E ka nisur mbarë karrierën pasi deri më tani nuk njeh humbje, djaloshi nga fshati Pirok i Tetovës që jeton në Vjenë të Austrisë vjen në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon se ka mbyllur edhe vitin që shkoi me sukses pasi në fundvit pati ndeshjen e fundit kundër një boksieri ukrainas ku përmbylli ndeshjen me fitore. Arlind Sulejmani thotë se është i ri në këtë sport dhe se ka shumë për të dhënë…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: U bënë disa vite që merresh me këtë sport, na thuaj kush të motivon dhe cilat janë pritshmëritë?
Më motivon fakti që jam i shëndosh dhe kam shumë çka për të treguar, që deri më tani nuk më është dhënë rasti.
KOHA: E ke pasur problem fillimin, baticat zbaticat, përkrahja nga dikush?
Fillimi si çdo fillim, ka qenë shumë i rënd po sikur ta dija në atë kohë çfarë rruge i futem dhe sa përkushtim kërkon arritja deri këtu do pyeteshim se a do e kisha nis këtë rrugë dhe tani kur po shikoj mbrapa më duket e pabesueshme se çfarë kam kaluar. Ka pasur raste ku kam arrit shumë për kohë të shkurtër dhe pak për kohë të gjatë, po rregulla s’ka pas, obligimi im ka qenë dhe është të jem në përgatitje dhe i gatshëm për çdo ekipi kundërshtarë t’i shfaqen në përballje. Përkrahja është një nga faktorët më të rëndësishëm të suksesit në këtë drejtim, sa jam i përkrahur aq është dhe suksesi im, prandaj si nga fansat, sponsorët, mediat dhe shumë faktorë tjerë kanë një ndikim shumë të madh në karrierën time. Personat nga të cilët jam i mbështetur nga dita e parë dhe më sot janë prindërit dhe trajneri.
KOHA: Po ndonjë idhull që mendon se ndjek hapat e tij në botë a e ke?
Po çdo njeri, qoftë sportist, biznesmen apo artist dhe ka një sukses të arritur me punë dhe dije e adhuroj.
KOHA: Kush mendon sipas teje po ngjitet fuqishëm në sportin që ti kultivon?
Për mua është aktualisht Canelo Alvarez sportisti më i suksesshëm në boksin profesionist dhe është i ngjitur në maja.
KOHA: Cilat janë planet që ke planifikuar këtë vit?
Për 2019 e kam mbyllur me shumë sukses dhe në fundvit me fitore, për këtë vit janë vetëm plane e të shohim si do shkojnë…
KOHA: Po çfarë mendon të arrish në karrierë, cilat janë synimet?
Shumë e thjeshtë, atë titull që kam WBO Kampion Bote në moshat e reja, vetëm të ja shkurtoj moshat e reja dhe të mbetet WBO Kampion Bote. Dhe të arrijë një gym me 5.000 klient.
KOHA: Sa meçe ke pasur deri më tani, në sa ke dal fitues e sa humbës?
Deri më tani kam të shënuara 17 ndeshje pa disfatë dhe pa barazim.
KOHA: A mendon se humbja ndonjëherë të kthen prapa apo të bën më të fortë?
Varet nga rasti por në të shumtën e rasteve mendoj që të bën më të fortë.