E bukur, shtatlartë, serioze, elegante, e shkolluar, këto janë karakteristikat me të cilat mund të përshkruhet personaliteti i një vajze shqiptare të lindur e rritur në Gjermani. Imazh i shumë markave të njohura atje, por kjo nuk e bën aspak mendjelartë Arianën, e cila është rritur në një familje në frymë patriotike. Merret me modë që në moshë të re, ndërsa ka mbaruar studimet në ekonomik. Hobi e ka muzikën. Ariana Cena vjen në një intervistë ndryshe për veten duke rrëfyer gjëra për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Kush është Ariana Cena?
Një vajzë shqiptare me origjinë nga Peja, e cila ka lindur dhe jeton në Gjermani.
KOHA: Ndonëse kanë kaluar vite që merresh me modë, të rikthehemi pak në kohë, si vendose t’i futesh këtij biznesi?
Nuk ka qenë vendimi im por krejt rastësisht kam hyrë në këtë biznes, edhe pse si fëmijë e kam dashur shumë kamerën, nuk e kam menduar asnjëherë të jetoj nga kjo, një shoqe e familjes e cila punonte si modele më luti një ditë ta zëvendësoj me një shooting, pa e përgatitur dhe pa ditur çfarë më pret shkova, dhe aty filloj e gjitha, grimerja më mori numrin e telefonit dhe pas dy jave më thirri një fotograf i njohur dhe më pyeti nëse jam e interesuar për kampanjë për C&A, suksesi më i madh për një modele është që ndonjëherë të bësh një kampanjë, unë e kisha fatin të filloj këtë biznes direkt me kampanjë e kjo dmth shumë.
KOHA: Çdo të thoshte për një adoleshente atë kohë, e cila ëndërrimet e aspiratat saj, të lidhur si në rastin tënd me modën, fillon t’i konkretizojë?
Të ketë kujdes të punoj me njerëz profesionist, këtë gjithmonë e kam ndjekur.
KOHA: Po Gjermania, sa ofron sot në këtë drejtim?
Ofron shumë, sidomos në fushën komerciale, reklama dhe televizione.
KOHA: Ti ke ndjekur studimet në financa/biznes, si të duket ky gërshetim i gjërave me modën?
Po i kam përfunduar studimet për menaxhment, mendoj se ekonomia është baza për çdo biznes të suksesshëm.
KOHA: Po rezultatet në studime si ishin, si ndikonte moda në studime?
Rezultatet gjithmonë kanë qenë të mira dhe nuk kam lejuar të ndikonte puna në studime, edukimin e kisha prioritet, kështu që më shumë edukimi ka ndikuar në punë, shpesh ka ndodhur të refuzoj oferta të mira për shkak të mësimit.
KOHA: Për t’ua bërë të ditur edhe femrave të reja, cilat janë kriteret për të vlerësuar bukurinë e një modeleje?
Ka fusha të ndryshme për një modele kështu që nuk mund të konkretizohet saktësisht.
KOHA: Është i mjaftueshëm vetëm fakti që të të thonë miq apo të afërm: “Je e bukur si modele, ti duhet të bëhesh modele?”
Ndoshta mund të kenë të drejtë por mendimi i një agjencie nuk krahasohet me mendimin e dikujt që të do, kur e do dikë ai të duket i bukur pa marrë parasysh se si duket, kështu që shpesh nuk ka të bëj asgjë me një vlerësim profesional.
KOHA: Sa të mbështet familja në këtë pasion tëndin?
Mbështetjen e familjes e kam gjithmonë për secilën gjë sepse kanë besim tek unë.
KOHA: Interesa të tjerë përveç modës?
Interesa të tjera kam shumë, po si pasion i vërtetë mund të theksohet muzika, e cila ka më shumë vlerë për mua se sa moda, modën e shoh më shumë si punë.
KOHA: Cilat konsideron ikona bukurie si femërore, po ashtu edhe mashkullore?
Ikona e bukurisë femërore për mua është Angelina Jolie, meshkujt me dukje perfekte nuk më tërheqin aq, kështu që nuk e kam menduar këtë gjë asnjëherë.