Kandidatja për kryetare e komunës së Tetovës, Tuta Arifi sot mbajti konferencë për shtyp në të cilën foli për punët e kryera gjatë mandatit të saj si kryetare komune dhe premtimet për mandatin e ardhshëm. Para katër vitesh ju përkrahët vizionin për Tetovën si qytet me zhvillim të qëndrueshëm urban dhe rural, me infrastrukturë efikase rrugore, linja të rregullta të transportit publik, komunikacion të rregullt, ambient të pastër jetësor me parqe gjelbëruese që ruhen e mirëmbahen.
“Ne premtuam që Tetova do të jetë qendër e jetës së pasur kulturore, arsimore dhe sportive me bibliotekë qyteti, teatër, kinema, muze dhe hapësira të posaçme për rekreacion dhe argëtim, qytet i njohur për zhvillimin ekonomik, fuqinë intelektuale dhe financiare, e integruar në zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare me jetë cilësore për të gjithë qytetarët”, tha Arifi. Tetova meriton ndryshe, tha Arifi, duke shtuar se votuesit votuan për një vizion afatgjatë, sepse transformimi i Tetovës nga një qytet që ka funksionuar në kaos për dekada të tëra në qytet funksional bashkëkohor dhe paralelisht transformimi i institucionit komunë nga një strofull që i shërben interesave vetjake dhe grupore të udhëheqësve të saj në institucion që orienton politikat e saja në drejtim të zhvillimit shumë dimensional të qytetit, është i pamundur të ndodhë për katër vite.
“Ne filluam një rrugëtim të ri për Tetovën. Ne morëm përsipër të zgjedhim probleme të mëdha të grumbulluara me dekada të tëra, probleme këto që kanë shëmtuar fizionominë e qytetit dhe konceptin mendor për qytetin. Ne nuk pretendojmë se i kemi zgjidhur të gjitha problemet e Tetovës për katër vite por me plot bindje themi që kemi punuar me tërë kapacitetin njerëzor, intelektual dhe financiar në zgjedhjen e tyre”, tha Arifi. Para katër vitesh, shtoi Arifi, uji i pijshëm ishte një premtim parazgjedhor i yni, njëjtë sikur ka qenë premtim i të gjithë kandidatëve për kryetarë të Tetovës gjashtëmbëdhjetë vitet e kaluara.
“Gjatë këtyre viteve të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm që uji është e drejtë themelore njerëzore që duhet ta gëzojë çdo tetovar por ajo që na dalloi neve nga bashkëmendimtarët në këto vite është fakti që ne investuam tërë kapacitetin administrativ intelektual dhe financiar në përmbylljen e këtij problemi mesjetar. Ne punuam me përkushtim dhe nder! Për dy fazat e ndërtimit dhe vënies në funksion të sistemit të ujësjellësit nga pushteti qendror u ndanë 4.5 milion euro. Nga 11 km të ndërtuara brenda gjashtëmbëdhjetë vitesh prej kur është iniciuar ky projekt, për katër vite ne përfunduam 8.5 km të mbetura nga gypi i ujësjellësit, sanuam një pjesë të konsiderueshme nga gjatësia e gypit i cili ishte i dëmtuar dhe vjedhur, aplikuam me projekt për stacionin e pastrimit të ujit në Bankën Evropiane për Zhvillim, fituam grant prej 1. 6 milion euro dhe përfunduam projektin. Pavarësisht goditjeve të ulëta të oponentëve politik për ta minimizuar vlerën e punës për projektin e realizuar, e vërteta është që Tetova me dekada vuante nga mungesa e ujit ndërsa sot ka ujë në Tetovë!!”, tha Arifi.
