Në Njësitin special ushtarak “Ujqit” nuk ka pasur asnjë pjesëtarë të komunitetit shqiptar, por në Strategjinë e re për reforma, parashihet që numri i shqiptarëve të jetë në përputhje me standardet e përfaqësimit adekuat
Destan JONUZI
Shkup, 9 tetor – Para dhjetë ditësh ka filluar reduktimi i Njësive Speciale të Armatës. Burime nga Armata e Maqedonisë për KOHA njoftojë se një pjesë e Njësitit “Renxherët” ka pranuar që të risistemohen në sektorë tjerë të Armatës. Reduktimi dhe riformatimi do të jetë për kuadrin logjistik dhe i njëjti do të behet nën ombrellën e Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së. Dy njësitë special “Ujqit” dhe “Renxherët” do të bashkohen në një batalion për zbulim, inteligjencë, mbikëqyrje dhe përcaktimin e qëllimeve (IRNOC). Nën drejtimin e Komandës Operative, me qendër në Kumanovë, do të jetë Regjimenti i Forcave Speciale, i cili, me Strategjinë e Ministrisë së Mbrojtjes, do të shndërrohet në një Batalion të Forcave Speciale që nuk do të jetë nën ombrellën e Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së. Sipas kësaj strategjie ata do të kryejnë detyra të veçanta në përputhje me doktrinën dhe praktikën e Forcave Speciale të NATO-s. Përveç komandës, Batalioni do të përbëhet nga dy skuadra të forcave speciale (të përbërjes së ekipit) dhe një togë logjistike.
Por, a do të arrijë që kjo reformë në Armatë, ta shndërrojë Njësitin Special “Ujqit” në njësit në të cilin do të ketë edhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar, për arsye se për gjithë këto vite ky njësit ushtarak ka qenë etnikisht i pastër me pjesëtarë vetëm të komunitetit maqedonas.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti në prononcim për KOHA, informon se në batalionin e “Renxherëve” ka pasur pjesëtarë edhe të komunitetit shqiptarë, oficerë, nënoficer dhe ushtarë, ndërsa në Njësitin Special ushtarak “Ujqit” nuk ka pasur asnjë pjesëtarë të komunitetit shqiptarë, për të cilën gjë ai e akuzon ish-presidentin, Gjorge Ivanov.
“Batalioni ‘Ujqit’ ka qenë i mbyllur për shqiptarët dhe komunitetet tjera. Ne kemi bërë përpjekje në këtë drejtim, besoj që shumë shpejt do t’i kalojmë edhe sfidat e fundit që kemi në këtë formë, sepse fundja politika e kësaj Qeverie është që të jemi të barabartë, të hapur për gjithë qytetarët dhe pa përjashtim të etnive. Kemi pasur disa pengesa në të kaluarën, sepse Komandat suprem i Forcave të Armatosura është Presidenti i shtetit, dhe gjithmonë – gjeneralët e kanë hedhur topin në drejtim të Presidentit. Ai nuk ka lejuar të futet asnjë shqiptarë në Njësitin special “Ujqit”. Unë besojë se këtë dilemë do ta tejkalojmë shumë shpejt. Nuk dua të spekuloj me datë, por jemi në bisedime, kemi ndërmarrë ca hapa konkretë në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështje njëherë e përgjithmonë dhe shpresojë se do ta tejkalojmë”, deklaroi për KOHA, Maksuti. Ai thekson se nuk flitet për reduktim të këtyre dy njësive, por për ristrukturim, pra regjimenti si regjiment nuk do të jetë si formacion i tillë, por do të jenë dy batalione që i kemi edhe aktualisht.
“Dy batalionet do të kalojnë në të ashtuquajturën Komandë të bashkuar, sepse i takon planit operativ, për dallim nga formacioni ekzistues që kemi pasur deri më tani. Nuk krijohet njësi e re, kemi vetëm ndryshim të Komandës, të cilën e kanë menaxhuar dy batalionet të cilët do të ekzistojnë në formën siç janë për momentin me ndryshime të vogla në strukturë, numër edhe në emërtim. Sipas standardeve të NATO-s, çdo pjesëtarë, sidomos pjesëtarët në inteligjencën ushtarake po edhe të njësisë special do të kalojnë në filtrin ‘Veting’ apo kontroll. Në këtë formë jo vetëm këta pjesëtarë por i gjithë personeli nga i parti deri te i fundit në Armatën e Maqedonisë, do ta kalojnë këtë filtër”, theksoi Maksuti.
Nga ana tjetër, kreu i Sindikatës së Mbrojtjes dhe Sigurisë, Risto Ajtov për mungesën e pjesëtarëve shqiptarë dhe të komuniteteve tjera në Njësitin special “Ujqit” i fajëson ushtarakët shqiptarë të cilët sipas tij, nuk kanë arritur ti tejkalojnë kontrollet e nevojshme për të qenë pjesë e këtij njësiti.
“Për aq sa dijë unë ka pasur shumë kandidatë të cilët nuk kanë qenë pjesëtarë të komunitetit maqedonas, midis të cilëve edhe shumë ushtarë dhe epror, një pjesë e tyre nuk kanë arritur që tërësisht ta kalojnë kontrollin dhe nuk janë përfshirë në njësitin “Ujqit”, ndërsa një pjesë janë tërhequr me vetë dëshirë, për arsye se nga aspekti psiko-fizik është e rëndë pjesëmarrja në këtë njësit. Për pasojë një pjesë e madhe e konkurrentëve janë kthyer përsëri në njësitin tjetër special “Renxherët” ku komandanti është shqiptar dhe askush nuk e bënë këtë pyetje”, thotë për KOHA, Ajtov.
Nga kabineti i Presidentit, Stevo Pendarovski, i cili është Komandat Suprem i Forcave të Armatosura, thonë se Presidenti tanimë e ka nënshkruar Strategjinë për reforma. Nga atje informojnë se Presidenti do ti mbështes të gjitha hapat drejt krijimit të kushteve më të mira për jetë dhe punë të ushtarëve, përgatitjen e tyre, qëllime që janë edhe me të rëndësishme para anëtarësimit në NATO. Përndryshe, sipas strategjive të emëruara “Drejt anëtarësimit në NATO” dhe “Forcat e Armatosura të Ardhme 2028”, reformat e planifikuara në ARM do të duhet të zbatohet brenda 9 viteve. Strategjia e fundit e Ministrisë së Mbrojtjes ishte përpiluar në vitin 2012. (koha.mk)