Delvina KËRLUKU
Ardian XHELADINI u lind në 15 shkurt të vitit 1987, në Kërçovë. Deri në moshën tre vjeçare do të jetojë në fshatin Zajaz të Kërçovës, prej ku në vitin 1990 shpërngulet familjarisht në qytet. Shkollimin fillor e filloi në vitin 1993 pranë shkollës fillore “Sande Shterjoski” Kërçovë. Në vitin 2001 vazhdon shkollimin e mesëm pranë shkollës së mesme komunale “Mirko Mileski” – Kërçovë, drejtimi matematikoro-natyror. Menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme, studimet i vazhdon në vitin 2005 pranë USHT, Fakulteti Ekonomik. Arrin me sukses të përfundojë studimet trevjeçare të sistemit bachelor në vitin 2008. Po atë vit regjistron studimet dyvjeçare master në po të njëjtin Universitet, drejtimi kontabilitet, financa dhe revizion. Menjëherë pas përfundimit të studimeve diplomike dhe gradimit me titullin ekonomist i diplomuar, në dhjetor të vitit 2008 do të vijë edhe punësimi i parë për Ardianin. Ai aso kohe punësohet si bashkëpunëtor i ri pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, më saktësisht në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Në tetor të vitit 2009 kalon në Ministrinë e Financave, ku do të vijojë punën si bashkëpunëtor i ri në Sektorin për financa ndërkombëtare dhe menaxhim me borxhin publik. Në mars të vitit 2011 ai do të angazhohet si shef i kabinetit të zëvendës ministrit të financave. Me propozim të Bashkimit Demokratik për Integrim, në 18 shkurt të vitit 2013, emërohet si zëvendësministër i Financave. Këtë funksion do ta ushtrojë deri më 4 prill të vitit 2016.
KOHA: Z. Xheladini, a ishte lehtë të jesh pjesë e ekzekutivit?
XHELADINI: Të qenurit pjesë e ekzekutivit, përveç se është përgjegjësi e madhe, paraqet edhe sfidë, peshë, por edhe privilegj dhe mundësi për të sjellë progres, posaçërisht nga këndvështrimi im, si njëri ndër më të rinjtë në atë mes. Duke u udhëhequr nga parimi për të dhënë maksimumin nga kapaciteti im intelektual dhe profesional, gjithmonë për mua prioritet ka pasur angazhimi im maksimal në shërbim të qytetarëve, në shërbim të kombit dhe vendit tim. Përvoja ime paraprake në sektorin e administratës shtetërore, njohuritë e mia lidhur me legjislacionin dhe procedurat në aspekt formalo-juridik, gjë të cilën pata mundësi ta përvetësoj për së afërmi, gjatë punës në ministri, njohjet me persona të ndryshëm që kisha krijuar brenda institucionit që duhej të bashkë-drejtoj, por edhe më gjerë, raportet me ta, ma bënë më të lehtë angazhimin tim dhe ushtrimin e funksionit. Mua vetë jeta ka dashur që gjatë viteve t’më sprovojë me shumë sfida, kështu që edhe këtë sfidë, sado të përgjegjshme dhe të vështirë po aq privilegjuese dhe inkurajuese për mua, ta kaloj me sukses.
KOHA: Si u ndjetë kur kuptuat se do të jeni zëvendësministër i Financave, duke pasur parasysh moshën tuaj relativisht të re?
