Më në fund, edhe një lojtar i Kombëtares shqiptare bëhet me ekip të ri, sepse Arlind Ajeti ka firmosur sot për Grasshopper, duke u kthyer në futbollin zviceran. Qendërmbrojtësi i Shqipërisë luajti sezonin e shkuar te Crotone dhe nuk u paraqit keq, por në verë u kthye tek Torino, pasi ishte në huazim në Kalabri. Torino vendosi të mos e mbajë dhe në fund të gushtit u arrit marrëveshja për prishjen e kontratës, por pavarësisht interesimit nga disa klube në Itali, sidomos në Serinë B, Ajeti vendosi të priste.
Sot ka ardhur firma me klubin zviceran, një vit me opsion për dy vite rinovim. Mbrojtësi 24-vjeçar është rritur te Basel, ku u bë lojtar i rëndësishëm dhe tërhoqi vëmendjen e kombëtares shqiptare, por në Itali nuk i ka ecur, sepse vetëm te Frosinone shkëlqeu, në pak muaj në vitin 2016.
Grasshopper kishte një problem madhor ditët e fundit, sepse iu dëmtua rëndë mbrojtësi brazilian Nathan, ndaj u bë e detyrueshme gjetja e një zëvendësuesi dhe Ajeti ishte i lirë në treg dhe mund të firmoste në çdo moment. Në këtë mënyrë, pas Mavrajt sistemohet edhe Ajeti dhe shpresa është që të luajë rregullisht në Zvicër, për t’u kthyer në kombëtare. Në ekipin e ri Ajeti nuk do ndihet shumë i vetmuar, sepse gjen edhe Bujar Likën, mbrojtësin e kombëtares sonë, por janë edhe Gjelbrim Taipi, Shani Tarashaj e Nedim Bajrami, duke krijuar një komunitet shqipfolës.