Ajo që e bëjnë disa imagjinues “të mençur” është se nuk flasin vetëm për pengesat ndërkombëtare nga bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, por flasin për “të këqijat” që do t’u ndodhnin shqiptarëve, në veçanti atyre të Kosovës, nëse do të realizohej kjo ide!
Nga Rilind DAUTI
“Peshku në det, tigani në zjarr”. Njerëzit nga ngazëllimi që e kanë për një dëshirë nisin të imagjinojnë skena të lumtura pasi t’iu realizohet ajo dëshirë, edhe sikur ajo dëshirë të jetë shumë larg prej realizimit. Diçka e tillë mund t’u ndodhë shumë shqiptarëve për idenë, për momentin joreale, të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Por askujt s’do t’ia merrte mendja që do të ndodhë e kundërta: që në do të ketë njerëz që e quajnë veten shqiptarë, të cilët nuk do të flisnin se sa bukur do të ishte sikur Kosova t’i bashkohej Shqipërisë, por për “të këqijat” që do t’u ndodhkan shqiptarëve sikur të realizohej kjo ide!
Me dëshpërim mund të them se jemi dëshmitarë të paraqitjeve të shpeshta publike të disa prej këtyre “gjenive” të mendimit socio-politik, që kundër bashkimit Shqipëri-Kosovë flasin me plot afsh dhe vetëbesim! Javëve të fundit ata u bënë të zëshëm pas fitores bindëse në zgjedhje të Albin Kurtit. Nisën të thonë “Albin Kurti ka ambicie të bëhet kryeministër i Shqipërisë” (pra ta bashkojë Kosovën me Shqipërinë dhe të bëhet kryeministër i kësaj të fundit), ndërsa këtë ambicie të supozuar ia përmendin si diçka të keqe!
Në kundërshtimin e idealit të kamotshëm të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë japin shumë argumente. Kryesorja, dhe me të cilën pajtohem edhe unë, ka të bëjë me faktorin ndërkombëtar. S’ka asnjë dyshim që pa u marrë vesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (të tjerët janë të shpërfillshëm), shqiptarët nuk guxojnë ta ndërmarrin një hap të madh si shpallja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Përkrahja ndërkombëtare (në veçanti ajo amerikane) është më shumë se e domosdoshme. Dhe shqiptarët kanë përvojë shumë të keqe kur iu mungon mbështetja nga jashtë. Kur më 1991 shqiptarët e shpallën pavarësinë e Republikës së Kosovës, kjo nuk u njoh nga askush, ndërsa serbët ishin të lirë t’iu bëjnë shqiptarëve çfarë të donë. Por kur me përkrahjen ndërkombëtare më 2008 sërish u shpall pavarësia e Kosovës, ajo shpejt u njoh nga demokracitë e përparuara të botës. Prandaj, nuk ka asnjë dyshim që një hap i tillë si shpallja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë do të mund të bëhej vetëm me pajtim paraprak të aleatit tonë më të madh, përndryshe do të na kthehej bumerang me pasoja katastrofike.
Por ajo që e bëjnë disa imagjinues “të mençur” është se nuk flasin vetëm për pengesat ndërkombëtare nga bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, por flasin për “të këqijat” që do t’u ndodhnin shqiptarëve, në veçanti atyre të Kosovës, sikur të realizohej kjo ide!
E para ka të bëjë me argumentin që nëse bashkohen Kosova dhe Shqipëria, “njëra” prej këtyre shteteve do ta humb subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Wow, e zbulove Amerikën! Se ne tjerët kemi njerëzit paskan menduar që bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të çojë te krijimi i një shteti të ri i quajtur Federata e Kosovës dhe Shqipërisë! Por pas bashkimit hipotetik, cili shtet do të hiqte dorë nga subjektiviteti ndërkombëtar? Me siguri kjo do të ndodhë me Shqipërinë që njihet ndërkombëtarisht prej 1913-s ndërsa është anëtare e OKB-së prej v. 1955, kurse subjektivitetin e saj do ta ruajë Kosova që nuk po mund të anëtarësohet as në organizatën EBU që qëndron pas Eurovizionit e lëre më të anëtarësohet në OKB.