XHELADINI: Siç përmenda më lart, në jetë kam pasur fatin që në moshë mjaft të re, falë kontributit të prindërve të mi, të jem i kalitur dhe i sprovuar me shumë sfida. Babai im, me rrogë arsimtari, kurse nëna e papunë, angazhoheshin dhe flijoheshin me qëllim që mua dhe dy motrave të mia, të cilat janë më të vogla se unë në moshë, të mos na mungojë asgjë lidhur me shkollimin, edukimin. Ata vazhdimisht insistonin, na edukonin me këmbëngulje që ne të jemi fëmijë të sjellshëm, të mbarë dhe të shkëlqyeshëm në mësime. Ashtu edhe ishim. Duke parë mundimin e prindërve, pashë të arsyeshme që në moshën 14 vjeçare të filloj të punoj me qëllim që së paku të arrij të mbuloj harxhimet e mia personale lidhur me jetën që bëja atëkohë si gjimnazist. Shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë miqtë, që më ndihmuan atëkohë, duke punuar si kameraman fillimisht në TV Uskana në Kërçovë, e më pas në studion e babait të shokut tim të ngushtë Përparimit, e në studio tjera me radhë për 10 vite. Kjo më ndihmonte tepër, sidomos gjatë kohës së studimeve, pasi që arrija të paguaj pothuajse të gjitha harxhimet për shkollimin dhe arsimimin tim. Menjëherë pas përfundimit të studimeve në vitin 2008, si njëri ndër shtatë studentët e parë të diplomuar në Fakultetin Ekonomik pranë USHT-së, të asaj gjenerate, u punësova pranë Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ku edhe pas një periudhe pothuajse tetë mujore u sistemova në Ministrinë e Financave, Sektori për menaxhim me borxhin publik dhe financa ndërkombëtare. Duke qenë shqiptari i vetëm asokohe në atë sektor, jam ballafaquar me sfida nga më të ndryshmet, por këmbëngulja, interesi, profesionalizmi, përkushtimi im lidhur me punën, dhanë rezultat. Arrita që për një periudhë të shkurtër të adaptohem dhe të jem person i respektuar dhe i vlerësuar për punën që bëja në mesin e të punësuarve të sektorit ku punoja, por edhe në mesin e të gjithë të punësuarve në Ministrinë e Financave. Angazhimin dhe profesionalizmin tim, falë kontributit dhe mbështetjes së familjes dhe shoqërisë, arritën ta vërejnë edhe strukturat më të larta udhëheqëse të institucionit ku punoja, ndër ta edhe Zëvendës ministri i atëhershëm i Financave, z. Nedim Ramizi, i cili në vitin 2011 do t’më angazhojë në kabinetin e tij si shef kabineti. Nga ai pozicion kam pasur mundësi që të jap kontributin tim të drejtpërdrejtë në realizimin e detyrave të rëndësishme brendapërbrenda ministrisë, por edhe më gjerë. Vazhdimisht kam qenë i angazhuar në përgatitjen e programeve financiare dhe ekonomike partiake parazgjedhore të BDI-së, prej ku mendoj se ra në pah aftësia dhe profesionalizmi im. Më 18 shkurt të vitit 2013, unë emërohem në postin e Zëvendës ministrit të financave, pas disa ndryshimeve që ndodhën aso kohe në pjesën e ekzekutivit. Përafërsisht rreth një muaj përpara se të emërohem në atë pozicion, kisha realizuar disa takime me njerëz mjaft me peshë dhe të rëndësishëm në BDI, thjeshtë për t’u njohur më për së afërmi. Disa ditë përpara se të ndodhnin ndryshimet, të cilat tani më vetëm se ishin paralajmëruar, më paraqitet një miku im shumë i mirë, si sot më kujtohet të më thoshte: Ardian, i ke shtrënguar lidhëzat mirë, përgatitu. Në këtë formë më bëri të kuptoj pak a shumë se çfarë më priste. Më 15 shkurt 2013, pikërisht në ditën e ditëlindjes sime të njëzetegjashtë, në kohën pas orarit të punës, tek ishim mbledhur me disa miq dhe familjarë të mi për të festuar, marr telefonatë nga Sekretari gjeneral i BDI-së, z. Abdylaqim Ademi, për t’më treguar se emri im ka kaluar në kryesi të partisë dhe se unë do të jem zëvendës ministër i financave. Kjo në fakt ishte në një farë forme edhe dhurata më e mirë për mua atë ditë. Mendova me vete, përkushtimi dhe puna definitivisht shpërblehet.
KOHA: Çka do të thotë të punosh në lëmin e financave?
