Arda Turan ia jep lamtumirën kombëtares turke

Disa orë pasi ishte dëbuar nga kampi i kombëtares për shkak të sulmit ndaj një gazetari, futbollisti turk Arda Turan (30) i dha fund karrierës së tij si lojtar i Turqisë.

Turan njoftoi se pas 11 vitesh lojë në fanellën e kombëtares turke nuk do të luajë më për Turqinë.

“E dua vendin, flamurin dhe reprezentacionin tim. Shumë herë jam sakrifikuar, por mjaft është. Po e lëshoj reprezentacionin, nuk do të luaj më për Turqinë. Është pikëlluese, por nuk më vjen keq për këtë”, tha Turan në konferencën e jashtëzakonshme për media, të cilën e thirri pasi që u dëbua nga kampi.

Arda Turan ka pasur një debat të nxehtë me gazetarin sportiv të përditshmes Milliyet, Bilal Mese.

Futbollisti i Barcelonës madje i ka vënë duart në fyt. Mediat turke zbulojnë se lojtari është mbajtur nga personat e pranishëm, teksa po ushtronte dhunë ndaj gazetarit.

Kjo përleshje është shoqëruar me debate të shumta në Turqi, teksa cilësohet si e papranueshme që një lojtar profesionit të bëjë një veprim të tillë.

Përzgjedhësi Fatih Terim pas takimit me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Turqisë vendosi ta dëbojë Turan nga kombëtarja.

Turan për Turqinë debutoi në gusht 2006 kundër Luksemburgut dhe ka luajtur në 96 ndeshje, duke shënuar 17 gola. Ndryshe, Turqia të dielën luan kundër Kosovës në kuadër të ndeshjeve eliminatore për botërorin “Rusia 2018”. Turqia aktualisht ndodhet në vendin e katërt në grupin I me tetë pikë, pesë më pak se sa lideri Kroacia.