Nga Albert Çaçi
Arktiku është zona e globit përreth Polit të Veriut në të cilën përfshihet edhe bankiza polare (pjesa e akullit që nuk shkrin). Ajo është pjesa e kundërt e Antarktidës. Ka një sipërfaqe prej rreth 14 milionë km katrorë dhe ka 6 shtete në brigjet e saj: Rusi, Kanada, Danimarkë,SHBA Norvegji dhe Islandë. Arktiku nuk është një kontinent pasi nuk ka një siperfaqe toke fikse, siç është në të kundërt Antarktida. Emri i Arktikut vjen nga greqishtja e vjetër- arktos që do të thotë arushë, që sipas shkencëtarëve lidhet me Polaris, Yllin Polar që i përket konstelacionit të Arushës së Vogël. Ka disa elemente që së fundi ka zgjuar shumë interes për gjitha shtetet përreth Arktikut dhe jo vetëm për ta, por edhe rreth tyre. Së pari, zbulimi i shumë burimeve të rëndësishme të pasurive natyrore, sidomos ato të gazit dhe naftës (sipas llogaritjeve, rreth 90 miliardë fuçi naftë, një potencial ky më i madh se e gjithë rezerva e Gadishullit Arabik). Së dyti, rritja e temperaturës deri në 4 gradë ka shkaktuar shkrirje të mëdha të akullit duke dhënë mundësinë që dy korridoret detare Northern Sea Route (rruga detare që nga ngushtica e Beringut del në Evropën perëndimore) dhe North West Passage (rruga detare e kalimit nga oqeani Atlantik në atë Paqësor midis ishujve të Kanadasë veriore). Pra në këtë moment, dëshira për të ndarë këto pasuri i ka çuar të gjithë në këmbë dhe rreziku i një konflikti deri ushtarak nuk mund të përjashtohet në këto raste. Le ta shikojmë problemin në tri aspekte, atë juridik, ekonomik dhe ushtarak.
ASPEKTI JURIDIK
Në aspektin juridik, kjo është e vetmja zonë e globit ku nuk ka një marrëveshje ndërkombëtare midis shteteve kufitare në kundërshtim me Antarktidën, ku ka një marrëveshje në kuadrin e OKB-së që e ka shpallur pronë ndërkombëtare dhe asnjë shtet nuk ka të drejta ekskluzive, Zona rreth Polit të Veriut dhe Oqeanit të Ngrirë të Veriut konsiderohen si ujëra ndërkombetare dhe këtu zbatohet konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS) pavarësisht se SHBA-ja nuk e ka nënshkruar. Duhet theksuar se shtetet kufitare nuk kanë rivendikacione midis njëri-tjetrit. Ata për momentin i referohen Konventës së Montego Bay, ku është sanksionuar si e drejtë 12 milje si ujëra territoriale dhe 200 milje detare si e drejtë e shfrytëzimit ekonomik. Dy janë këtu problemet që në të ardhmen mund të përbëjnë bazë për konflikt. Së pari, është e ashtuquajtura Kreshta Lomonosov, që është e lidhur me pjesën kontinentale ruse dhe zhytet në det deri në Polin e Veriut, bile edhe drejt bregut kanadez. Sipas parimeve të Konventës së Detit, nëse vërtetohet shkencërisht vazhdimësia e kreshtës, atëherë Rusisë i lind e drejta që ta shkrijë zonën e shfrytëzimin ekonomik nga 200 në 350 milje detare. Me gjithë kundërshtimin e Kanadasë është shumë e vështirë që OKB t’ia refuzojë Rusisë këtë të drejtë pasi i njohu kohët e fundit të drejtën për Detin Ochotsk në Lindjen e Largët me të njëjtin argumentim.
Së dyti, është kalimi i rrugës detare të verilindjes kanadeze, ku Kanadaja kërkon që t’i njihet e drejta si ujëra të brendshme kanadeze, por SHBA pretendon se këto duhet të quhen ujëra ndërkombëtare. Për momentin, vendet i kanë diskutuar problemet ne një organizëm që quhet Këshilli i Arktikut dhe deri tani ka qenë eficient.
ASPEKTI EKONOMIK
Sipas studimeve të përfunduara nga US Geological Survey, në gjithë rajonin e Arktikut gjenden 13% e rezervave botërore të pashfrytëzuara të naftës, 20% e gazit te lëngshëm dhe 30% e gazit natyral, ndërsa vlera e naftës bruto të eksportuar është llogaritur në 90 miliardë euro. Vetëm Rusia zbuloi në 2015 një vendburim nafte, ndoshta më të madhin në botë në Detin e Karas, me një potencial zhvillimi prej 87 miliardë fuçi nafte. Një tjetër aspekt më shumë rëndësi ekonomike janë rrugët detare. Aktualisht nuk mund të lundrohet më shumë se 6 muaj për shkak të dimrit të gjatë polar. Por në 30 vitet e fundit sipërfaqja e bankisëz polare është zvogëluar ndjeshëm. Vetëm në vitin 2015 satelitet e NASA-s regjistruan që sipërfaqja totale e akullit ishte 4,41 milionë km katrorë ose 1,81 milion km më pak se matjet e vitit 1981. Shifra që nga njëra anë janë të frikshme në kuadrin e ngrohjes globale, por që shkrirja e akujve ka bërë të mundur që lundrimi nëpër rrugët detare të Oqeanit të Ngrirë të zgjaten nga 6 në 9 muaj. Kështu që kalimi i një anijeje nga Shangai për në Roterdam nëpërmjet ngushticës së Beringut do të shkurtonte 2300 milje detare me një ulje kosto deri në 40%, por mbi të gjitha do të eliminonte kalimin në dy ngushticat më të rrezikshme të botës, atë të Malakës dhe Bab el Mandel, ku vendet që i posedojnë këto ngushtica kanë një pjesë të zezë të GDP-së së tyre nga pirateria detare. Biles shpenzimet për lundrim dhe sigurimin e anijeve po rriten ndjeshëm për shkak të nevojës së shoqërimit me flotë luftarake detare. Po kështu, për kalimin Nord Est të Kanadasë, ku një anije nga Roterdami për në Shangai që kalon nga ky kalim dhe ngushticës së Beringut shkurton rreth 4000 km sesa të kalojë nga kanali i Panamasë. Kontrolli i këtyre kalimeve ka një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm ekonomike, por edhe strategjike.
