Këndon nga viti 2013 dhe deri më sot ka realizuar 12 projekte muzikore të cilat kanë rezultuar të suksesshme. Këngëtari shqiptar Ardit Çuni këtë herë tek Kënga Magjike rikthehet me një duet baladë me Daniela Toçin, vajzën e cila si pjesëmarrëse tek “The Voice of Albania”, arriti sukses të jashtëzakonshëm, por që për shkak të gjendjes financiare nuk arriti të tregojë talentin në muzikë e që në skenë e rikthen pikërisht Arditi. Për këto emocione, këngëtari flet në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA
KOHA: Po rikthehesh në ‘Këngën Magjike’ me një duet të mrekullueshëm, na flit mbi idenë e realizimit të këngës?
Së pari ju falënderoj dhe më vjen mirë që ju ka pëlqyer. Balada është e zhanrit emocional e duke qenë se këtë histori e kam përjetuar vetë mendova të ftoj dhe Danielën për të përmbyllur siç duhet këtë produksion të krijuar nga Marsel Gunga, Samanta Karavella dhe Fifi. Danielën e kisha ndjekur tek “The Voice” dhe më vinte keq që një talent i tillë nuk do kishte mundur financiarisht të këndonte sërish në një audiencë të madhe, kjo më preku të jem shumë i sinqertë dhe vendosa të krijojmë “QAJ”.
KOHA: Sa je i kënaqur nga pritshmëritë e këtij projekti?
Jam jashtëzakonisht i mbushur nga çdo koment, video dhe mesazh që më vjen pasi edhe qëllimi i kësaj pjesëmarrje ka qenë shpërndarja e këtij mesazhi te sa më shumë njerëz, në fund të ditës të gjithë kemi nevojë për dashuri dhe ngrohtësi.
KOHA: Ke menduar për realizimin një videoklipi?
Mendoj se do i humbte emocioni performancës skenike por di të them që performanca në gjysëmfinale do jetë e magjishme.
KOHA: Ardit, ti ke pasur edhe një sukses jashtë kufijve shqiptarë, na thuaj ke ndërmend të bësh karrierë ndërkombëtare?
Dëshira është e madhe ashtu dhe puna, nëse do të më vijë një mundësi tjetër do e mirëpres me shumë dashuri, asnjëherë nuk i dihet…
KOHA: Sa ke përfituar nga muzika deri më sot?
Kam përfituar respekt nga njerëz që as si njoh por më respektojnë për atë që kam bërë ndërvite, e nëse flasim për përfitim monetarë përderisa vazhdoj do të thotë që ja ka vlejtur.
KOHA: Kush është Arditi jashtë skenës, një 24 orësh i zakonshëm nga mëngjesi sa hap sytë deri në mbrëmje kur mbyll sytë?
Dita nis në ora 7:30 me palestër deri në ora 9:30 ku më pas filloj dhe punën, pasi përpos këngëtarit, mbaj edhe postin e drejtorit në një firmë italiane, dita kalon në punë nga ku më pas në mbasdite frekuentoj studion ose ndonjë dalje restoranti me miqtë.
KOHA: Sa këngë e projekte numëron deri më sot?
Janë rreth 12 projekte muzikore që nga viti 2013.
KOHA: Si e sheh skenën muzikore shqiptare që nga fillimi i karrierës?
E shoh të çrregulluar që kur kam filluar e akoma më shumë sot pasi tregu është i vogël dhe mundësitë akoma më të vogla, më rëndësi kanë ndjekësit apo fansat që gjithmonë e më shumë bëhen të zjarrtë.