Një argument i turpshëm është argumenti i tyre se shqiptarët në të dy anët e kufirit nuk mund të integrohen mes vete, sepse ata të Shqipërisë nuk i duan shqiptarët e Kosovës. Ky argument përmban shumë palogjikshmëri, por dhe shumë mbrapshti përnjëherë, duke nisur nga mungesa e kujtesës. A aq shpejt e harruan mbështetjen e Shqipërisë viteve 1990 kur shqiptarët në Kosovë i kishin punët si mos mëkeq? Duke nisur nga kampet për stërvitjen e luftëtarëve nga Kosova (edhe të FARK-ut edhe të UÇK-së), vendosjen në Tiranë të ministrive të Republikës së Kosovës që u njoh vetëm nga Shqipëria, strehimin në Shqipëri të shumë fytyrave publike nga Kosova (përfshirë dhe ato që sot e kundërshtojnë bashkimin), mbështetjen nga Shqipëria për mbarëvajtjen e arsimit paralel në Kosovë, e deri te strehimi në Shqipëri i qindra mijë refugjatëve gjatë luftës së 1998-1999. Përveç mungesë kujtese, një argument i tillë është edhe mungesë mirënjohje ndaj shqiptarëve të Shqipërisë. Por këta skeptikë të dashurisë mes shqiptarëve, a janë të verbër që nuk i shohin disa zhvillime që sot janë bërë të zakonshme? A nuk i shohin martesat mes fytyrave të njohura në të dy anët e kufirit? A nuk e shohin pjesëmarrjen e këngëtarëve nga Kosova në festivalet e Tiranës dhe mbështetjen e fuqishme që e marrin nga publiku vendas? A nuk e shohin bashkëpunimin tashmë rutinor të shqiptarëve nga të dy anët e kufirit në të gjitha sferat kulturore: muzikë, film, seriale, teatër,…? Si është e mundur që nuk ia dinë vlerën Zyrës Operative të Kosovës në doganën e Portit të Durrësit? Si është e mundur që nuk ia dinë vlerën vakcinimit kundër Kovid-19 të mjekëve nga Kosova në Kukës?A do t’ia bënte Shqipëria gjithë këto të mira shqiptarëve të Kosovës sikur mos të ekzistonte ndjenjë kujdesi dhe dashurie nga ana e shqiptarëve të Shqipërisë?!
Një brengë që haset është edhe ajo se nëse Kosova i bashkohet Shqipërisë, “Kosova do të bëhet provincë e Shqipërisë”. Shiheni se ku iu ka shkuar mendja! Por mirë or zotëri, sipas teje edhe Dukagjini u deshka të shpallë pavarësi që të mos jetë provincë e Kosovës, ose të shkohet një hap më tej: me qëllim që mos të jenë provinca të Kosovës, le të shpallet pavarësia e çdo qyteti pos Prishtinës! Le të shpallet Republika e Gjilanit, Republika e Prizrenit, Republika e Gjakovës, dhe e çdo qyteti tjetër të Kosovës ashtu që t’i ikin statusit të provincës krahasuar me kryeqytetin që është Prishtina!
Për fund t’i kthehemi pak edhe historisë.
Para vitit 1913 për shqiptarët nuk ekzistonte “Kosova dhe Shqipëria”, parullë e sotme e patriotizmit shterp që e përsërisim si papagall. Për shqiptarët e asaj kohe (dhe shumicën dërrmuese të vëzhguesve të huaj) Kosova ishte Shqipëri! Ose thënë më mirë – territori i Kosovës së sotme ishte Shqipëri sepse toponimi “Kosovë” është toponim sllav që nuk kishte ndonjë peshë të madhe për shqiptarët siç kishin Epiri, Çamëria, Labëria, Myzeqeja, Malësia, madje dhe Dukagjini. Por kur më 29 korrik 1913 në Londër u njoh ndërkombëtarisht pavarësia e Shqipërisë, Koncerti i Evropës i caktoi kufij që lanë jashtë shumë vise të banuara me shqiptarë dhe ua dhanë shteteve që nuk ishin aq dashamirë ndaj tyre. Prej atëherë filluan përpjekjet e shqiptarëve për revidim të kësaj padrejtësie. Por asnjëra nga këto përpjekje nuk e parashihte krijimin e një shteti të Kosovës! Duke nisur nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës me në krye Kadri Prishtinën që luftoi për territorin e Kosovës nën sovranitetin e Shqipërisë e jo për një shtet të Kosovës. Më vonë, më 1941, rrethanat u bënë të tilla që shumica e territorit të Kosovës të bëhet pjesë e Mbretnisë Shqiptare, por shqiptarët e Kosovës u gëzuan për këtë e nuk u ankuan që i kanë bërë pjesë të Shqipërisë në vend se ta krijojnë një shtet kosovar. Kjo situatë zgjati shumë shkurt, sepse më 1944 territori i Kosovës prapë ra nën Serbi. Këtë padrejtësi luftoi ta ndryshojë Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) që luftoi që Kosova t’i rikthehet Shqipërisë e jo për Kosovë të pavarur. Në fund, kur pas një kohe të gjatë të persekutimit doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, betimi i ushtarëve të saj ishte për bashkim të trojeve shqiptare e jo për Kosovë jashtë Shqipërisë! Prandaj, kundërshtimi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është qëndrim antihistorik, antishqiptar, dhe që shkel mbi gjakun e gjithë atyre që e dhanë jetën për këtë ideal!