Kërçovë, 12 tetor – Juristja e diplomuar Ardita Dani është kryetarja e re e degës së BDI-së në Kërçovë. Dani e cila ishte kandidatja e vetme e nominuar për kryetare në këtë degë, sot mori mbështetje unanime prej 110 anëtarëve të pranishëm në Kuvendin zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim që u mbajt në Qendrën për Kulturë “Koço Racin” në Kërçovë.
Dani pas përzgjedhjes tha se për të kjo zgjedhje sa është nder aq edhe përgjegjësi intelektuale, dhe se është krenare që BDI si parti u kushton rëndësi të veçantë vajzave dhe grave.
“Dëshiroj një mesazh të veçantë t’ua përcjell të rinjve për të cilët do të vazhdojmë të jemi mbështetje që ata të ardhmen ta ndërtojnë në vendlindjen e tyre”, tha midis tjerash kryetarja e sapozgjedhur e degës së BDI-së, Ardita Dani e cila njëherësh është edhe koordinatore e grupit të këshilltarëve të BDI-së në Kuvendin e Komunës së Kërçovës.
Në Kuvendin zgjedhor të BDI-së për Kërçovë të pranishëm ishin lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi si edhe kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
Ahmeti në fjalën e tij para të pranishmëve tha se për atë që BDI e ka bërë për këto 18 vite do të shkruaj historia.
“Në të ardhmen ne do të punojmë që t’i përgatisim gjeneratat e reja për në BE dhe NATO. Insistojmë dhe do ta realizojmë vetingun në të gjitha sferat e jetës shoqërore duke filluar nga gjyqësia por edhe në të gjitha institucionet shtetërore, pasi vetëm kështu do të luftojmë kundër korrupsionit dhe ekstremizmit dhe me funksionimin e shtetit ligjor ne do të jemi më pranë vlerave evropiane. Deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm do të bëhemi anëtarja e 30-të e NATO-s andaj ne jemi të gatshëm për t’u ballafaquar me të gjitha sfidat të cilat i ka rruga drejt BE-së”, tha midis tjerash Ahmeti sot në Kërçovë.
Dehari në fjalën e tij tha se siç kanë qenë të suksesshëm për 18 vjet si parti me forcat e reja do të jenë edhe më të suksesshëm gjatë periudhës së ardhshme.