Në mandatin e ardhshëm komuna e Tetovës do të intervenojë në rindërtimin, rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në territorin e saj, do të vendos mekanizma për menaxhimin efikas të ujit, kontrollin e harxhimit, evitimin e humbjeve të ujit në sistem dhe tarifën e ujit, do të zëvendësojë tubacionet e vjetra nga azbesti i çimentuar me material të polietilenit i cili do të sigurojë ujë cilësor për qytetarët e Tetovës dhe paralelisht me rrjetin e ujësjellësit do të ndërtojë rrjetin e ujësjellësit për ujërat teknik dhe teknologjik. Një qytet që zhvillohet në mënyrë të balancuar është një qytet i qëndrueshëm që ka baraspeshë mes dimensionit social, hapësinor dhe ekonomik prandaj në dy vitet e para të mandatit të ardhshëm prioritet do ti jepet përpunimit të PGJU për Tetovën I cili I ka kaluar dy fazat fillestare gjatë këtij mandate qeverisës.
“Derisa mandatin e kaluar jemi përballuar me sfidën e rehabilitimit të infrastrukturës së dërmuar rrugore dhe vendosjes së rendit minimal në komunikacionin kaotik të qytetit duke themeluar dhe funksionalizuar Ndërmarrjen për menaxhim me parkingje e cila menaxhon parkimin zonal dhe parkingjet e mbyllura në pronësi të komunës ndërsa mandatin e ardhshëm do të punojmë për shtimin e kapacitetit të parkingjeve të qytetit edhe atë duke zgjeruar parkimin zonal dhe duke realizuar tre projekte ,dy garazhe në kate në Bllokun urban 32 dhe parkingun nëntokësor në bllokun urban 99, 20 km asfalt janë shtruar në bulevardet dhe rrugët e rindërtuara në zonat urbane dhe rurale të qytetit ndërsa mandatin e ardhshëm kemi paraparë ndërtimin i qarkores që do të kalojë nga fshati Trebosh dhe do të lidhet në fshatin Neproshten e cila do të realizohet në funksion të uljes së numrit të automjeteve që kanë përdorur qytetin si rruge tranzitore. Gjithashtu, në bashkëpunim me komunat e rajonit të Pollogut do të realizohet projekti për ndërtimin e rrugës qe shpie ne deponinë rajonale Rusino, projekt qe kap vlerën investive prej 850.000 euro nga te cilat tani me 250.000 janë miratuar nga Ministria për Vetëqeverisje Lokale”, tha Arifi.
Ajo shtoi se përveç projektit për ndërtim të qarkores Trebosh-Neproshten, është punuar edhe në tre zgjidhje teknike infrastrukturore që do të çlirojnë qarkullimin e automjeteve në këto pika kyçe që rezultojnë të jenë pika kritike të qytetit.
“Njëra prej zgjidhjeve do të jetë hapja e bulevardit Blagoja Toska, ndërtimi i bulevardit V.S.Bato (rrugës industriale) që do të kalojë pranë kazermës së qytetit dhe do të vazhdojë për në fshatin Poroj dhe ndërtimi i bulevardit të Ilindenit nga Universiteti i EJL deri te punkti pagesor në dalje të qytetit në rrugën për në Gostivar. Njëkohësisht do të vazhdojmë të intervenojmë në rehabilitimin dhe rindërtimin e rrugëve primare dhe sekondare në tërë territorin e komunës së Tetovës”, tha Arifi.
Sistemi i gazifikimit në Komunën e Tetovës është një ndër prioritetet kryesore të parapara në Strategjinë për zhvillim ekonomik lokal të Komunës së Tetovës 2017-2021.
“Përpos përfitimeve të shumta nga ky projekt, ndër më të rëndësishmet e theksojmë uljen e shpenzimeve të energjisë elektrike të institucioneve publike, amvisërive dhe kapaciteteve industriale por në të njëjtën kohë duke ndikuar në uljen e ndotjes së ajrit”, theksoi Arifi.
Nga viti 2014 përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, komuna e Tetovës është përfituese e Projektit për rikonstruimin e sistemeve të kolektorëve dhe rrjetit të kanalizimit dhe ndërtimin e stacionit për trajtim të ujërave të zeza në Tetovë.
