Gostivar, 9 shkurt (MIA) – Arben Taravari, mjek dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Klinikën e Neurologjisë në Shkup, pas zgjedhjeve të fundit lokale e ndërmori funksionin e kryetarit të komunës së Gostivarit. Si kuadër i Aleancës për Shqiptarët disa prej muajve të vitit të kaluar ishte në ballë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në intervistë për MIA-n, Taravari flet për dallimin mes funksionit të kryetarit të komunës dhe ministrit, për prishjen dhe braktisjen e koalicionit qeveritar me LSDM-në dhe BDI-në, për frontin që Aleanca për Shqiptarët e ka ndaj BDI-së, për problemet në komunën e Gostivarit dhe dilemat aktuale shëndetësore – vallë nevojitet Qendër e re klinike në Shkup…
Para më shumë se tre muajve funksionin ministror e ndërruat me atë të kryetarit të komunës. Ishit ministër nga i cili priteshin aq shumë reforma të dëshiruara dhe thelbësore në shëndetësi, por vendosët të merreni me një lloj tjetër të problemeve. A mundeni tani, nga kjo distancë e shkurtër të na i tregoni motivet për vendimin e tillë dhe mos ndoshta, keni gabuar?
“Kur e ndërmora funksionin ministror, fillova që me entuziazëm dhe dëshirë të madhe të jap kontribut për ndryshimin e gjendjes në shëndetësi. Formova një ekip që mori edhe përkrahje nga qytetarët, sepse i panë qëllimet se me të vërtetë do të përmirësohen punët. Pasi nuk u bë marrëveshja mes partnerëve të koalicionit për zgjedhjet lokale, ne si parti e re politike ishim të detyruar të dalim në terren dhe së bashku me kryetarin Ziadin Sela ta kërkojmë përkrahjen e qytetarëve. Kjo nuk ishte dëshira jonë, por e anëtarëve. Nëse kjo ishte dëshira ime, unë do të mbetesha ministër ose atje ku kam punuar si mjek dhe jam pranuar mirë nga pacientët. Konsideroj se kandidimi im dhe kandidimi i Selës ishin “hapi i duhur”. Personalisht, nuk kam gabuar që jam kandiduar. Të njëjtën do ta bëj sërish, sepse për mua e rëndësishme është të rritemi si parti dhe të jemi të parët mes shqiptarëve. Jo të bëjmë politikë, por si Aleancë ta realizojmë misionin të vendosen njerëzit e vërtetë në vendin e vërtetë dhe të vendosen standarde të reja në politikë. Besuam se nevojitet Qeveri reformuese dhe se kjo do të realizohet. Në shtesë të kësaj dua të potencoj se motivet e kandidimit ishin në drejtim të përforcimit të pozitave të partisë për udhëheqje të proceseve reformuese dhe nuk gabuam.
Fushata juaj për zgjedhjet lokale shkaktoi debat të ashpër dhe konfrontim të hapur me partnerin e deriatëhershëm qeveritar LSDM-në, ndërsa më vonë edhe largim nga koalicioni qeveritar. Çfarë dëme ka partia Aleanca e Shqiptarëve nga ky vendim?
Mendimi se nëse nuk jeni në pushtet do ta rritni edhe anëtarësinë nuk duhet të jetë i saktë dhe se me pjesëmarrje në qeveri do t’u rritet edhe rejtingu. Si shembull do t’i përmend partnerët tanë RDK (Rilindja Demokratike Kombëtare). Morën një ministër në Qeveri, njëjtë edhe ne. Ata nga 36 mijë vota ranë në dy mijë, ndërsa ne nga 36 mijë në zgjedhjet lokale morëm mbi 50 mijë vota. Me dinjitet e braktisëm koalicionin qeveritar, sepse nuk deshëm të jemi servilë, por partnerë të barabartë në pushtet. U ndamë në momentin kur na thanë se nuk na takon dikasteri i Shëndetësisë. Ne atë vend e merituam në atë moment historik kur më 27 prill u formua shumica në Parlament dhe Zoran Zaev mori mandatin të formojë qeverinë. Dalja jonë nga koalicioni dhe dorëheqjet e të gjithë funksionarëve ishin për shkaqe parimore. Pikërisht kjo u përshëndet dhe u pranua, posaçërisht tek elektorati shqiptar, që na befasoi këndshëm. Aleanca për Shqiptarët tani ka 12 mijë anëtarë dhe është e dyta për nga numri në bllokun shqiptar. Ne kemi rritje prej 40 për qind të votave të fituara në raport me zgjedhjet në dhjetor të vitit 2016. Këtë, asnjë parti politike nuk e ka arritur. Tani jemi partia e dytë shqiptare për nga madhësia dhe jemi të njohur si parti respektabile opozitare në kampin shqiptar.