XHELADINI: Sektori i financave paraqet njërën nga shtyllat më të rëndësishme të aparatit shtetëror por, edhe të zhvillimit të përgjithshëm të një vendi. Në angazhimin tim profesional, gjatë ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive të deritanishme, gjithmonë jam udhëhequr nga parimi për arritje dhe realizim më të lartë të obligimeve dhe detyrave të mia, me përgjegjshmëri të lartë duke respektuar konturat kohore, ligjore dhe kushtetuese. Në këtë drejtim jam përpjekur që në vendin tonë të rritet aktiviteti ekonomik përmes politikave ekonomike pro-biznesit. Përcaktimi im gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë mbajtja e stabilitetit makroekonomik dhe rritja e konkurrencës së ekonomisë vendore përmes një politike aktive fiskale, e cila parashikon tatime të ulëta, rritje të shpenzimeve kapitale dhe avancim të mjedisit afarist përmes realizimit urgjent të reformave strukturore. Fati deshi që gjatë ushtrimit të detyrës sime të deritanishme, vendi ynë të ballafaqohet me sfida ekonomike dhe financiare nga më të ndryshmet. Ne ishim të detyruar të veprojmë në kushte të krizës së përgjithshme ekonomike botërore dhe asaj të borxheve në Evropë. Duke u nisur nga kjo, unë si pjesë e ekipit ekonomik të BDI-së, por edhe si pjesë aktive e ekzekutivit duhej që gjatë gjithë kohës syçelë të ndjekim lëvizjet në ekonominë botërore dhe të përshtatim ato me aktivitetet, të cilat duhej të ndërmarrim me qëllim që të kemi rezultate të mira për ekonominë vendore dhe mos të zhytemi thellë në kthetrat e krizës, e cila tani më me vete kishte marrë vende me ekonomi shumë më të zhvilluara se ajo e Maqedonisë si Greqia, Italia, Spanja, etj. Prandaj, angazhimi im personal por edhe i BDI-së si pjesë e Qeverisë ishte në funksion të mbështetjes së zhvillimit të subjekteve ekonomike, nxitjen e aktivitetit investues dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe infrastrukturës ekonomike të vendit.
KOHA: Si ishte Kërçova e fëmijërisë suaj. A ju kujtohet dita e parë në shkollë, mësuesi i parë?
XHELADINI: Ehhhh… fëmijëria. Besoj se është periudha të cilën çdokush me nostalgji e kujton. Shpesh herë kur kaloj rrugëve të Kërçovës sime, pothuajse në çdo cep të tyre, më kujtohet ndonjë ndodhi nga fëmijëria. Assesi s’mund të harroja ditën e parë në shkollë. Muaj të tërë përpara saj, kisha blerë abetaren, fletoret, lapsat me ngjyra dhe çantën. Falë angazhimit dhe dëshirës së madhe të prindërve, mamit tim posaçërisht, tani më kisha shkarravitur edhe vizat e para në fletore. Mezi pres të ngritëm nga shtrati.., gjumi më kishte dalë që moti nga emocionet dhe padurimi. Pastroj fytyrën me të shpejtë dhe ulem të ha mëngjesin, të cilin mami si çdo ditë e përgatiste me mjaft dëshirë, por atë ditë më dukej i shijshëm posaçërisht, sepse e hëngra shumë shpejt. Ora shënon 10 e mëngjesit, nisemi për në shkollë së bashku me babain me biçikletën e tij, së cilës edhe sot e kësaj dite nuk i ndahet. Arritëm në oborrin e shkollës, ku në mesin e emocioneve në mesin e shumë fëmijëve, disa nga të cilët do t’i kisha më pas edhe shokë të klasës për 12 vite rresht, do të takoja për herë të parë mësuesen, Hatiben. Babi më thotë: Ardi, kjo është mësuesja Hatibe, këtë do ta kesh mësuese. Më pickoi faqen një grua elegante, me flokë kaçurrela, personi nga i cili mësova ABC-në, mbledhjen dhe zbritjen, shumëzim dhe pjesëtim, etj.., për katër vite me radhë, ajo do të ishte nëna ime e dytë. Edhe sot e kësaj dite i jam falënderues për edukatën që përcolli tek unë, për formën që kaliti në mua. Është njëri ndër personat më meritor për këtë ku jam sot. Me përpikëri respektoja këshillat e saj. Sapo të kthehesha në shtëpi, princip e kisha që së pari akoma pa hequr rrobat e shkollës, të bëj detyrat e shtëpisë që më pas të dilja lirshëm të luaj ‘pula msheftas’, ‘rukovis’, loja me top, të ngas biçikletën, së bashku me shokët dhe shoqet e lagjes sime Amirin, Atmirin, Gjentin, Bardhin, Nukin, Mulin, Tonin…, luanim edhe ‘kliskën’ kur shkoja te dajët në Zajaz.. Kujtoj me nostalgji edhe shokët e klasës, me shumicën e të cilëve ishim bashkë për 12 vite rresht, ishim si motër e vëlla. Shpesh mblidheshim, ndër lojëra, bënim bashkërisht detyrat, ndonjëherë edhe ziheshim, por shpejt pajtoheshim..,si fëmijë. Do të veçoja rastin me shokun e klasës Muratin (i cili nuk është më në mesin tonë), babai i të cilit na merrte së bashku me shokët tjerë të klasës dhe na dërgonte në Krushinë për të luajtur dhe pasi të loznim na kthente çdonjërin nëpër shtëpitë tona. Megjithatë rëniet dhe ngritjet janë për kalitje në jetë. Kështu ngjashëm kaluan 8 vite të shkollës fillore të cilën e kam ndjekur në SHF “Sande Shterjoski” të Kërçovës.
