Vjollca SADIKU
Dibër, 23 shkurt – Dibra si qytet i vjetër historik dhe kulturor ka një pasuri të madhe në sferën e arkitekturës së vjetër qytetare, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse gjatë fazave të ndryshme, një pjesë e mirë e objekteve me arkitekturë qytetare janë rrënuar, përsëri shtëpitë e vjetra qytetare, por edhe disa objekte të tjera vazhdojnë të prezantojnë arkitekturën e këtij qyteti. Për arkitekturën e vjetër dibrane mësohet edhe nëpër universitete. Një grup, gjegjësisht 80 studentë të Fakultetit të Arkitekturës pranë Universitetit shtetëror “Shën Kirli dhe Metodi” nga Shkupi, në suazat të punimeve studimore, që kanë për detyrë në një lokacion në Dibër të projektojnë një shtëpi muze me arkitekturë dibrane, vizituan Dibrën dhe përveç diturive që kanë pasur në aspektin teorik për arkitekturë, patën mundësi të vizitojnë së afërmi disa shtëpi me arkitekturë të vjetër qytetare dhe disa objekte fetare, të cilët kanë domethënie të madhe edhe në sferën e kulturës.
Në prezantimin të arkitekturës dibrane që u mbajt në Qendrën për kulturë, në organizim të pushtetit vendor, enkas për studentët nga Shkupi, kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata, theksoi se Dibra gjatë historisë ka pasur dhe vazhdon të ketë arkitekturën e saj. Monumentet kulturo- historike në territorin dhe krahinën e Dibrës kanë veçoritë e saja. Duke bërë prezantimin profesional të arkitekturës, arkitekti Argëtim Muça, i punësuar në Sektorin për urbanizëm pranë Komunës Dibër, para studentëve foli për karakteristikat e arkitekturës dibrane. Ai tha se Dibra veçohet në aspektin e ndërtimit në të gjitha fazat e historisë. Të gjitha monumentet dhe objektet kulturo historike të Dibrës janë një reprezent i fuqishëm i arkitekturës në përgjithësi. Studentët pastaj patën mundësi që të vizitojnë shtëpitë e njohura të familjeve Erebara dhe Sela dhe hamamin e vjetër. Në shtëpinë monumentale të familjes Sela, ata u njoftuan për karakteristikat e ballkoneve dhe odave dibrane. Po ashtu ata panë nga së afërmi edhe arkitekturën në fasadat të jashtme të shtëpive në fjalë, të cilët me të vërtet janë mahnitëse.
Gjatë kësaj vizite u shpreh edhe një herë pakënaqësia e humbjes së shumë objekteve kulturo- historike në qytetin e Dibrës dhe në rrethinën e saj. Veçmas, është për t’u theksuar rrënimi i disa xhamive të ndërtuara gjatë periudhës së Perandorisë osmane nga sistemi komunist, por edhe rrënimi i objekteve për banim – shtëpive të bukura me arkitekturë qytetare edhe në ditët e sotme. Të theksojmë se një ndër shtëpitë më të bukura të Dibrës, e cila karakterizohej me arkitekturën e saj, ajo e familje Disha, u rrënua vetëm para disa muajve. Edhe pse kjo shtëpi ishte në mbrojtjen të Entit për mbrojtjen të trashëgimive historike, sipas pronarëve të saj në asnjë moment nuk u ndanë mjete për sanim. Shtëpia e bukur e familjes Disha, e cila ishte edhe vend ku janë incizuar emisione të shumta televizive me shoqëri kulturore të ndryshme, ka qenë edhe një ndër shkollat e para ku dibranët kanë mësuar në gjuhën shqipe. Para dy viteve, të njëjtin fat e pati edhe shtëpia grandioze me arkitekturë dibrane e familjes Grazhdani. Duhet të theksojmë se Dibra ka pasur katër teqe të njohura, të cilët në vazhdimësi janë rrënuar pas Luftës së Dytë Botërore. Por, para katër viteve u rrënua edhe teqeja e fundit në qytetin e Dibrës e familjes Shehu. Kjo teqe, edhe pse ishte një objekt karakteristik, pësoi fatin e shumë objekteve të tjera. Edhe pse arkitektura e njohur qytetare dibrane vazhdon të mësohet nëpër universitete, është fakt se ajo nga dita në ditë zhduket dhe faktikisht zbehet thesari i njohur i arkitekturës dibrane.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.