.000 euro iu dorëzua sot Armatës të Republikës së Maqedonisë të Veriut.
Në pranim-dorëzimin në kazermën në Gjorçe Petrov morën pjesë sekretari i shtetit pranë Ministrisë së Mbrojtjes Dragan Nikoliq dhe ambasadori kinez Xhang Zuo, të cilët theksuan se ishte aktivitet praktik i bashkëpunimit në mes dy armatave dhe se kinezët mbështesin sinqerisht popullin maqedonas në luftën kundër virusit.
“Donacioni është nga Armata jonë Popullore dhe është simbol i mirë për të dëshmuar se miqtë e vërtetë shihen në fatkeqësi. Kina sinqerisht dëshiron të bashkëpunojë me RMV-në për të luftuar së bashku dhe për të mposhtur virusin më shpejt”, tha ambasadori Zuo, duke theksuar se ky donacion vijon në rend me më shumë donacione tashmë të realizuara nga qytete binjake, organizata humanitare dhe kompani nga Kina.
Duke shprehur mirënjohje Republikës Popullore të Kinës për këtë gjest humanitar, Nikoliq theksoi se donacioni është paraparë për Armatën e RMV-së, e cila është në vijën e parë të luftës kundër Kovid 19, dhe e cila tregoi gatishmëri në nivelin më të lartë në trajtimin e të gjitha sfidave të koronavirusit dhe në pjesën e krizës kur filloi dhe në pjesën e gjendjes së jashtëzakonshme në mbështetje të qytetarëve, por edhe të autoriteteve shëndetësore në drejtim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
“Vetëm përmes akteve të solidaritetit, përvojave të përbashkëta, mësimeve të nxjerra mund të jemi të gjithë së bashku dhe në rajon dhe ta mposhtim globalisht këtë pandemi. Në këtë kontekst, ne ndajmë përvojat, mësimet e mësuara, por edhe masat dhe aktivitetet që zbatohen në të gjithë botën, në mënyrë që të jemi të gatshëm për periudhën e ardhshme që me valën e dytë eventuale të menaxhojmë në mënyrë më efikase me koronavirusin dhe një orë më herët ta fitojmë këtë pandemi”, thotë Nikoliq.
Donacioni, i cili kësaj radhe mbërriti me tren ekspres nga Kina deri në Evropë, përbëhet nga 62.000 maska mbrojtëse, 4.200 syze mbrojtëse, 3.000 ballike, 6.000 veshje dhe komplete mbrojtëse, doreza, pompa infuzioni, termometra elektrikë dhe dy grupe helmetash termale.