KOHA: Pas fillores, cili ishte rrugëtimi i shkollimit tuaj?
XHELADINI: Pas mbarimit të shkollimit fillor në vitin 2000, vijova shkollimin e mesëm në shkollën e mesme “Mirko Mileski” në Kërçovë, drejtimi matematikoro-natyror. Në klasë ishim pothuajse të njëjtit shokë dhe shoqe nga fillorja, me disa ndryshime të vogla, për shkak se vendosëm që mos të ndahemi dhe sëbashku të vazhdojmë të përballojmë sfidat dhe mësimet që do t’na sillte shkollimi i mesëm. Respekt për të gjithë profesorët e gjimnazit, të cilët na ligjëronin, posaçërisht për kujdestaren e klasës Mujaseren. Me urtësinë e saj, me mjaft mjeshtëri arrinte të na këshillojë dhe të na përgatisë për sfidat që na presin. Gjatë mësimeve për katër vite, më tepër e shihja veten në lëndët sociale, më pëlqente gjuha dhe letërsia. Edhe pse edhe më herët e kisha shfaqur gjatë ditëve të shkollës fillore, arrita të zbuloj talentin dhe afinitetin për aktrim. Arti më tërhiqte tepër, kjo me siguri trashëguese nga babai. Për çdo ditë në shtëpi isha mësuar të shoh babain tek sa lexon, shkruan, përgatitet për të udhëhequr dhe avancuar artin dhe kulturën Kërçovare. Veprimtaria e tij spikat me vënien në pah të figurave të ndritura të kombit, të së kaluarës sonë të lashtë, kontribut ky, i cili njihet ndër vite të tëra këtu në Kërçovë por edhe më gjerë, por që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Kjo ishte ajo që më shtynte edhe më tepër që edhe unë të shkruaj, të recitoj, të aktroj..”Nusja nga Amerika” ishte drama në të cilën do të luaj në vitin e katërt në gjimnaz. Falënderoj Fadil Nezirin, aktorin, i cili tani jeton në Amerikën e largët, kurse aso kohe i palodhur na mësonte hapat e para të aktrimit. Duke analizuar artin dhe perspektivën e artit këtu në Maqedoni, edhe pse gjithmonë mundohesha të gjej ndërlidhjen dhe të vazhdoj atë rrugë, nga ana tjetër duke qenë edhe drejtimi matematikoro-natyror, lëndët matematikore, por edhe dëshira për të pasur një të ardhme më të mirë më shtonin dëshirën për t’iu rrekur ekonomisë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ndër artin, arkitekturën, juridikun, ekonominë, zgjodha këtë të fundit. Në vitin 2005 u regjistrova në Fakultetin Ekonomik pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, gjenerata e parë e studentëve, e cila ndiqte studimet me sistemin e ri të Bolonjës, studime trevjeçare.
KOHA: Edhe Kërçova me rrethinë është një nga ato vendet që mbështetjen më të madhe financiare e marrin nga bashkatdhetarët, që punojnë gjithandej nëpër botë? Ndërkaq, kjo tregon se “shpëtimi” i kërçovarëve është vetëm bota e jashtme. Pse?