Në deklaratat tuaja e barazoni LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në për bashkëpunim me BDI-në dhe koalicionimin e tyre. Thoni, ndërrohet partneri maqedonas, ndërkaq BDI-ja mbetet edhe më tutje në pushtet. Çka është ajo që ju pengon në bashkëpunimet e tilla dhe përse?
– Në kampin shqiptar nuk ka ndryshime prej vitit 2002, përveç kur PDSH ishte për një periudhë të shkurtër në qeveri. BDI-ja pati mjaft kohë dhe mundësi për të treguar se i përfaqësojnë të drejtat e shqiptarëve, por bënë shumë pak. Kjo shihet edhe përmes besimit që e fituan në zgjedhje. Nëse dalin sërish në koalicion më të gjerë dhe dalin në zgjedhje do ta humbin besimin për së paku gjysmën në zgjedhjet e fundit. Kjo u tregua edhe në zgjedhjet e vitit 2016 kur fituan 80 mijë, ndërsa në të kaluarat patën 150 mijë. Në zgjedhjet e fundit lokale patën rritje prej mezi dy mijë votave dhe atë falë mbështetjes nga LSDM me të cilët funksionuan si një parti. Më se me përgjegjësi pohoj, nëse LSDM do të ishte neutrale në zgjedhjet lokale, BDI nuk do ta fitonte asnjë komunë. LSDM me atë hap u bë më e keqe se VMRO-DPMNE, sepse drejtpërdrejtë ndikoi dhe e “maqedonizoi” vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Kjo ishte jokorrekte. E penguan garën mes partive shqiptare dhe nuk lejuan të vijë deri te shprehja e vullnetit të vërtetë në bllokun shqiptar. Kjo më pengon. Jo vetëm mua, por edhe numrit më të madh të shqiptarëve. Binomi LSDM-BDI është i njejtë si VMRO-DPMNE – BDI. Dy partitë pa kundërshtime i pranojnë propozimet e tyre.
Në paraqitjet Tuaja publike jeni duke e akuzuar BDI-në si fajtore për pjesën më të madhe të gjendjeve aktuale në vend. Keni nisur edhe fushatë “E vërteta për BDI-në”, të cilës i kushtoni kohë dhe energji. Kujt i referohet kjo marrëdhënie? Më e rëndësishme është se çfarë ka punuar BDI-ja, kundrejt asaj se çfarë ju dhe Aleanca do të ofroni dhe realizoni?
“Duhet të jemi real. Në “bomba”, shumë pak, pothuajse asgjë, nuk ishte ofruar për funksionarët e BDI-së. Atëherë, kjo u arsyetua me atë se nuk ka pasur shumë materiale, nuk ka pasur përkthime, gjë të cilën e vlerësoj si përgjigje të pasinqertë. Nëse në shesh dilnin punët e palara të njërit partner të koalicionit, atëherë duhet të nxirren edhe të partnerit tjetër, në këtë rast të BDI-së. Grupi prej njëzetë personash me vite janë në funksione përgjegjëse, ndonjëherë si ministra e ndonjëherë si kryetarë komunash. Ata janë figura për të cilët ekzistojnë dyshime serioze për korrupsion, keqpërdorime, përzierje në skandale. I tillë është rasti me “Magjar Telekom”, ka edhe ministra për të cilët PPS-ja ka ngritur hetim, ndërsa nga ana tjetër kryeministri thotë se gjithçka është e pastër. Kjo mbrojtje, thjesht i frustron shqiptarët e tjerë në Maqedoni. Ne, të udhëhequr nga parimi i transparencës, duam të tregojmë se si është punuar. Pikërisht për këtë nisëm fushatë përmes së cilës do të tregojmë se si disa persona në BDI e kanë praktikuar pushtetin dhe se si të afërmit e tyre janë pasuruar. Qytetarët duhet ta dinë këtë, pasi që paratë e tyre dhe besimi janë keqpërdorur. Ne duam të vendosim një akt përgjegjës në menaxhimin dhe shpenzimin e parave të popullit. LSDM duhet të mundësojë proceset gjyqësore të zhvillohen pa presione. Por, për fat të keq më duhet të konstatoj se LSDM fillon t’u ngjajë paraardhësve të tyre në pushtet. Për tre deri në katër muaj i ka lejuar BDI-së që t’i transformojë në VMRO-DPMNE e vjetër dhe të vëllazërohen. Me përgjegjësinë më të madhe pohoj se ky duet i ri ka dallime shumë të vogla në krahasim me koalicionin qeveritar paraprak.
