Edhe pse më i lirë dhe më efikas, afaristët akoma shumë pak e shfrytëzojnë arbitrazhin si një mundësi për të lehtësuar biznesbërjen
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 mars – Procedura të shpejta dhe cilësore si dhe harxhime të ulëta janë vetëm disa nga përparësitë pse për zgjidhjen e kontesteve në ndryshme në biznes preferohet arbitrazhi në vend të procedurës standarde gjyqësore. Thënë ndryshe, arbitrazhi është njëra ndër metodat e zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve, në të cilën mosmarrëveshja zgjidhet nga një palë e tretë e pavarur përmes një vendimi detyrues për palët, shkruan gazeta KOHA.
Mirëpo, edhe pse më i lirë dhe më efikas, afaristët në shtet akoma shumë pak e shfrytëzojnë një mundësi të tillë për të lehtësuar biznes bërjen. Dallimi midis procedurës në gjykatë dhe arbitrazhit është se, në të parën – procedura mund të zgjasë deri më 3 apo 3 vjet e gjysmë, ndërsa në të dytën – mund të zgjidhet problemi për tre deri në gjashtë muaj. Mirëpo, përkundër përfitimeve të shumta në kohë dhe të holla për të gjithë, në mesatare në shtet në vit zgjidhen vetëm nga 10 konteste përmes arbitrazhit, ndërsa prej vitit 1993 e këndej, kur një trup i tillë është vendosur pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, janë zgjidhur pak më shumë se 300 konteste.
Vlerësohet se shkaqet për shfrytëzimin e dobët të shërbimeve të tyre nga ana e afaristëve, qëndrojnë në informimin e pamjaftueshëm të kompanive dhe avokatëve, si dhe vendosja si zakonisht e klauzolës në marrëveshjet e ndryshme se kontestet zgjidhen përmes rrugës gjyqësore.
Megjithatë, kompanitë gjatë vendosjes pro apo kundër kësaj mënyrë të zgjidhjes së çështjeve të ndryshme, kanë parasysh se përmes arbitrazhit nuk ekziston mundësia e përsëritjes së procedurës apo e drejta për ankesë për shkak se vendimi i miratuar është i plotfuqishëm.
Nga Gjykata e Arbitrazhit thonë se në mesatare, kohëzgjatja e një procedure vitin e kaluar ishte 186 ditë apo afër gjashtë muaj, dhe paraqet një avancim në raport me 7.5 muaj në vitin 2017. Nga ana tjetër, kontestet në gjykatat e rregullta mund të zgjasin edhe disa vite. Bile, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 90 për qind e kontesteve përfundojnë në arbitrazh, ndërsa në Gjermani kjo përqindje arrin në 60. Kompanitë në këto shtete, si veçorinë më pozitive të arbitrazhit e theksojnë faktin se vendimi i miratuar është i plotfuqishëm, nuk ka kohë për ankesa, ndërsa e tërë procedura është fleksibile, madje ka mundësi të zgjidhen arbitrat që do të vendosin për kontestin.
“Trendet botërore tregojnë se arbitrazhi është i pakontestueshëm tek komunitetit i biznesit, si mënyrë më e preferuar për zgjidhjen e kontesteve afariste. Këtë e konfirmojnë edhe analiza e universitetit ‘Kuin Meri’ nga Londra dhe shoqëria e avokatëve ‘Vajt Kejs’, e realizuar ndër shërbimet juridike të kompanive, arbitrave dhe avokatëve. Njëherësh, kur bëhet fjalë për kontestet me elemente ndërkombëtare, të dhënat udhëzojnë se arbitrazhi paraqet metodë të preferuar për zgjidhjen e kontesteve tek 97 për qind e subjekteve”, thotë sekretarja e Gjykatës së Arbitrazhit, Tatjana Shterjova.
Sipas saj, në dy vitet e kaluara, 54 për qind e procedurave pranë Gjykatës së Arbitrazhit kanë qenë kontestet me elemente ndërkombëtare, ndërsa 46 për qind kanë konteste të brendshme.
Kohë më parë, nga Gjykata e arbitrazhit pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë kanë bërë thirrje që edhe kompanitë shtetërore, si dhe komunat ngjashëm me një pjesë të bizneseve që kanë filluar të përdorin këtë mundësi, të vendosin klauzolën e arbitrazhin për të zgjidhur më shpejt dhe më efikas kontestet e ndryshme. Përvojat e shteteve të rajonit si Kroacia tregojnë se arbitrazhi i zgjidh shumicën e kontesteve ekonomike, siç janë ndërtimi i rrugëve, infrastruktura dhe të ngjashme. Vlerësohet se tradita e gjatë e punës dhe ekzistencës së gjykatës së arbitrazhit ka rolin kryesor pse Kroacia ka rezultate më të mira në këtë drejtim se i gjithë rajoni bashkërisht. Ish kryetari i Gjykatës së Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike në Kroaci, Mihajllo Dika, thotë se në periudhën e kaluar apo në mbi 20 vite janë zgjidhur konteste të vlefshme më shumë se 700 milionë euro, edhe atë kryesisht në sferën e ndërtimtarisë. Ai sugjeron zbatimin më të madh të këtij lloji të zgjidhjes së kontesteve, edhe promovimin më të madh ndër kompanitë, drejtorët, menaxherët, shërbimet juridike, komercialistët… që duhet të kuptojnë përparësitë e arbitrazhit në vend të kompetencës së gjykatës shtetërore. “Mendoni mirë, përllogaritni, bëhuni racional dhe zgjidhni arbitrazhin”, porosit eksperti Dika.
Ndryshe, vlerësohet se Maqedonia vështirë mund të arrijë sukseset e Rumanisë me 20 milionë banorë , me numër të madh të investimeve të huaja, dhe rritje të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto që në vitet e kaluara ka zgjidhur bile 1600 konteste të arbitrazhit brenda një viti, apo dy herë më pak konteste biznesi në raport me gjykatat e rregullta. Megjithatë, intenca është që Maqedonia të zgjidhë së paku 100 konteste në vit. (koha.mk)