ASPEKTI USHTARAK
Si rregull, kur janë në mes interesa të mëdha ekonomike, armët nuk qëndrojnë shumë larg. Dy janë këtu fuqitë që si në çdo pjesë tjetër e globit bëjnë diferencën, Russia dhe SHBA-ja. Në paradën e 9 Majit të këtij viti në Moskë, ekspertët ushtarakë të huaj nuk u habitën nga parakalimi i raketave balestike te frikshme Yars, as nga tanket e fundit moderne T-14, por nga parakalimi për herë të parë të tri reparteve të bardha të Arktikut të pajisur me raketat supermoderne Pantsir. Putini ka kuptuar që Arktiku mund të jetë një Eldorado për Rusinë dhe mbrojtja e tij ushtarake nga kundërshtarët e ka cilësuar prioritet në doktrinën e re ushtarake të Rusisë. Por kështu ka nisur që prej 5 vjetësh një plan në fshehtësi për të militarizuar Arktikun rus, duke riaktivizuar 13 aerodrome ushtarake që i ka kapur në befasi perëndimorët. Ai ka nisur punën për rihapjen e 26 bazave sovjetike të Luftës së Ftohtë në Arktik, ku ka filluar edhe dislokimi i trupave të parë specialë për luftën në kushtet e Arktikut në 6 bazat permanente. Ne ishullin Novaja Zemlja ka bërë instalimin e sistemeve të radarëve të avancuar dhe dy baterive të para të sistemit më modern S-400 për të mbrojtur dy vendburimet gjigante të gazit të Yamal dhe atë të naftës në Detin e Karas. Rusia ka një avantazh të madh në Arktik pasi posedon 26 anije akullthyese nga të cilat 9 atomike që nuk i ka asnjë shtet tjetër dhe që shërbejnë për garantimin e lundrimit në kushtet e akullit. Nga ana tjetër, SHBA nuk mund të lejojë këtë lloj supermacie ruse, aq më tepër që trajektoret e raketave balestike interkontinentale ruse në rast sulmi kalojnë mbi polin e Veriut dhe s’mund t’i lejojnë atyre thellësi strategjike të siguruar; Përfundimi i Luftës së Ftohtë, ku nëndetëset atomike amerikane patrullonin gjithë Atlantikun e Veriut dhe Oqeanin Polar dhe dobësimi i Rusisë se Yeltcinit bëri që gjithë bazat e NATO-s, sidomos në Norvegji, Islandë dhe Groenlandë të mbylleshin. Por vendimi i Obamës për të mos lejuar eksplorimin e naftës në Alaskë e zvogëloi edhe më shumë interesin e SHBA-së për Arktikun. Fakti që ata zotërojnë vetëm një anije akullthyese dhe kantieret e prodhimit të tyre janë mbyllur, demonstron këtë. Por ardhja e Trump dhe vendimi për të rinisur shpimet për naftë në Alaskë dhe sidomos sfida që po i bën Putini në këtë rajon i kanë ndryshuar kartat përsëri. SHBA po dislokon me shpejtësi rreth 25000 trupa në Alaskë, do të rinisë prodhimin e akullthyeseve, po rihap bazën e NATO-s Thule në Groenlandë si dhe po riaktivizon bazën me të madhe të NATO-s për nëndetëse në Arktik në Olavsvern në veri të Norvegjisë. Po instalon sistemet antiraketë si ato që insaloi në Rumani në Groenlandë dhe ka ripozicionuar 90 satelitë që kontrollojnë territorin arktik rus nonstop. Gjithashtu, në Alaskë ka instaluar sisteme të sofistikuara dronesh Mous dhe ka rinisur patrullimin e nëndetëseve atomike pranë Arktikut. Në këtë zonë kanë filluar të duken edhe kinezët. Një grup anijesh luftarake kineze kaluan në fillim të vitit ngushticën e Beringut dhe u futën për herë të parë në historinë e tyre në Arktik. Kina 70% te eksporteve të saja i kryen në rrugë detare dhe në kushtet e reja. Northern Sea Route mund të jetë një alternativë me shumë leverdi ekonomike dhe mbi të gjitha e sigurt. Objektivi i Kinës është që brenda vitit 2020 të kalojë 15% të eksporteve të saj në këtë drejtim. Për këtë është shumë e interesuar që të investojë për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme në territorin rus, aq më tepër që të drejtën për garantimin e lundrimit të kësaj rruge detare OKB-ja ia ka njohur Rusisë. Pra duket se edhe në këtë zonë në njëfarë mënyre- në qetësi për momentin- po nis ethshëm një pozicionim të ri ushtarak. Qetësinë e arinjve polarë kanë filluar ta shqetësojnë zhurmat e avionëve luftarakë, ashtu si para 27 vjetëve. Romakët e vjetër thoshin se sa më mirë të përgatitet lufta nga të dyja palët, aq më e fortë do të jetë paqja. Lë të shpresojmë se do të jetë e vërtetë edhe për këtë pjesë të bardhë, të pastër, e të bukur të planetit.