Bujar KURTAJ
Shkup, 20 prill – Argjend Beqiri të martën pasdite ka dhënë dorëheqja nga posti i trajnerit te skuadra e Ferizajt, anëtare e Superligës së Kosovës. Lajmin fillimisht e konfirmuan nga klubi kosovar në faqen e tyre zyrtare, ndërsa të njëjtën për gazetën KOHA e konfirmoi edhe vet Argjend Beqiri, tanimë ish-trajneri i KF Ferizaj.
“Është e vërtetë se kam dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të KF Ferizaj dhe të njëjtën ua kam dorëzuar drejtuesve të klubit të cilët të njëjtën e pranuan. Nuk isha i kënaqur me pritshmëritë që i kam pas kur u emërova trajner i këtij ekipi. Kam menduar se do të marrim më tepër pikë se sa i ka ekipi për momentin. Mirëpo, them që Ferizaj e ka 99 për qind të garantuar mbijetesën në Superligën e Kosovës”, thotë Beqiri. Në pyetjen se cilat kanë qenë pritshmëritë e tij, trajneri nga Gostivari u përgjigj: “Pritshmëritë kanë qenë që ti ikim balotazhit, edhe pse ka edhe shumë për tu luajtur deri në fund. Por, duhet të pranoj se maksimumi i ekipit është ky. Derisa, kur nuk e arrin atë që e ke synuar, vendosa të dorëhiqem ku edhe kryesia e pranoi këtë dhe jemi ndarë miqësisht, duke falënderuar për bashkëpunimin që e patëm sa isha trajner”, shtoi më tej Beqiri. Ai thotë se KF Ferizaj dhe qytetin do ta kujtojë vetëm për gjëra të mira. “Prej ditës së parë kur erdha këtu, të gjithë në klub më pranuan mirë, ndërsa kjo vlen edhe për tifozët dhe dashamirët e këtij klubi. Prandaj do ta kujtoj vetëm për të mirë punën time në këtë klub. Përsëris kemi pas rezultate të mirë kundër ekipeve që kanë buxhet më të madh se ne, prandaj jam i kënaqur që kam punuar me nder, por maksimumi i ekipit është ky. Uroj që KF Ferizaj të garon përsëri në Superligën e Kosovës”, nënvizoi më tej Beqiri.
Beqiri për momentin është i lirë, ndërsa e ardhmja e tij do të lidhet vetë me futbollin. “Gjithçka që është e lidhur me sportin, konkretisht futbollin, i përket të ardhmes time. Mirëpo, për këtë ka njerëz që e vlerësojnë punën e secilit, poashtu edhe punën që unë e kam bërë deri më tani”, përfundoi Argjend Beqiri.
Kujtojmë, Argjend Beqiri u emërua si trajner i KF Ferizaj në muajin janar, duke zëvendësuar në këtë post Arsim Abazin. Ndryshe, Argjend Beqiri aktualisht është edhe anëtar i Këshillit Drejtues NË Federatën Futbollistike të Maqedonisë.