T’i kthehemi funksionit tuaj aktual. Pas tre muajsh që kur jeni kryetar komune, cili është vlerësimi juaj, ku gjendeni më së miri?
“Definitivisht më së miri si ministër, pasi që isha në një dikaster të cilin e kam njohur më së miri dhe kam pasur bashkëpunëtorë cilësorë. Megjithatë edhe këtu në komunë kam formuar ekip të mirë dhe jam duke u adaptuar në punën e re. Konsideroj se do të jemi të suksesshëm.
Me cilën notë e vlerësoni punën e ministrit dhe me cilën notë atë të kryetarit të komunës.
Si ministër, nëntë, ndërsa si kryetar komune tetë.
Nëse merret parasysh se paraprakisht e keni pasur përkrahjen e qeverisë dhe tani që nuk e keni në këshillin e komunës dhe obstruksionet që vijnë prej atje, a keni dilema personale nga periudha që jeni në këtë funksion të ri?
Kur isha ministër e kisha përkrahjen e shumicës në shkallë kombëtare, nga një numër shumë më i madh qytetarësh, për dallim nga përkrahja në nivel lokal. Tani si parti opozitare ballafaqohemi me bllokime. Kështu ndodh edhe me propozim buxhetin që nuk vihet në rend të ditës në seancën e Këshillit për shkak të arsyeve joparimore. Jam i bindur se do të tejkalohet situata dhe do të sigurojmë prosperitet të qytetit dhe të qytetarëve. Pikërisht për këtë nuk kam dilema.
Këto ditë aktual është debati rreth ndërtimit të Qendrës Klinike në Shkup. Nëse mbeteshit ministër i Shëndetësisë, cilën ide do ta përkrahnit: zhvendosjen apo ndërtimin e Qendrës Klinike në të njëjtin vend? Domethënë ç’lloj Qendre Klinike i duhet Maqedonisë?
Absolutisht zhvendosjen. Derisa isha ministër, disa herë ia kam theksuar këtë Kryeministrit, duke shpjeguar se një numër i vogël pacientësh ndërronin jetë në automjete gjatë transportimit për në klinikë. Arsyeja është trafiku i dendur përgjatë rrugës “Vodnjanska”.Në periudhën e “pikut”, nga ora 9 deri në orën 15, një pjesë rruge më pak se një kilometër me makinë kalohet për gjysmë ore. Nëse fillojnë punët e ndërtimit, ky bllokim i rrugës, trafiku do të rritet dhe vonesat do të jenë më të gjata dhe Qendra Klinike nuk do të funksionojë.Me këtë rast, do të doja të bëja të qartë se kjo nuk ka të bëjë me ndërtimin e një Qendre të re Klinike, siç e njoftoi qeveria e mëparshme. Për të shmangur konfuzionin, në vendin e ofruar (Gjinekologjia e Vjetër), është parashikuar një ndërtesë e destinuar për klinikat interne. Më lejoni të përmend se edhe kostoja e ndërtimit të kësaj qendre klinike është shumë e lartë. Me këto para mund të bëhet një qendër e re klinike në një vend tjetër. Do të jetë akoma edhe më e lirë nëse një pjesë e Qendrës Klinike të vjetër do të shitet. Ekzistojnë dy studime të fizibilitetit. Sipas tyre, qendra e re do të ishte më funksionale për pacientët dhe stafin. Një vend ndodhet në Bardovc dhe vendi tjetër në kazermën “Ilinden”. Për mua zhvendosja e Qendrës Klinike në njërën prej këtyre vendeve është opsioni më i mirë. Unë gjithashtu propozova që kredia, e cila është planifikuar për ndërtimin e ndërtesës, të mos harxhohet tërësisht, por në vendin e Gjinekologjisë së vjetër të ndërtohet një ndërtesë më e vogël si laborator klinik dhe një qendër diagnostifikimi.