“Projekti përfshin zonën urbane dhe fshatrat Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël, Falish, Poroj dhe Xhepçisht. Ky projekt investues për trajtimin e ujërave te zeza në Tetovë, në vlerë prej 33 milion euro financohet nga mjetet e instrumentit para-aderues (IPA II) ndërsa zbatimi i tërësishëm i saj do të përfundojë për 10 vite”, tha Arifi.
Gjatë viteve të kaluara kemi punuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe infrastrukturës arsimore në të gjitha shkollat e Tetovës sepse arsimi ka qenë dhe do të jetë një nga prioritetet kyçe gjatë udhëheqjes time me komunën e Tetovës.
Siç tha Arifi, është i mjerë shfrytëzimi i incizimeve të vjetra të pamjes së banjove të shkollës tekstile për programe të paguara politike kur ata janë rinovuar tërësisht në vitin 2014 së bashku me të gjitha ndërhyrjet investive që janë bërë në shkollat fillore e të mesme dhe që janë të dukshme dhe të prekshme për nxënësit që mësojnë aty. Këto investime me përkrahjen e Ministrisë për arsim do të vazhdojnë në mandatin e ardhshëm ku nga projektet kapitale dua ta theksoj rikonstruimin e shkollës fillore Liria, projekt në zbatim e sipër, ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë për të cilën kemi përgatitur dokumentacionin teknik dhe kemi marrë lejen për ndërtim dhe rindërtimin, zgjerimin dhe rinovimin e shkollës së mesme të gjimnazit dhe sallave të sportit.
“Ne nuk mund të krijojmë parqe dhe zona gjelbrimi në zonën qendrore të qytetit tonë veç më të betonuar por me PGJU parashohim zhvillim policentrik të qytetit ku do të çlirohet presioni nga zona qendrore e qytetit ndërsa parqe dhe parkingje do të parashihen në të gjitha pjesët e qytetit. Po ashtu në realizim e sipër është projekti për rikonstrukcionin e rrugës së Banjës së qytetit ku nga gjatësia projektuar prej 2.3 km janë shtruar 1.5 km asfalt, janë ndërtuar trotuaret dhe rrjeti i ndriçimit ndërsa ky lokacion parashihet të transformohet në Qark rekreimi me shtigje natyrore, zonë për aktivitete sportive, zona peshkimi dhe pika të caktuara për restorante dhe kafene”, tha Arifi.
Me qëllim të gjetjes të zgjedhjes së qëndrueshme të menaxhimit të mbeturinave në nivel rajonal, sepse jashtë zgjedhjeve të ofruara filmike 3D për ndërtimin e impiantit të shndërrimit të mbeturinave të Tetovës në energji elektrike, problemi i menaxhimit të mbeturinave është rajonal ndërsa për të zgjedhur këtë problem të gjithë rajonit të Pollogut Qendra për zhvillimin e rajonit të Pollogut aplikoi me Projektin për përmirësimin e menaxhimit me mbeturinat në rajonin e Pollogut dhe fitoi donacion në vlerën prej 7,920,000.00 franga zvicerane nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike i Zvicrës.
“Qytetarë të nderuar, ne jemi në drejtimin e duhur për ta realizuar vizionin për një Tetovë ndryshe. Të kota janë shpifjet e ulëta për shitblerje pronash private ku komuna nuk ka mundësi të ndikojë e as të përfitojë, të dhënat nga Raportet e ministrisë së financave të cilat nga mosdija ose qëllimet dashakeqe keqinterpretohen se janë rezultat i menaxhimit të keq dhe goditje tjera të ulëta që kanë për synim vetëm pushtetin politik. Nëse ne kemi siguruar shumën e mjeteve për trajnimin e stafit të komunës, mësuesve dhe nxënësve në shkollat tona nga programe ndërkombëtare kjo përkthehet si shkathtësi jo keqmenaxhim. Përkundër gjitha sfidave dhe ligësive që sjell dëshira e verbër për pushtet, ne ju ofrojmë një vizion të qartë dhe të dëshmuar për katër vite, vizion ky që me përkrahjen tuaj premtojmë se do të vazhdojmë ta realizojmë me integritet, sinqeritet dhe përkushtim”, theksoi Arifi.