Arena Kombëtare është edhe zyrtarisht kandidate për të organizuar finalen e Superkupës së Evropës. Impianti modern që po ndërtohet në Tiranë është mes 10 stadiumeve në garë për zhvillimin e ndeshjes së vitit 2019. Ashtu siç u konfirmua prej prezantimit të projektit nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, synimi është që përveç ndeshjeve të Kombëtares në “Arenën Kombëtare” të zhvillohet edhe një prej finaleve më të rëndësishme të kontinentit. Kërkesa për të luajtur finalen e Superkupës është depozituar nga Federata Shqiptare e Futbollit në selinë e UEFA-s. Në garën ku marrin pjesë dhjetë impiante nga 9 shtete të ndryshme evropiane, Shqipëria ka si rivalë stadiumin e Tuluzës në Francë, impiantin “Florian Albert” në Budapest të Hungarisë, stadiumin e Haifas në Izrael, “Astana Arena” në Kazakistan, impiantin WËinsdor Park” në Irlandën e Veriut. Të tjerë stadiume në garë janë “Hampden Park” në Skoci, “Besiktas Arena” në Turqi, ndërsa Polonia ka hedhur kandidaturat për “Gdansk Arena” dhe “Stadiumin Kombëtar” të Varshavës. Sipas procedurave, më datë 1 Mars të këtij viti do të zhvillohet seminari për prezantimin e kandidaturave, ndërsa më 6 Qershor UEFA do të vlerësojë dokumentacionin e paraqitur nga federatat që kanë shfaqur interes. Më pas, do të jetë Ekerkutivi i UEFA-s, që në Shtator do të japë vendimin përfundimtar rreth stadiumit që do të presë finalen e Superkupës së Evropës në vitin 2019.