Ligji për përdorimin e gjuhëve ka krijuar një frymë të trazuar në Parlament dhe në opinion u paraqit ndarje. VMRO-DPMNE kundërshtohen, ndërsa ju në nivel lokal bashkëpunoni intensivisht. Ky është një kolizion i veçantë. Si ballafaqoheni me situatën e tillë, duke u nisur nga relacionet e bashkëpunimit?
“Ligji i gjuhëve është konkret dhe është maksimumi që mund të bëhej, ndërsa të mos jetë në kundërshtim me Kushtetutën. Atë që VMRO-DPMNE e bllokon është tërësisht punë tjetër. Edhe mua edhe shqiptarëve të tjerë nuk na vjen mirë për atë që ata po bëjnë. Por, në Gostivar nuk kemi pasur opsion tjetër. Duam ta ndajmë pushtetin me maqedonasit, turqit, romët. Kemi bashkëpunim sipërfaqësor me VMRO-DPMNE-në në drejtim të formimit eventual të formimit të shumicës në Këshill. Nuk bëhet fjalë për ndonjë koalicion ose bashkëpunim më të thellë. Të jem i sinqertë, ofrova një koalicion të gjerë në të cilin do të jenë edhe të dy partitë maqedonase, nga VMRO-ja pranuan, por LSDM-ja refuzoi. Ajo që nuk janë ndërruar kuadrot e VMRO-së të vendosura në mandatin paraprak është për shkak të gjendjeve në Këshill. Megjithatë, politikat dhe interesat në nivel lokal janë më ndryshe nga ato në nivelit kombëtar.
Përballeni me probleme për votimin e Buxhetit për vitin 2018. Bashkëpunimi me koalicionin e shumicës mes BDI-së dhe LSDM-së nuk ju shkon dhe ankoheni në obstruksione. Punët shkuan deri atje që në opinion çdoherë e më shumë flitet për skenar të ri. Pas tre muajve do të ketë zgjedhje të reja për anëtarë të Këshillit. Kush e dëshiron këtë dhe kujt i përshtatet kjo?
“Sinqerisht edhe unë dëshiroj zgjedhje të reja, sepse jam i bindur se do të fitojmë. Qytetarët janë të vetëdijshëm se kush bën obstruksione, pse nuk fillojnë investimet me vlerë prej 400 mijë eurosh, pse vonohen pagat në arsim. Pikërisht për shkak të kësaj BDI-ja nuk do që të shkojë në zgjedhje. Përdorin taktikën e sjelljes së vendimeve në momentin e fundit. Këtë e treguan dhe me atë që e shfrytëzojnë afatin përfundimtar për konvokim të seancës që të mbrohet korniza ligjore dhe të mos vetëshpërndahet Këshilli. Ashtu do të bëjnë edhe me propozim-buxhetin që duhej të pranohet në dhjetor. Jam i bindur se buxheti i propozuar do të votohet para skadimit të afatit të parashikuar dhe atë në periudhën prej 25 deri më 31 mars, vetëm që të mos shkohet në zgjedhje.
Në periudhën parazgjedhore premtuat shumë projekte dhe punë. Kishit zgjidhje për kaosin në komunikacion, transportin publik, deponinë Rusino dhe një varg çështjesh të tjera. Cilat janë projeksionet në programin tuaj për këto investime në komunën e Gostivarit?
“Janë planifikuar gjithsej katër garazhe me kate. Për dy po përpilohet një dokumentacion dhe duhet të jenë gati për një vit ose një vit e gjysmë. Dy të tjerat do të jenë në partneritet me BFI-në dhe Myftininë e Gostivarit. Në fillim të vitit të ardhshëm do të vendosim transport publik me eko-autobusë në dy linja. Njëra do të jetë nga fshati Banjicë e Epërme deri në fshatin Debreshe dhe tjetra nga fshati Reçan deri në fshatin Çegran. Ai transport do të subvencionohet nga komuna dhe çmimet do të jenë minimale. Deponia Rusino do të rregullohet sipas standarteve evropiane për çka veçmë është nënshkruar memorandum. Për këtë destinim janë siguruar grante nga ambasada zvicerane në vlerë prej gjashtë milionë eurosh dhe kredi nga KFV banka prej 1,2 milion eurosh. Punët do të fillojnë në qershor të këtij viti, ndërsa tërë investimi do të realizohet në katër vitet e ardhshme.