Shkup, 1 maj – Erkan Arifi, kryetar i komunës së Likovës, në një intervistë për Agjencinë e lajmeve Mia duke folur për planet që do të realizojë gjatë vitit vijues si prioritet ka përmendur rikonstruimin dhe sigurimin e nxjemjeve nëpër shkollat që gravitojnë në territorin e saj, transmeton KOHA.
“Si komunë kemi miratuar plan vjetor për investime. Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i dorëzuam projekte për objekte në nivel të komunës. Planifikojmë këtë vit nga buxheti i komunës së Likovës, rreth 350.000 euro të intervenojmë për rikonstruim, për instalimin e ngrohjes qendrore në shkolla ku nuk ka ngrohje qendrore dhe në asnjë shkollë fëmijët të mos ngrohen me drurë. Këtë e kam prioritet dhe këtë do ta realizoj në vitin 2018. Kemi projektuar dhe përpunuar projekte themelore për fusha të hapura sportive dhe për salla sportive shkollore në nivel të komunave. Kemi edhe dy projekte që janë përpunuar dhe financuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për shkollën fillore “Kultura” në fshatin Matejç dhe shkollën fillore “Andon Zako Çajupi” në fshatin Hotël. Në programin e tyre, në Ministri është paraparë për vitin 2018 së paku njëra nga dy shkollat të fillojë me ndërtimin. Kemi edhe bashkëpunim të mirë me Agjencinë për të Rinj dhe Sport dhe me ta do të realizojmë projekte të përbashkëta. Kërkesat e tyre në komunën e Likovës për dokumentacionin e plotë, miratimet për ndërtim i kemi parashtruar dhe mendoj se do të jemi si prioritet, si komunë rurale”, theksoi Arifi.