Rastin më të njohur që shteti e humbi vitet e kaluara ishte ai i padisë së kompanisë greke OKTA, ku Maqedonia ka paguar 40 milionë dollarë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 nëntor – Maqedonia vitet e kaluara disa herë është paditur në gjykatat e jashtme të arbitrazhit që padisin shtetin nën pretekstin e shkeljes së marrëveshjeve të ndryshme për investime, apo për shitblerje të bizneseve. Rasti më i njohur që shteti e humbi në vitet e kaluara ishte ai i padisë së kompanisë greke OKTA, ku Maqedonia ka paguar 40 milionë dollarë.
Anulimi i kontratës për koncesion me kompaninë “Euromaks Risorsis”, është rasti i fundit ku shtetit i kanoset arbitrazh dhe pagesa e dëmshpërblimeve të vlefshme me miliona e miliona euro. Së fundmi, edhe Komisioni Shtetëror i shkallës së dytë ka hedhur poshtë ankesën e kompanisë kanadeze për investimin e vlefshëm 340 milionë euro, shkruan gazeta KOHA.
Nga Ministria e Ekonomisë kanë njoftuar se është nënshkruar propozim-vendimi për shkëputjen e njëanshme të kësaj marrëveshje. Ky institucion ka vepruar në bazë të vendimit të Komisionit qeveritar për të mos lejuar mihjen e arit dhe bakrit në lokalitetin Ilovica në komunat Bosillovë dhe Novo Sello. Në ndërkohë, nga partia ekologjiste DOM thonë se nuk ishte e kotë lufta trevjeçare kundër hapjes së minierave, ndërsa shtojnë se protestat dhe referendum i nismave qytetare, si dhe lufta institucionale përmes miratimit të Ligjit të ndryshuar për lëndë minerale, që ndalon përdorimin e cianideve dhe acidit sulfurik në minierat mbitokësore, sollën rezultat.
Një rast tjetër ku Maqedonia e Veriut ballafaqohet me pagesën prej 31 milionë dollarë që së bashku me kamatat mund të arrijë në 40 milionë dollarë, është rasti i kompanisë greke “Helenik Petroleum” që jozyrtarisht ka ngritur padi në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris. Pala greke nga Maqedonia kërkon që të paguajë këtë shumë nën pretendimin se nuk është respektuar marrëveshja shitblerëse e rafinerisë OKTA. Me këtë kontratë, shteti kishte obligim që për 20 vite me radhë të blejë 500 mijë tonë mazut në një vit, mirëpo grekët thonë se autoritetet në vend përgjatë periudhës 2008 -2011 nuk e kanë plotësuar këtë obligim, andaj kompania greke kërkon që përmes arbitrazhit ta paguajë këtë shumë. Mirëpo, shuma përfundimtare do të dihet pas miratimit të vendimit përfundimtar.
Në prill të këtij viti, procedura për arbitrazh shënoi vendnumëro apo u ngri, për t’u ofruar mundësi e zgjidhjes së kontestit. Mirëpo me kalimin e kohës nuk u gjet zgjidhje, andaj sërish u ngrit procedura e arbitrazhit. “Në këtë marrëveshje ekzistojnë më shumë klauzola si ndërtimi i naftësjellësit, apo obligimi për të harxhuar 500 mijë tonë mazut në vit, ndërsa në të kundërtën – shteti ka obligim të paguajë dëmshpërblime prej 29 dollarë për ton. Në bazë të këtij kontesti, shteti ka humbur në gjykatë për periudhën prej 2007-ës , ku OKTA në mënyrë të njëanshme ndërpreu punën dhe prodhimin. Tani ka edhe një padi për këtë çështje”, theksoi kohë më parë zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Kohë më parë, Maqedonia humbi ankesën e dytë në Paris nga po e njëjta kompani për çka ka paguar 40 milionë dollarë nga 86 milionë dollarë sa u kërkuan paraprakisht. Në ndërkohë, si shtet mund të përballemi edhe me pagesën e një padie tjetër të vlefshme 10 milionë dollarë në rast se kompania spanjolle “Rubau”, e fiton kompensimin në arbitrazh në Zagreb. Ajo e ndërpreu kontratën me Ndërmarrjen shtetërore të rrugëve për ndërtimin e aksit rrugor të gjatë 10 km Farish-Drenovë, në rrugën Prilep-Gradsko, nën arsyetimin se nuk ju është paguar fatura e fundit.
Njëherësh, për shkak se kompania spanjolle nuk ka dorëzuar programin e punës që parashikon edhe dinamikën në terren dhe për shkak se ka lëshuar objektin e ndërtimit me lejen e BERZH si kreditor, edhe kompania shtetërore e rrugëve ka kërkuar shkëputje të kontratës, si dhe aktivizimin e garancisë bankiere të Rubau me vlerë prej 7.7 milionë euro. Gjithashtu, kompania spanjolle paraprakisht është përpjekur që këtë aks rrugor të ofrojë për ndërtim ndaj firmave të tjera. Nga kjo ndërmarrje shtetërore thonë se kompania spanjolle është alarmuar disa herë edhe nga udhëheqësia e tanishme, por edhe nga ajo e mëparshme për efikasitetin e ulët të punës.
