Arianit Ahmeti, i cili nga 1 janari I vitit 2017 e mban postin e zëvendësekratit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) e ka konfirmuar ekskluzivisht për Gazetën Express kandidimin e tij për kryetar të FFK-së.
Sipas Ahmetit, Zyra Ligjore e Ministrisë së Sportit sot e ka dhënë sqarimin e saj se FFK-ja duhet të mbajë Kuvend Zgjedhor sepse Kuvendi i vitit 2018, kur ishte zgjedhur Agim Ademi pasues i Fadil Vokrrit të ndjerë, kishte pasur shkelje.
“Zyra Ligjore e MKRS-së e tha fjalën e vet kështu që Kuvendi Zgjedhor i FFK-së duhet të mbahet. I takon sekretarit Eroll Salihu ta ftojë Kuvendin. Ai tashmë po bën shkelje sepse kësaj kryesie mandati i skadon më 15 janar, kurse Kuvendi Zgjedhor duhet të thirret dy muaj më herët”, deklaroi Ahmeti për Gazetën Express, përcjellë gazeta Koha.
“Unë nuk kam kërkuar nënshkrime. Cdo ditë kam shkuar i pari në punë, në FFK, dhe i fundit kam dal nga aty. Eshtë një grup i delegatëve, i klubeve, që e kërkon kandidimin tim. Ata më kanë thënë se i kanë tubuar 41 nënshkrime nga 59 delegatë sa ka FFK-ja. Nëse Eroll Salihu nuk e fton Kuvendin e ftojnë vet delegatët. Kështu që meqë e kam marrë këtë përkrahje nga klubet, nga delegatët, është normale të kandidojë”, u shpreh Ahmeti.
Por, në FFK thonë se mandati i Agim Ademit skadon në vitin 2022 dhe se mandati i tij njihet dhe përkrhet nga UEFA e FIFA.