XHELADINI: Maqedonia është një nga vendet e pakta në nivel botëror që pothuajse më shumë se një të tretën e popullsisë e ka në emigracion. Fenomeni i emigrimit mes shqiptarësh, në këtë rast mes kërçovarësh, për të siguruar perspektivë dhe të ardhme më të mirë për veten dhe familjen, nuk është nga sot. Gjyshi im si dëshmitar i kohës më ka rrëfyer se për shkak të reaksionit të egër të sunduesve të ndryshëm në këto treva, e me këtë edhe të përkeqësimit të gjendjes ekonomike. Mërgimi, mori përmasa gjithnjë e më të mëdha. Edhe më tej, gjatë fillimit të viteve të 90-ta në mënyrë të pandërprerë deri më sot, shumë shqiptarë kanë emigruar, kryesisht në SHBA, dhe vendet evropiane ku Gjermania, Austria, Zvicra e Italia kanë qenë destinacionet kryesore. Kjo kryesisht ka ndodhur për arsyet e njëjta, mospasja e perspektivës ekonomike dhe financiare. Sigurimi i kushteve më të mira, për të pasur një të ardhme më të mirë. Sipas një studimi të përgatitur nga Fondacioni Freidrich Ebert, situata e rëndë ekonomike, kryesisht për shkak të ndikimit të krizës ekonomike globale, reformat e parealizuara në sektorin e arsimit, standardi i ulët i jetesës, janë disa nga arsyet përse të rinjtë nga Maqedonia duan të emigrojnë. Ata në përgjithësi janë të pakënaqur me zhvillimet aktuale në vend, e veçanërisht me situatën politike dhe ekonomike dhe papunësinë, sidomos në mesin e të rinjve. Sipas këtij studimi, të rinjtë mundësinë më të mirë për punësim e shohin vetëm në administratën publike. Mirëpo, me gjithë vështirësitë e shumëllojshme, kërçovarët e mërguar mbajtën dhe vazhdojnë të mbajnë lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe japin një kontribut shumë të madh veçanërisht për zhvillimin e arsimit, kulturës, por edhe zhvillimin ekonomik të Kërçovës.
KOHA: Çfarë duhet të bëhet që të rinjtë kërçovarë perspektivën e tyre ta kërkojnë vetëm në vendlindje?
XHELADINI: Maqedonia është një vend i vogël, me ekonomi jo mirë të zhvilluar, me infrastrukturë jo mirë të rregulluar. Mendimi dhe vlerësimi im është se çështja e migrimit të të rinjve në përgjithësi në Republikën e Maqedonisë duhet të trajtohet me seriozitet dhe kjo temë është e domosdoshme të shndërrohet në debat publik dhe të hartohet një strategji afatgjate lidhur me ballafaqimin me këtë fenomen. Do të kisha shkuar edhe më tej, e shoh të arsyeshme të parashihet edhe themelimi i një institucioni të veçantë brenda kabinetit qeveritar, i cili do të merrej me diasporën, siç është rasti i Kosovës. Me këtë resor të udhëheqë kuadër nga diaspora me qëllim që të ofrohet më për së afërmi diaspora me vendlindjen dhe të shoshiten më konkretisht mundësitë dhe kushtet që diaspora shqiptare, por edhe më gjerë, kapitalin e krijuar, ta investojë në vendlindje. Ekzistojnë mundësi reale për të realizuar këtë, thjeshtë përmes shndërrimit të një ministrie pa resor në korniza të qeverisë në ministri për diasporë dhe investime nga jashtë. Definicioni i mirënjohur se pa infrastrukturë rrugore, nuk ka zhvillim ekonomik, ndërsa nuk është risi jo vetëm për Maqedoninë por edhe për vendet më të zhvilluara evropiane. Ajo që më së tepërmi i mungon Maqedonisë për momentin janë investimet kapitale infrastrukturore. Konkretisht, që të rinjtë kërçovarë perspektivën e tyre ta kërkojnë vetëm në vendlindje, duhet në afat të shkurtër dhe afat të mesëm të krijohen kushte elementare infrastrukturore përmes ndërtimit të ambientit të përshtatshëm për investime. Mundësia më e mirë për këtë është realizimi me prioritet të lartë i projekteve përreth korridorit 8 dhe 10, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës transportuese dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe konkurrencës së rrjetit të vendit në këta korridore dhe me qëllim të thithjes së investimeve të huaja, nga diaspora por edhe krijimin e kushteve për zgjerimin e bizneseve vendore. Krijimi i politikave të veçanta për subvencionimin e punësimit të të rinjve, inkurajimin e të rinjve për ndjekje të studimeve në resorët deficitare dhe teknike, përmes reformave në sektorin e arsimit. Krijimin e një strategjie afatmesme për përcaktimin e sektorëve më të leverdishëm ekonomikisht, për mundësi investimi nga grupe të rinjsh.
KOHA: Në nivel të konsiderueshëm është kontributi i diasporës shqiptarë në mbushjen e buxhetit të Maqedonisë. Në çfarë vlerë arrin ky kontribut dhe përse konjuktura të caktuara maqedonase, mbase edhe shqiptare, nuk e vlerësojnë këtë kontribut të shqiptarëve?
