Omer XHAFERI
Shkup, 5 maj – Me rrëfimin e ngjarjevetë prillit dhe majit që në vitin 2015 ndodhën në Kumanovë, i akuzuari Elham Arifi të premten e ka përmbyllur procedurën gjyqësor, ku pjesa dërmuese e 37 të akuzuarve për konfliktin në “Lagjen e Trimave”, gjatë pesë muajve të kaluar në detaje i sqaruan arsyet për ardhjen në Maqedoni, përfshi edhe itinerarin e hyrjes ilegale në këtë shtet. Në seancën gjyqësor për ngjarjet e Kumanovës, i akuzuari Arifi, banor i fshatit Brezë, me qëllim të tregimit të të vërtetës lidhur me akuzat që Prokuroria ia adreson, deklaroi se gjatë periudhës kohore prill-maj 2015, përveç që është marrë me provime në shkollën e mesme “8 Shtatori” në Shkup, ai nuk ka kryer asnjë aktivitet tjetër. Krahas këtij angazhimi, para trupit gjykues, i akuzuari Arifi tha se kohë pas kohe merret edhe me bujqësi. ”Me 18 edhe 19 prilli të vitit 2015 kam qenë në shkollë, për shkak se atëherë ishin paraparë afatet për dhënien e provimeve, përderisa me 21 dhe 22 prill kam shkuar në fshatin Brezë, ku edhe banoj. Nisja ime për në fshat ka qenë për shkak të vdekjes së mixhës së babit tim dhe për këto arsye prezenca ime ka qenë e nevojshme, me qëllim të pritjes dhe përcjelljes së mysafirëve që do të na vinin për ngushëllime. Mes datës 23 apo 24 prill, aq sa më kujtohet, për ngushëllime në shtëpinë tona ka ardhur edhe daja im, Sulejman Osmani (i akuzuar për ngjarjet Kumanovës), i cili pasi ka ndenjur një kohë ma ka kërkuar telefonin tim për të biseduar, ndërsa ku ka thirrë dhe me cilin person ka biseduar, këtë nuk e di. Sidoqofë me 26 prill, në mëngjes, jam zgjuar nga zhurma e helikopterëve të cilët fluturonin mbi fshat. Ndërkohë, pasi u kthjella, u vërtetova se i gjithë fshati është i rrethuar. Brenda kësaj kohe, pasi dola në oborr duke shikuar përreth, vërejt një prezencë të madhe të policisë në shtëpinë e Sulejman Osmanit, e cila gjendet në fshatin Malinë, jo shumë larg fshatit tonë, gjegjësisht shtëpitë tona janë përballë njëra tjetrës”, tha i akuzuari Arifit, në përshkrimin e këtyre zhvillimeve, për të cilët Prokuroria thotë se ai i kë dhënë mbështetje logjistike “Grupit të Kumanovës”.
Duke e vazhduar rrëfimin, i akuzuari Osmani theksoi se nuk ka asnjë far lidhje me sulmin në karakollin e Gushincës dhe aq me pak, me aktivitetet që i paraprinë konfliktit të përgjakur në “Lagjen e Trimave”. Seanca e radhës për këtë proces gjyqësor është caktuar të mbahet me datë 9 maj.
Pas përfundimit të të akuzuarve për atë se pse dhe si kanë ardhur në Kumanovë, duke ju referuar Ligjit për procedurë penale, ky proces gjyqësor do të vazhdojë me plotësimin e procedurës së dëshmisë. Në bazë të këtyre dispozitave, Prokuroria Publike ishte pala e parë e cila para trupit gjykues, në krye me gjykatësen Verka Petrovska, tha se ka përgatitur materiale të mjaftueshme të cilët do t’i kundërshtojnë deklaratat e të akuzuarve dhe avokatëve të tyre.
”Ne kemi përgatitur disa dëshmi materiale të cilat përbehen nga përkthimi i termeve latine, gjegjësisht përkthimi i raporteve mjekësore për lëndimet, të cilat i kanë marrë dëshmitarët e fshehur gjatë konfliktit të 9 dhe 10 majit në Kumanovë. Dhe, dëshmia tjetër përbëhet prej një CD me video materiale të xhiruara nga pjesëtarë e njësisë speciale, të cilët drejtpërdrejtë kanë marrë pjesë në aksionin e “Lagjes së Trimave”. Njëherit kjo CD përmban materiale nga fillimi i aksionit, ku mund të shihet pjesa e paralajmërimit nga policia para se ata të futen në brendësi të “Lagjes së Trimave”. Po ashtu, në këtë video materiale mund të shihen edhe rrethana tjera, për të cilët mendojmë se në masë të madhe do t’i demantojnë deklaratat e të akuzuarve”, tha prokurori i rastit, Naum Panovski, Mes tjerash, ai shtoi se ky video material është deklasikifuar dhe sipas palës mbrojtëse, kur të vjen koha e prezantimit të kësaj dëshmie publik, do të mund të jetë prezent. Megjithatë, pothuajse të gjithë avokatët e kanë kundërshtuar këtë dëshmi, duke thënë se bëhet fjalë për një material kryesisht të montuar që synon ndryshimin e kahes së këtij procesi gjyqësor.
Avokatët dorëzojnë listën e dëshmitarëve
Avokatët e 37 të akuzuarve për ngjarjet në “Lagjen ne Trimave” që ndodhën në maj të vitit 2015, gjatë ditës së premte deri te Trupi gjykues, kanë dorëzuar listën e dëshmitarëve shtesë të cilët, sipas palës mbrojtëse, kanë ndikim të madh në ngjarjet e majit të dy vite më parë. Ashtu siç edhe u paralajmërua, kjo listë e propozuar përbëhet nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pastaj këshilltari i tij, Artan Grubi. Të dy këta figura politike, gjatë procesi gjyqësor që po zhvillohet pothuajse për dy vite, kanë qenë personazhet më të përfolur në deklaratat e avokatëve dhe vetë të akuzuarve. Në vazhdimin, listën e gjatë prej mbi 40 dëshmitarëve e përbëjnë edhe ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, pasta ish ministria e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, gjegjësisht përfaqësuesit e OSBE-së, të cilët kanë biseduar me të akuzuarit si palë për ndërmjetësimin e dorëzimit. Mes tjerash, në këtë listë janë edhe kryetari aktual i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ish gjenerali i policisë speciale, Stojançe Angellov, i cili dy muaj para eskalimit të situatës në Kumanovë, publikisht deklaroi se nga ana e partisë në pushtet, një grupe kosovarësh, janë paguar për destabilizimin e vendit. Kështu ai përmendi një shumë të hollash prej 2 milionë eurosh.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara