Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 maj – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka promovuar inkubatorin e ri inovativ (Create Hub), i cili është i mbështetur nga Programi zviceran për rritje të punësimit, shkruan gazeta KOHA. Në të ardhmen, të interesuarit për punësim të të rinjve, grave sipërmarrëse dhe nga rajonet më pak të zhvilluara të Maqedonisë, do të mund të fitojnë shërbime dhe përkrahje profesionale për zhvillimin e biznes dhe ideve të tyre. “Qëllimi kryesor i projektit është që të krijojë hapësirë për të gjithë ata që akoma besojnë se ardhmëria e tyre është në biznes dhe jo punësimi në administratën shtetërore, apo ikjen jashtë shtetit. Ky projekt është përgjigje ndaj problemeve shoqërore, siç janë zhvillimi jo i barabartë rajonal, papunësia e madhe e të rinjve, përjashtimi i të rinjve nga mjediset rurale nga tregu i punës. Hapësira e re do të mundësojë gjenerimin e ideve të reja dhe zhvillimin e bizneseve përmes projekteve që do të jenë konkurruese në tregun vendor dhe të jashtëm”, thotë drejtori i OEMVP-së, Fatmir Bytyqi. Sipas zëvendës ambasadorit në Ambasadën e Zvicrës në Shkup, Stefan Tomaxhan, papunësia në përgjithësi dhe sidomos ajo e të rinjve, është një sfidë e madhe për Maqedoninë. Andaj, thekson ai, Zvicra me projekte të ndryshme ndihmon që Maqedonia të ballafaqohet me këtë problem, duke përkrahur sipërmarrjen në vend. “Pres që kjo hapësirë të sigurojë kushte që idetë e sipërmarrësve të rinj të shndërrohen në storje të suksesshme dhe pas një viti në këtë kohë të kemi mjaft storje suksesi”, shtoi më tej Tomaxhan.
ZHVILLIMIN E PRODHIMEVE TË REJA…
Sipas drejtorit të fondacionit PREDA Plus, partnerit lokal të Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim SIDC, Marjan Stepanovski, inkubatori i ri i biznesit do të mundësojë zhvillimin e prodhimeve të reja, dizajnit, teknologjive informatike, që do të fitojnë ndihmë nga anëtaret e OEMVP-së si dhe gjenerim të ardhurash nga profesionistët e rinj, gratë dhe vetë bizneset e reja .Ndryshe, inkubatori “Create Hub” është hapësirë ku të rinjtë do të kenë pajisjet e vërteta dhe mbështetjen për krijimin dhe menaxhimin e suksesshëm të biznesit, ndërsa “start up” kompanitë do të përforcojnë edhe bizneset ekzistuese. Qëllimi, ndër të tjera, është që përmes edukimit, rrjetëzimit dhe zhvillimit personal të sipërmarrësve, të stimulohet arritja e rezultateve.
Në botë, koncepti i “Inovation Hub” shërben si një katalizator për të ndihmuar kalimin nga faza e perceptimit të idesë deri në krijimin e produktit apo shërbimit, duke ofruar bashkëpunim, ambiente të posaçme për zhvillimin e idesë, rrjetëzim, mbështetje dhe kur është nevoja investitorë. Ekonomistët thonë se jo çdo ide është inovacion. Ide inovative janë ato ide të reja të pazbatuara më parë, të cilat zgjidhin një nevojë në treg apo në shoqëri, pra sjellin vlerë të shtuar për organizatën ku implementohen apo shoqërinë në tërësi. Teknologjia dhe shkenca në ditët e sotme ecin me hapa shumë të shpejtë, e kur flasim për Maqedoninë dhe shtetet e rajonit, pjesa më e madhe e ideve janë një riprodhim i eksperiencave dhe modeleve të përdoruara në vende më të zhvilluara, por që kur prezantohen në ambientin tonë përbëjnë një risi (inovacion i pjesshëm). Gjithashtu, aktualisht ekziston nevoja për mbështetje institucionale dhe për krijimin e besimit që inovacioni ndodhë edhe në vende të vogla si Maqedonia , kur ekzistojnë dëshira, vullneti, njohuritë dhe kushtet e nevojshme. “Innovation Hub” po përpiqet të përhapë pikërisht këtë frymë.
FILLON TRAJNIMI PËR 40 PERSONA NË KUADËR TË PROJEKTIT TË MASIT
Gjithsej 40 kandidatë të premten kanë filluar me trajnim në kuadër të projektit të Odës ekonomike për teknologji informatike dhe të komunikimit – MASIT për “Rikualifikim të kuadrove”, në bashkëpunim me USAID/REG projektit. Bëhet fjalë për fillimin e fazës së dytë-edukative nga projekti në bashkëpunim me Seavus qendrën edukative dhe zhvillimore.
“Pas hulumtimit të zbatuar midis kompanive anëtare të MASIT është konstatuar deficit të kuadrove në sektorin e TIK nga profilet për programim. Si rezultat i kësaj filloi projekti për ‘Rikualifikimin e kuadrove’ ku qëllimi është të rinjtë deri në moshën 35 vjeçare, pa njohuri paraprake për TI të rikualifikohen dhe të fillojnë karrierë në sferën e TIK. Në pajtim me nevojat e kompanive organizohen trajnime për profilet NET dhe Front End Developer programues, informojnë nga MASIT. Trajnimi me 40 kandidatët është planifikuar të zgjasë deri në shtator dhe pastaj ata do të vijojnë praktikën në ndonjërën prej kompanive TI anëtare të MASIT. Qëllimi përfundimtar i projektit pas ndjekjes së programit është që personat të punësohen në kompani të TIK në pozitat junior programues ose pozita tjera lidhur me sferën e TIK. Programi për rikualifikim do të zgjasë rreth pesë muaj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara