Shkup, 12 dhjetor– Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, sot në Tel-Aviv ka zhvilluar takim pune me homologun e tij Naftali Bennet, ministër i Arsimit të Izraelit. Ademi dhe Bennet kanë shprehur kënaqësinë e tyre për bashkëpunimin e deritashëm në sferën e arsimit, por, gjithashtu, kanë treguar gatishmëri për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, sidomos në sferën e shkëmbimit të përvojave për arsimin e nxënësve me nevojave të veçanta.
“Unë, si ministër i Arsimit besoj fuqishëm se të gjithë fëmijët kanë të drejtën e arsimit, pa marrë parasysh se kush janë ose nga vijnë ose çfarë mund të bëjnë apo nuk mund të bëjnë. Çdo fëmijë ka të drejtën e banimit dhe familjes, e shëndetit dhe mirëqenies, të drejtën e mbrojtjes nga dhuna dhe keqpërdorimi dhe çdo fëmijë, pavarësisht se kush është, ka të drejtë për arsim cilësor, i cili respekton dhe promovon dinjitetin dhe zhvillimin optimal të fëmijëve”, deklaroi ministri Ademi.
Për shumicën e fëmijëve, madje edhe për fëmijët me nevoja të veçanta, kjo do të thotë arsim ku pranohen parimet dhe vlerat e barazisë dhe inkluzivitetit (gjithëpërfshirjes). Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës dhe Konventa mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara e shprehin në mënyrë të qartë qëllimin për të garantuar arsim cilësor për të gjithë, por pavarësisht kësaj përsëri ka raste të përjashtimit.
“Fëmijët me nevoja të veçanta shpesh përballen me përjashtim gjatë jetës së tyre. Kjo nuk është e drejtë”, ka shtuar ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ademi.
Bashkë me ministrin izraelit të Arsimit, siç citojnë nga ministria dikasteriale, Ademi dhe Bennet kanë ndarë qëndrimin se “arsimi cilësor mund të arrihet vetëm kur çdo fëmijë, duke përfshirë fëmijët me nevoja të veçanta ose fëmijët e margjinalizuar, fitojnë në shkollë arsim cilësor gjithëpërfshirës, që do t’u sigurojë mësimet të cilat u janë të nevojshme gjatë gjithë jetës”.
Ademi theksoi se shkalla e përfshirjes së sistemit nacional të arsimit është një nga treguesit kryesorë të përkushtimit dhe përfshirjes së institucioneve në sistemin e sigurimit të të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjithë nxënësit, pavarësisht nga karakteristikat e tyre personale dhe nevojat e veçanta arsimore. Në këtë drejtim, ai informoi edhe për përpjekjet e MASH dhe të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për ndjekjen e tendencave moderne, sa i përket sigurimit të kushteve në shkollave për fëmijët më lloje të ndryshme të aftësive të kufizuara