Një rast tjetër ku kërkohen dëmshpërblime për dëmet e supozuara që duhet të dëshmohen në gjykatat e jashtme të arbitrazhit është edhe i Kompanisë Sardiç që kërkon 350 milionë euro për anulimin e koncesionit në lokalitetin Kazandoll në afërsi të komunave Vallandovë, Bogdanci dhe Dojran.
Nga Qeveria, vitin e kaluar theksuan se marrëveshja është ndërprerë për shkak se koncesioneri nuk ka plotësuar obligimin që në afat prej dy vjetësh pas ndarjes së koncesionit, të ndërtojnë impiant për eksploatimin e bakrit. Nuk pritet që shteti të paguajë dëmshpërblime për shkak se koncesioneri nuk ka respektuar marrëveshjen.
Në ndërkohë, në fund të muajit maj të këtij viti, gjykatat vendore konstatuan se kompania Sardiç që kishte koncesionin për xeheroren Kazandoll, u ka borxh miliona euro firmave vendore dhe të huaja. Udhëheqësi i falimentimit të kësaj kompanie ka pranuar borxhe prej së paku 9 milionë euro, ndërsa kompanitë kanë paraqitur borxhe prej 24 milionë euro.
Në rrjedhë e sipër është edhe arbitrazhi i ngritur nga kompania “Kuniko Resursis”, që menaxhonte fabrikën FENI. Kjo kompani e huaj vlerëson se shitja e FENI është realizuar në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara dhe dispozitat ligjore. Jozryrtarisht mësohet se padia vjen pasi menaxhuesi i falimentimit nuk ka pranuar kërkesat e Kuniko në vlerë prej 50 milionë euro. Vitin e kaluar, kompania e përpunimit të metaleve FENI falimentoi për shkak të problemeve financiare. Bankat ku kjo kompani kishte borxhe nuk lejuan që kompania bullgare Enekod të bëhet pronare e re e FENI, për shkak të borxhit të FENI-t ndaj bankave prej 40 milionë euro. Bile, bankat e Maqedonisë në vitin 2018, kanë shënuar fitime të mëdha prej 136 milionë euro, që si shumë është për 30 milionë më shumë se në vitin 2017. Me fjalë të tjera, kjo nënkupton një fitim prej 373 mijë euro për çdo ditë përgjatë vitit të kaluar që ka ardhur jo vetëm nga provizionet dhe kamatat, por edhe nga shitja e pronave të disa fabrikave më të mëdha në shtet si Feni apo Briljanti nga Shtipi.
Në të kaluarën ka pasur edhe procedura të tjera të arbitrazhit si ajo e kompanisë Indominerali për koncesionin e marrë për xeheroret për plumb dhe zink “Zletovë dhe Toranica”, në vitin 2015.
Nga qeveria thonë se është formuar Trup i veçantë kordinativ për këtë problematikë, që konsultohet edhe me njohës të tjerë të mirë të kësaj problematike, si dhe bashkëpunon edhe me shtëpi të njohura avokatie me përvojë të madhe në zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare të arbitrazhit.
ARBITRAZH EDHE NË SHTETET FQINJE
Portali i specializuar “lav360.com” shkruan se arbitrazhi ndërkombëtar ka vendosur se Shqipëria duhet të paguajë 111 milionë euro ndaj Beketit. Biznesmeni italian e paditi qeverinë shqiptare, duke pretenduar se sulmet ndaj biznesit të tij lidhen me faktin se televizioni në pronësinë e Beketit, Agon Channel ka bërë mbulim jo të favorshëm ndaj qeverisë. Tribunali tha se veprimet e Shqipërisë ndaj kompanisë Agonset nuk ishin “shtrim legjitim i fuqive policore”. Kohë më parë, Shqipëria kurseu mbi 100 milionë euro në arbitrazhin potencial. Një ndër proceset më të përfolura të arbitrazhit midis shtetit shqiptar dhe Kastritot Ismailajt i njohur si administrator i borxheve të ÇEZ, është mbyllur në favor të shtetit. 130 milionë eurot e pretenduara nga Ismailaj nuk do të paguhen pasi administratorja e DIA-s, Rebeca Gain, është tërhequr nga kjo padi pasi është vënë në dijeni të falsifikimeve të kryera nga Ismailaj, sqaroi Prokuroria e Përgjithshme.
Në një tjetër rast arbitrazhi, para pesë vitesh, Kompania çeke që kërcënonte Shqipërinë, mori 100 milionë euro. Çekia deri në momentet e fundit nuk dha aprovimin për statusin kandidat për Shqipërinë. Shkak i kërcënimit për bllokim ishin problemet me kompaninë çeke Çez dhe shtetin shqiptar. Në momentet e fundit, Çekia u tërhoq, pasi u arrit marrëveshje. Vitet më parë, Çezi çek privatizoi rrjetin e distribucionit, por për shkak të keqmenaxhimit, shteti shqiptar e rimori sërish kompaninë në pronësi të vet. (koha.mk)