Punëtorët dhe punëdhënësit prej tani me ndihmën e arbitrazhit do të mund t’i zgjidhin kontestet e punës. Për këtë qëllim tanimë 50 persona kanë marrë licencë për arbitra dhe pajtues nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.
Procedura për zgjidhje të qetë të kontesteve të punës është vullnetare dhe ajo, sipas sindikatave, do t’u ndihmojë të dyja palëve të involvuara në kontest që ta zgjidhin problemin jashtë gjyqësisë, gjegjësisht në mënyrë shumë më të shpejtë dhe më ekonomike.
“Konfederata e sindikatave të lira që nga vetë formimi në vitin 2005 e promovoi këtë model për zgjidhje të qetë të kontesteve dhe angazhohej për arbitrazhin si mënyrë më efikase. Me praktikat ligjore tani u mundësua mënyrë më efikase, jashtë gjyqësisë e zgjidhjes së kontesteve të punës prej të cilëve benefit do të kenë punëtorët dhe punëdhënësit, por edhe vendi në tërësi”, deklaroi kryetari i KSL-së, Bllagoja Rallpovski para promovimit të sotëm të këtij mekanizmi para anëtareve të sindikatës.
Palët e involvuara në kontestin e punës në afat prej pesë ditëve do të mund të kërkojnë emërim të ndërmjetësuesit nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale ku zhvillohet regjistër i arbitrave të licencuar.
“Puna e pajtuesit, gjegjësisht arbitri është profesionale, e pavarur dhe ai është ai i cili e luan rolin e zgjidhjes së kontestit. Askush nuk guxon të ketë ndikim”, theksoi Filip Petrovski, arbitër i licencuar.
Ligji për zgjidhje të qetë të kontesteve të punës hyri në fuqi në vitin 2015, ndërsa deri më tani është realizuar trajnim për arbitra dhe pajtues të rreth 90 kandidatëve. Rreth pesëdhjetë prej tyre tanimë kanë marrë licencë për punë nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.