XHELADINI: Remitancat, që paraqesin totalin e dërgesave në para nga punëtorët, të cilët janë të angazhuar me punë të përkohshme, apo të përhershme jashtë vendit, janë me një rëndësi jetike për zhvillim të qëndrueshëm të pothuajse gjithë ekonomive në zhvillim, e në veçanti tek ato të cilat përballen me sfidat e tranzicionit, siç është rasti i Maqedonisë. Diaspora shqiptare, përmes dërgesave në para, gjithashtu ka kontribut të rëndësishëm dhe të pashmangshëm edhe në ruajtjen e stabilitetit social. Këto prurje kanë rëndësinë dhe peshën e tyre si nga pikëpamja vendore, rajonale, ashtu edhe në atë globale. Sipas statistikave të Bankës Botërore, viteve të fundit, shifrat e remitencave në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi ka arritur rreth 14 miliardë dollarë amerikanë. Në Maqedoni, sipas të dhënave nga Banka Popullore në emër të remitencave në vitin 2015 janë derdhur rreth 2 miliardë euro. Edhe pse për vitin 2016 të dhënat nga Banka Popullore flasin për një fluks të zvogëluar të dërgesave të mërgimtarëve, nga rreth 5% nga BPV-ja në vitin 2015 në rreth 3% në vitin 2016, që besoj se është normale për shkak të krizës me të cilën për dy vite e sa me radhë përballej Maqedonia, përsëri vlerësoj se remitencat dukshëm kontribuojnë në stabilitetin makroekonomik të vendit. Deficiti buxhetor, deficiti i llogarisë rrjedhëse të bilancit pagesor, por edhe shumë zbrazëti të tjera mbulohen nga remitencat. Kapitali i mërgatës në masë të madhe ndikon në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë dhe ndër të tjera është edhe stabilizator kryesor i rezervave devizore të vendit. Sipas analizave të bëra në sektorin e transferit të parave, ato shprehen se dërgesat e parave nga mërgimtarët tanë që vijnë përmes bankave dhe kompanive private për transfer parash në përgjithësi tregojnë se 80% e dërgesave të mërgimtarëve janë të shqiptarëve dhe 20% janë para që i dërgojnë maqedonasit.
KOHA: Funksioni zëvendësministër ishte funksion politik. A planifikoni që edhe në të ardhmen të jeni pjesë e politikës shqiptare apo do të orientoheni në diçka që s’ka të bëjë me politikën?
XHELADINI: E rëndësishme për mua është se pavarësisht asaj se ku do të jem unë në të ardhmen, qoftë ajo në politikë ose jashtë saj, gjithmonë do të jem në shërbim të qytetarëve, kombit dhe vendit tim. Sa herë që të jetë nevoja për mua, jam i gatshëm të jap kontributin tim me gjithë kapacitetin tim intelektual, profesional dhe shpirtëror në drejtim të avancimit të ekonomisë vendore dhe në krijimin e kushteve më të mira për jetesë, përmirësimin e standardit jetësor të bashkëvendasve të mi.
KOHA: Si e konceptoni familjen dhe a mendoni se familja është mbi të gjitha përgjegjësi?
XHELADINI: Për mua “Familja është kryevepra e natyrës” (George Santayana). Gjithmonë, në momentet më të vështira me të cilat na përball jeta, rrugët e të jetuarit, mbështetje dhe përkrahje gjejmë tek familja. Unë jam tepër i lidhur me familjen. Kam pasur raporte shumë të afërta me prindërit, motrat, me gjyshërit e mi. Gjithmonë për mua, ata kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes dhe tregues se si duhet të jetë një njeri i moralshëm, i ndershëm dhe gjithmonë krenar për veprën e tij. Por, “Familja është shkolla e detyrave…themeluar mbi dashurinë” (Felix Adler). Kjo posaçërisht vlen pas momentit kur njeriu kalon në fazën e të jetuarit në bashkësi martesore. Falë dashurisë me Njomzën, bashkëshorten time, lindi edhe shkolla e detyrave. Me vajzën tonë Jorikën, fëmijën tonë të parë, me lumturinë dhe kënaqësinë që më fal ajo gjatë periudhës që jam me të, por edhe kur nuk jam pranë saj për shkak të angazhimeve të punës, nuk krahasoj asgjë. Përskaj angazhimeve, detyrave dhe obligimeve, familja, fëmijët (presim fëmijën e dytë, djalë) për mua mbeten pasuria më e madhe që më ka falë Zoti, të cilit i falënderohem çdo moment.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara